Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Qeveria metropolitane e Tokios ka njoftuar se do të heqë tarifat bazë të ujit për të gjithë banorët e qytetit gjatë katër muajve të verës, si pjesë e masave për të zbutur ndikimin e valëve të të nxehtit.
Më shumë se 36 miliardë jenë japoneze (rreth 250 milionë dollarë) janë ndarë për këtë subvencion që nis së zbatuari këtë verë. Në një deklaratë për media, guvernatorja e Tokios, Yuriko Koike, tha se synimi është që të krijohet një ambient ku qytetarët mund të jetojnë të qetë, pavarësisht motit ekstrem që po pritet.
Vitin e kaluar, Tokio regjistroi verën më të nxehtë ndonjëherë, me temperatura mesatare që tejkaluan normat e dekadave të fundit për 1.76 gradë. Si pasojë, 263 njerëz humbën jetën nga goditja e të nxehtit vetëm në këtë qytet – shumë prej tyre nuk kishin përdorur fare ajrin e kondicionuar, shpesh për shkak të shqetësimeve rreth faturave të larta.
Zyrtarët shpresojnë që duke reduktuar kostot bazë të ujit, qytetarët të ndihen më të lirë për të përdorur ajrin e kondicionuar dhe metoda të tjera për t’u freskuar. Sipas të dhënave të Departamentit të Zjarrfikësve të Tokios, mbi 60% e vdekjeve nga goditja e të nxehtit brenda ambienteve të mbyllura ishin në raste kur klima nuk ishte ndezur.
Ky vendim prek mbi 7 milionë familje që jetojnë në Tokio, një qytet me mbi 14 milionë banorë, ndërkohë që Japonia përballet me verëra gjithnjë e më ekstreme si pasojë e ndryshimeve klimatike.