Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“Lexoni rrugën tuaj” si thirrje e alarm për lexuesit edhe në Kosovë

Kulturë  |  24.04.2024 Ora 8:02   

Përderisa sipas statistikave të atyre pak anketave se numri i lexuesve është përherë në rënie, edhe Prishtina simbolikisht i është bashkuar botës në shënim të Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit. Njëri prej aktiviteteve të martën ka qenë ai në bibliotekën “Hivzi Sulejmani”, në të cilin lexuesve të dalluar u janë dhënë mirënjohje. Mesazhi i sivjetmë “Lexoni rrugën tuaj” nuk është përmendur, por është riktheksuar rëndësia e librit dhe e leximit, sikurse edhe shifrat alarmante të lexueshmërisë

 

“Lexoni rrugën tuaj”, ka qenë mesazhi i sivjetmë i Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit, një datë në të cilën krejt bota bashkohet për ta fuqizuar peshën e librit, të leximit por edhe respektimit të të drejtave të autorit. Në Kosovë ka vite që gjendja është alarmante dhe përditë e më shumë ka rënie të numrit të lexuesve, data si këto shënohen simbolikisht, rëndom janë festive por që zymtësohen sa herë që përmenden edhe ato pak anketa e statistika. Njëra prej tyre, ajo e vjetmja që nxjerr se gjysma e të anketuarve s’kanë kontakt fare me librin. 

Festiv ka qenë edhe aktiviteti të martën – në ditën që UNESCO-ja e ka shpallur Ditë Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit qysh më 1995 – në bibliotekën “Hivzi Sulejmani”, organizuar tok me Komunën e Prishtinës dhe organizatën joqeveritare “ETEA”, ku ndër të tjera u janë ndarë mirënjohje lexuesve të dalluar.  

Në qendrën “Libart” organizimi ka pasur në “repertor” fjalime e lexime poetike. “Letër nënës” nga poeti rus, Sergei Yesenin, ka qenë poezia të cilën e lexoi Medina Llapashtica, para se të shpalleshin lexuesit më të dalluar të vitit. Nga sektori i fondit shkencor mirënjohje ka marrë Dijonis Doçi, student i shkencave politike nga sektori i të rriturve, Dardan Shyti nga shkolla “Xhevdet Doda”, nga ai i fëmijëve Rizgjim Maxhuni, në degën e bibliotekës përkujtimore nxënësi Diar Sylejmani e nga ajo e fshatit Llukar, Jona Krasniqi. 

Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, e ka nisur me takim simbolik, teksa theksoi rëndësinë për kujdesin që duhet ofruar edhe përmbajtjes së materialeve të cilat lexohen. 

“Ditën e  sotme e fillova te shkrimtari Nazmi Rrahmani dhe aty bashkë diskutuam për rëndësinë e librit dhe për veprat që duhet t’u përshtaten aftësive kognitive të fëmijëve. Diskutuam gjithashtu se sa e rëndësishme është imagjinata si niveli i parë i njohjes, që realisht vetëm libri ua jep fëmijëve tanë dhe i bën njerëz. Vetëm libri është ai që i bën fëmijët tanë njerëz në kuptimin e humanitetit dhe dijes shumëdimensionale”, ka thënë ajo. Është zotuar se Komuna e Prishtinës po punon për përmirësime në infrastrukturë që nxit leximin. 

“Për mua si drejtoreshë e Kulturës dhe që vij nga bota e librit e kam shumë të rëndësishme që këto hapësira t’i ofrohen komunitetit sa më shumë. Nuk mjafton që ne vetëm të konstatojmë një gjendje të moslexueshmërisë, siç ndodh rëndom. E kemi shumë të rëndësishme që të dhënat që i marrim për këtë nivel të lexueshmërisë t’i orientojmë në politika adekuate, andaj për mua është e rëndësishme që t’i rikthejmë fëmijët tanë në biblioteka dhe kësisoj ta ofrojmë librin sa më afër fëmijëve dhe lexuesve në përgjithësi”, ka shtuar ajo në një prononcim për KOHËN.

