
Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Më 8 prill 1937, u botua për herë të parë në formën e saj të plotë “Lahuta e Malcisë”, kryevepra epike e At Gjergj Fishtës, një nga veprat më monumentale të letërsisë shqipe. Shkrimi i saj filloi që në vitin 1905 dhe përfundoi pas më shumë se tri dekadash, duke u kurorëzuar me botimin përfundimtar me 30 këngë.
Ndërsa e mbështetur në formatin tradicional të këngëve epike veriore, “Lahuta e Malcisë” nuk ndjek një linjë të vetme narrative me një hero qendror, por sjell një galeri figurash heroike shqiptare si: Oso Kuka, Marash Uci, Dedë Gjo Luli, Tringa, Abdyl Frashëri e Ali Pashë Gucia, që mishërojnë virtytet e qëndresës dhe burrërisë shqiptare.
Vepra fillon me ngjarje në Veri të Shqipërisë përballë sulmeve malazeze, por shtrihet më tej në hapësirë dhe në kohë, duke reflektuar identitetin dhe qëndresën kombëtare. Kështu, nga përshkrimi i një krahine kalon te përfaqësimi i kombit të tërë.
Fishta u ndikua nga tradita gojore, këngët kreshnike dhe besimet popullore, ndërsa formimin letrar e përftoi në kuvendet françeskane në Bosnje. Në vitin 1905, me ndihmën financiare të Faik Konicës, botoi në Zara të Kroacisë “Bleni I” të veprës me pesë këngë, pasuar nga “Bleni II” një vit më vonë, deri te versioni përfundimtar.
Struktura e veprës përfshin këngë historike, si ato që përshkruajnë Vraninën, Kongresin e Berlinit, Luftën e Ballkanit dhe Konferencën e Londrës, si dhe këngë kreshnike me imagjinatë krijuese, dhe balada autoriale, ku përfshihen krijime si “Patër Gjoni” dhe “Tringa”.
“Lahuta e Malcisë” mbetet një gur themeli i letërsisë shqipe, që pasqyron thellësisht shpirtin kombëtar dhe trashëgiminë kulturore të shqiptarëve.