Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, të hënën ia kanë dhuruar një eksponat të historisë së re Muzeut Kombëtar të Kosovës. Por ky institucion zyrtarisht është lënë pa rojë. Prej fillimit të marsit të këtij viti vendi ku ruhet thesari i luajtshëm i trashëgimisë kulturore të Kosovës është zyrtarisht pa rojë. Ruhet në mënyrë vullnetare nga ata që ishin të kontaktuar me kontrata të përkohshme për ta bërë këtë shërbim. Pos ndërtesës së MKK-së, pa roja zyrtarisht janë edhe Muzeu
Etnologjik – ndër më të vizituarit në vend – dhe Shtëpia e Pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova”
Të hënën e kësaj jave Muzeu Kombëtar i Kosovës ka pritur në vizitë zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku. Zëvendëskryeministri i parë, Bislimi, ia ka dhuruar dhe dorëzuar Muzeut Kombëtar të Kosovës penën me të cilën u nënshkrua vendimi i liberalizimit të vizave për Kosovën. Pas një procesi të gjatë qytetarët e shtetit më të ri të Evropës prej janarit të këtij viti mund të lëvizin pa viza, në atë që njihet si kontinenti i vjetër.
“Paraprakisht pena e nënshkrimit të vendimit final mbi liberalizimin e vizave, i datës 19 prill 2023, i ishte dhuruar zëvendëskryeministrit Bislimi nga eurodeputeti dhe ish-raportuesi për Kosovën mbi këtë proces në Parlamentin Evropian, Thijs Reuten, gjatë qëndrimit të tij në vendin tonë në fund të muajit të kaluar”, shkruhet në komunikatë.
Po sipas komunikatës, ky objekt pritet të ekspozohet më tutje në Muzeun Kombëtar të Kosovës.
“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi rëndësinë e arritjes së liberalizimit të vizave për shtetin dhe qytetarët tanë dhe domethënien që kjo penë e ka në mënyrë simbolike në siglimin e përfundimit të procesit”, përfundon komunikata.
Por numri dy i Qeverisë, Besnik Bislimi, dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, njëherësh më përgjegjësi për Muzeun si institucion vartës i MKRS-së, ia kanë dhuruar një eksponat të historisë së re MKK-së që zyrtarisht shteti e ka lënë pa rojë. Prej fillimit të marsit të këtij viti vendi ku ruhet thesari i luajtshëm i trashëgimisë kulturore të Kosovës është zyrtarisht pa rojë. Ruhet në mënyrë vullnetare nga ata që ishin të kontaktuar me kontrata të përkohshme për ta bërë këtë shërbim. Pos ndërtesës së MKK-së, pa roja zyrtarisht janë edhe Muzeu Etnologjik – ndër më të vizituarit në vend – dhe Shtëpia e Pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova”. Bëhet fjalë për 10 punonjës. Kjo nuk është hera e parë që ndodh kësisoj. Për tre muaj edhe vitin e kaluar zyrtarisht kishin munguar të angazhuarit që dikur shërbenin me marrëveshjet për shërbime të veçanta e tash angazhohen nëpërmjet prokurimit.
“Këtë herë për dallim nga herët e kaluara procedura ka filluar në kohë, por që nuk është përmbyllur. Tash jam njoftuar që ka filluar procedura dhe besoj që mbyllet shpejt. Përtej shqetësimit në institucion puna ka vazhduar në orar të rregullt”, ka thënë Vjollca Aliu, zëvendësuese e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Sipas saj, situata duhet të zgjidhet sa më parë.
“Nuk do të ishte dashur që kjo çështje të diskutohej fare. Tash e dy muaj gjatë ditës kemi gjithnjë prani të një zyrtari policor. Shpresoj që shpejt do ta kemi edhe natën”, ka thënë ajo.
KOHA për këtë çështje i ka drejtuar pyetje Ministrisë së Kulturës. Por, institucioni më i lartë kulturor në vend nuk është përgjigjur në pyetjet: “Përse Muzeu Kombëtar i Kosovës nuk ka roja të angazhuara; Si dhe kur do të dilet nga kjo situatë; Si do të adresohet fakti që thesari i trashëgimisë së shtetit s'ka roja zyrtarisht dhe kush mban përgjegjësi?”.
