Të hënën Ministria e Kulturës dhe menaxhmenti i Pallatit janë marrë vesh për investime afatgjata në këtë kompleks. Nëpërmjet një memorandumi të bashkëpunimit është vendosur që në tre vjetët e ardhshëm të ndërhyhet me rinovim dhe rivitalizim të sallës së madhe të sportit – salla universale – hapësirave dhe strukturave ndërlidhëse të sportit, sallës së kuqe, ateliesë, amfiteatrit të dytë, atriumit, platesë dhe parkingut nëntokësor. Shpenzimet pritet të shkojnë mbi 20 milionë euro.
Me mbi 20 milionë euro në “kuletë”, Ministria e Kulturës ia ka mësyrë rinovimit të Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Kompleksi i viteve ’70 – një ndër pikat kryesore të arkitekturës në Prishtinë – është edhe monument si pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme. Të hënën Ministria e Kulturës dhe menaxhmenti i Pallatit janë marrë vesh për investime afatgjata në këtë kompleks. Nëpërmjet një memorandumi të bashkëpunimit është vendosur që në tre vjetët e ardhshëm të ndërhyhet me rinovim dhe rivitalizim të sallës së madhe të sportit – salla universale – hapësirave dhe strukturave ndërlidhëse të sportit, sallës së kuqe, ateliesë, amfiteatrit të dytë, atriumit, platesë dhe parkingut nëntokësor.
Për nënshkrimin e memorandumit ka njoftuar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. “Transformimi i Pallatit të Rinisë, për sportistët e artistët tanë” e ka titulluar njoftimin ministri Çeku.
“Pas rinovimit të dy hapësirave të rëndësishme, palestrës së sportit dhe amfiteatrit të TKK-së, vazhdojmë me projektin tonë ambicioz të transformimit të tërësishëm të Pallatit të Rinisë në shërbim të artistëve, sportistëve e të rinjve tanë dhe në përgatitje me dinamikë të lartë për mikpritjen e Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’”, ka njoftuar Çeku.
Nënshkrimi i memorandumit është bërë midis Mrika Gashit, kryeshefe e ndërmarrjes publike “Pallati i Rinisë” dhe Xheladin Krasniqit, zëvendësues i sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së.
Kurse në njoftimin e Pallatit të Risë dhe Sportit bëhet e ditur se këto renovime parashihet të zgjatin tre vjet. Por krejt projektet për ndërhyrje në këto hapësira duhet të kalojnë nëpër Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për pëlqime pasi kompleksi është vlerë e trashëgimisë kulturore. Në memorandumin e nënshkruar ceken vetëm afatet kohore e hapësirat që do t’iu nënshtrohen ndërhyrjeve, por jo edhe shumat.
KOHA gjatë ditës së martë ka kërkuar sqarime shtesë sa i përket memorandumit.
Ministria e Kulturës ka treguar se vlerat e investimeve përcaktohen nga projektet zbatuese. Ky institucion ka bërë të ditur se deri tani kanë investuar 99 mijë e 800 euro për rinovimin e amfiteatrit të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe 200 mijë euro për rinovimin e palestrës së vogël të sportit.
“Në kodin tonë buxhetor ‘Rinovimi i Pallatit të Rinisë’ aktualisht janë 12.5 milionë euro, ndërsa ne parashohim që viteve në vijim kjo shumë të rritet në mënyre të konsiderueshme. Buxhetin për Pallatin e Rinisë do ta rrisim bazuar në vlerat që do të përcaktohen nga projektet zbatuese. Dy kode të tjera buxhetore që mund të përdoren për ndërhyrje janë ‘Rinovimi i ndërtesave kulturore” (3 milionë) dhe ‘Rinovimi i palestrave sportive’ (5 milionë)”, shkruhet në përgjigjet e MKRS-së. Aty bëhet e ditur se për shkak se Pallati i Rinisë është në mesin e ndërtesave kryesore për mikpritjen e Lojërave Mesdhetare 2030, gjatë procesit të aplikimit ministri i Financave ka nënshkruar garancinë për mbulimin e të gjitha shpenzimeve për infrastrukturën e sportit dhe shpenzime organizative. “Kjo vlerë e garantuar është afro 250 milionë euro dhe përfshin edhe rinovimin e tërësishëm të Pallatit të Rinisë”, shkruhet në përgjigje.
