Kori i Filharmonisë së Kosovës ka dhënë koncertin e parë në Lubjanë, përpara personaliteteve të jetës kulturore dhe politike të Sllovenisë. I pranishëm në koncert ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Nën drejtimin e dirigjentit Baki Jashari, u interpretuan vepra nga kompozitorë të njohur nga Kosova dhe Shqipëria, si Rafet Rudi, Mendi Mengjiqi, Baki Jashari, Vasil S. Tole dhe Hajrullah Syla.
Përpara publikut u prezantuan gjithashtu edhe vepra nga kompozitorë ndërkombëtarë, si Eric Whitacre, Ambrož Čopi, Laura Jēkabsone dhe Jake Runestad.
Performancat e mrekullueshme nga solistët dhe Kori i Filharmonisë u përcollën me duartrokitje të gjata nga publiku.
Koncerti u mbajt në kuadër të javës kulturore të Kosovës në Slloveni.
Ky ishte koncerti i fundit i Korit të Filharmonisë për vitin 2024. Aktivitetet e këtij viti do të përmbyllen me Gala Koncertin e Vitit të Ri, i cili do të mbahet më 21 dhjetor 2024, në AMC Hall, në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:30.