Në vitin 2018, ai ishte deri atëherë Muzeu i Kosovës nëpërmjet Statutit që bërë Muzeu Kombëtar i Kosovës. Janë dashur gati 20 vjet që nga paslufta që Kosova juridikisht ta ketë Muzeun Kombëtar. Fiks pas 40 vjetësh, në dhjetor të vitit 2018 është ndërruar statuti i këtij institucioni. Më 1978 ishte punuar për herë të fundit. Si institucion qe themeluar më 5 maj 1947 nga Këshilli Krahinor i Kosovës së atëhershme. Me ndërtesë funksionale do të bëhej më 1949, kurse për publikun do të hapej në vitin 1951.
Prej shkurtit të vitit 2018 institucioni ka ekspozitë të përhershme. Paraprakisht ka qenë i hapur me ekspozita të përkohshme. Kthimi i “Hyjneshës në fron” më 2002, fushata “Kthimi” më 2003, ekspozita me gjetjet në Bardhosh, kampi arkeologjik nga viti 2004, hapja e Muzeut Etnologjik më 2006, ekspozita “Kosova arkeologjike” më 2007 e shumë ngjarje të tjera, janë disa nga aktivitetet që e kanë mbajtur të hapur institucionin dhe e kanë bërë përgjegjës për veprimtarinë e vet themelore.
Sipas Statutit, Muzeu Kombëtar i Kosovës zbaton politikat dhe strategjitë e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe siguron zbatimin e legjislacionit në fushën e trashëgimisë kulturore të luajtshme, përmes realizimit me standarde shkencore dhe profesionale të hulumtimit, mbledhjes, inventarizimit, studimit, mbrojtjes dhe ruajtjes, konservimit dhe restaurimit, ekspozimit dhe promovimit të objekteve potenciale me vlera të trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale. Në Statut ceket se MKK-ja siguron përmbledhjen, ruajtjen dhe studimin e provave materiale dhe jomateriale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Republikës së Kosovës, të cilat i ekspozon dhe i paraqet në hapësira apo platforma të ndryshme dhe adekuate, që nxisin kureshtjen, debatin, edukimin dhe argëtimin. Por shteti zyrtarisht nuk e ruan këtë trashëgimi. Kjo bëhet vullnetarisht nga ata që pritet të kontraktohen prapë përkohshëm.
Gjatë kësaj jave KOHA ka raportuar se me situatë edhe më të rëndë përballet Kalaja e Prizrenit, vend ku janë investuar mbi një milion euro.
Kur shkohet në Kalanë e Prizrenit ende pa u futur brenda rrethojës, shihet se bëhet fjalë për një lokalitet të braktisur. Nuk ekziston mirëmbajtja. Me të hyrë në portën perëndimore – kryesorja e monumentit – për “mirëseardhje” shërben një ombrellë dhe një frigorifer ku shiten pije. Pamja e këtij këndi dhe muzika që lëshohet prej aty, veç me monumentin nuk ka kurrfarë lidhjeje. Në cilindo drejtim që nisen vizitorët nuk marrin vesh gjë. Tabelat informuese i ka bjerrë koha. Shërbejnë veç si pamje të shëmtuara e relikte që dëshmojnë moskujdesin e shtetit. Shtigjet e drunjta kanë degraduar deri në masën sa rrezikojnë vizitorët. Janë arnuar me dërrasa, por si opsion që i ka shëmtuar e ka rritur pak sigurinë. Degradimi i shtigjeve është i nivelit aq sa para më shumë se një viti, një vizitor e kishte lëshuar pjesën e shtegut ku po ecte. Ishte lënduar dhe kishte shkuar në Polici për ta paraqitur rastin me akuzën se ka pësuar në monumentin e menaxhuar nga shteti. Juridikisht shteti është përgjegjës për atë pjesë, por në praktikë s’merr kush pikë përgjegjësie.
Kalaja prej fillimit të marsit nuk i ka as pesë punonjësit teknikë që shërbenin për roja e mirëmbajtje. Nuk ruhet as natën. Është braktisur krejtësisht.