Paraprakisht në fillimvit MKRS-ja ka ndërhyrë në Amfiteatrin e Pallatit.
Rinovimi i Amfiteatrit sipas kontratës është bërë duke zëvendësuar dyshemenë, pastaj furnizim me perde, ndriçim, heqja e tepisonit aty dhe zëvendësimi me një të ri. Largimi i konstruksionit dhe i instalimit elektrik në pjesën e skenës, ngjyrosja e mureve dhe tavaneve, ngjyrosja e dyshemesë, zhvendosja e ulëseve ekzistuese nga salla dhe konservimi i tyre e bartja në depo të objektit, sikurse edhe vendosja e ulëseve të TKK-së në amfiteatër janë midis punëve që janë bërë. Në kontratë përfshihet gjithashtu furnizimi me laptopë dhe të tjera mjete teknike për audio e pjesën vizuale në skenë. Janë hequr shtesat e tavanit dhe në njëfarë forme është rritur vizualisht hapësira. TKK-ja është “refugjate” prej korrikut të vitit 2022, kur Ministria e Kulturës ia vuri drynin ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës për ta çuar në restaurim të përgjithshëm.
Por këto nuk janë ndërhyrjet e vetme të shtetit në Pallatin e Rinisë dhe Sportit deri më tash. Vjet kryefjalë e edicionit të parë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës ka qenë transformimi i sallës së djegur në skenë madhështore. Fill pas festivalit, të shpejta kishin qenë zotimet se do të mbetet me po atë shkëlqim e aty do të vazhdojnë të organizohen koncerte, festivale e shfaqje të ndryshme.
Por jo më shumë se tri javë kanë zgjatur premtimet e tilla. Kanë rënë në ujë me përfundimin e kontratës për pajisjet e marra në shfrytëzim dhe materialet me të cilat është maskuar salla. Është zhbërë në tërësi. Salla e djegur në Pallatin e Rinisë dhe Sportit e transformuar për tri netët e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës ishte rikthyer në gjendjen e mëparshme. Krejt elementet që i jepnin pamjet e sallës madhështore qenë hequr.
Skeleti i skenës është krejt çfarë kishte mbetur prej imazhit që ishte krijuar për edicionin e parë të Festivalit, ndonëse kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, publikisht kishte bërë të ditur se aty do të vazhdonin të mbaheshin ngjarje kulturore.
“Koncerte, festivale, shfaqje të ndryshme, të gjitha këto do të realizohen tash e tutje në skenën e re të krijuar në ish-sallën e djegur të Pallati të Rinisë. Ky institucion u përket qytetarëve, artistëve, sportdashësve e të gjithëve që duan të shprehin talentin e tyre në këtë skenë. Me këtë u pajtuan drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, bashkë me ekipin fantastik të skenografëve, gjatë vizitës që ua bëmë hapësirave të Pallatit”, kishte shkruar kryetari Rama në rrjetin Facebook më 2 nëntor. Në natën finale të Festivalit kishte thënë se po planifikohej rivitalizimi i gjithë Pallatit të Rinisë.
“Ne jemi duke bërë fizibilitetin e gjithë hapësirës, i kemi bërë analizat me arkitektin e qytetit dhe e kemi tash një program të ri me partneritet publiko-privat që ta rivitalizojmë gjithë Pallatin e Rinisë. Kjo tregon se nëse ne duam të bëjmë punë, mund ta bëjmë. Nuk ka kurrfarë arsye të mos i rivitalizojmë të gjitha këto ikona, sidomos ikonat e kryeqytetit. Duke filluar me Pallatin e mrekullueshëm të Rinisë”, kishte thënë kryetari Rama. Një ditë pas përfundimit të Festivalit të Këngës, vetë Rama e kishte publikuar versionin “para-pas” të sallës. Por, pas pak ditësh pamja e sallës qe po e njëjta që kishte qenë edhe para edicionit të parë të Festivalit.