Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Një studim i ri në Mbretërinë e Bashkuar zbulon një nivel të lartë lodhjeje digjitale te të rinjtë, me 46% të të anketuarve që shprehen se do të kishin preferuar të jetonin pa internet. Studimi përfshiu 1,293 persona të moshës 16 deri në 21 vjeç dhe nxori në pah një shqetësim të madh për ndikimin që ka përdorimi i internetit dhe rrjeteve sociale në mirëqenien mendore.
Gjysma e të rinjve janë në favor të vendosjes së një “orari digjital”, ku aplikacione të caktuara të mos jenë të qasshme pas orës 22:00. Ndërkohë, 70% e tyre thanë se ndihen më keq pas përdorimit të rrjeteve sociale, dhe 68% besojnë se koha që kalojnë online ndikon negativisht në shëndetin e tyre mendor.
Këto të dhëna vijnë në një kohë kur autoritetet britanike po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së rregullave më të rrepta për platformat digjitale, përfshirë kufizime në përdorim gjatë natës. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kufizimet nuk mjaftojnë – dhe se platformat duhet të reformohen në thelb, për të qenë më të sigurta, më pak varëse dhe më të dobishme për përdoruesit e rinj.