Për bibliotekën “Hivzi Sulejmani” numri i lexuesve ka qenë gjithnjë në rënie  që nga pandemia, me gjithë përmirësimin e kushteve dhe infrastrukturës. Fatime Mehmetaj, drejtoreshë e Bibliotekës, vite më parë kishte pasur fluks deri në dhjetë mijë lexues brenda vitit, por pastaj pas pandemisë ky numër kishte rënë dukshëm. Por, përpjekjet e tyre që të ndryshojë kjo gjendje, sipas saj, janë të vazhdueshme.  

“Ne po përpiqemi që përmes këtyre aktiviteteve me i nxitë të rinjtë me ardhë në bibliotekë duke bërë edhe regjistrim pa pagesë në data shënjuese, si 2 prilli, sot dhe më 1 qershor, edhe aktivitete të ndryshme, që me i afru lexuesit me librin, sepse është e domosdoshme të lexohet nga të rinjtë”, ka thënë Mehmetaj.   

I pranishëm në këtë ngjarje ka qenë edhe Bujar Verbovci, udhëheqës i shtëpisë botuese “Jeta”, i cili ndau me të pranishmit se biblioteka “Hivzi Sulejmani” kishte qenë vendi ku ai ishte njohur me librin 23 vjet më parë. 

“Kjo ditë më gjen tani si botues dhe si  mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Në fillesat e dashurisë sime me librin më patën vlerësuar me çmimin lexues i dalluar. Në atë kohë drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës kishte premtuar që të ndërtonte një godinë të re për lexuesit e kryeqytetit, e tani gjendemi në të, ndërkaq unë sot shpresoj që një premtim i tillë të ngjajë sërish, por për fatin e Bibliotekës së Vjetër të qytetit, e cila për shumë gjenerata përbën një hapësirë që na ka dhuruar shumë kujtime”, ka thënë ai duke i shprehur mirënjohje bibliotekës “Hivzi Sulejmani. Për të ajo qe një hapësirë ku është ndërtuar personaliteti i tij.

Vitin e kaluar, pikërisht në Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit, organizata joqeveritare “ETEA” bashkë me shtëpinë e botuese “Dukagjini” kishin nxjerrë raportin “Niveli i të lexuarit në Kosovë: Sfidat në të kultivuarit e kulturës së leximit”. 

“Sipas hulumtimit, 31.29 për qind të qytetarëve nuk janë në gjendje të kujtojnë asnjë prej tre librave të fundit të lexuar. 11.3 për qind mund ta përmendin vetëm një titull libri, kurse 11.37 për qind dinë t’i përmendin dy tituj. Në përgjithësi 52.24 për qind nuk arrijnë t’i listojnë tre tituj librash në total. Kjo e fundit lë të kuptohet se më shumë se gjysma e popullsisë së Republikës së Kosovës nuk ndërvepron pothuajse fare me librin”, shkruhej ndër të tjera në atë raport.

Bleona Kurteshi nga organizata “ETEA” ka thënë se çdo vit del se numri i atyre që kanë kontakt me librin është vazhdimisht në rënie. 

“Edhe vitin e kaluar statistikat tregojnë që kemi rënie të leximit dhe më shqetësuese është fakti që ndoshta tek të rinjtë, sidomos te shkollat e mesme ata nuk janë të familjarizuar me librin, nuk lexojnë dhe kjo normalisht që është shqetësuese. Por ne nuk demotivohemi nga këto rezultate,  përkundrazi i marrim si shtyse  që të vazhdojmë të krijojmë aktivitete të tjera, të cilat i afrojnë të rinjtë me aktivitete të ndryshme kulturore”, ka thënë Kurteshi. 

Shpallja e Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) është nderim edhe për autorë të shquar të letërsisë botërore, si Miguel de Cervantes, William Shakespeare dhe Inca Garcilaso de la Vega, të cilët vdiqën po më 23 prill të vitit 1616. Sivjet Strasbourgu është shpallur kryeqytet botëror i librit./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing