Ministria e Kulturës u është qepur tenderëve e angazhimit të organizatave joqeveritare për të konceptuar ekspozita, për t’i instaluar ato e për t’i mbajtur e bërë funksionalë muzetë a monumentet e tjera. Deri më tash tentimet kanë qenë krejtësisht të pasuksesshme. Por, MKRS-ja i është rrekur këtij versioni, i cili për ata që janë marrë aktivisht me trashëgimi kulturore është rrugëzgjidhje e pamenduar mirë.
Në pjesën e parë të vitit të kaluar është synuar që nëpërmjet kompanive private Muzeu i Burgut të Prishtinës, “Burgu i idealit”, të bëhej me ekspozitë të përhershme. E, në Muzeun Etnologjik apo kompleksin “Emin Gjiku” bashkë me atë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Kullën e Isa Boletinit të rikonceptoheshin e riinstaloheshin ekspozitat. Nuk ia kishte dalë. Tash ka nisur një tentim tjetër.
Rruga është e njëjtë: Tender publik, angazhim i kompanive private.
Kësaj radhe me 300 mijë euro parallogari nëpërmjet katër loteve, synon të njëjtën gjë që e kishte tentuar në qershor të vitit të kaluar.
“Shërbime për zhvillimin e proceseve dhe produkteve teknike për rivitalizimin dhe adaptimin, menaxhimin, ‘kurimin’ e ekspozitave dhe rifunksionalizimin e muzeve ekzistues të vendosur në asete të trashëgimisë kulturore arkitekturale të Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Muzeut Etnologjik, Muzeut të Burgut të Prishtinës ‘Burgu i Idealit’ dhe Kompleksi i Kullave të Isa Boletinit”.
Kjo thirrje e hapur në nëntor të vitit të kaluar ka rezultuar me përzgjedhje të një kompanie për dy monumente, për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe “Burgun e Idealit”. Që të dyja kushtojnë 191 mijë e 750 mijë euro. Me shumën prej 49 mijë e 500 eurosh është përzgjedhur një tjetër operator për intervenime te Kulla e Isa Boletinit.
Por aktualisht procesi është pezulluar pasi një kompani ka ushtruar të drejtën e ankesës në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
MKRS-ja vazhdimisht në thirrje si kjo jep edhe sqarime për monumentet. Në dosjen e thirrjes jepen sqarime se ish-Burgu i Qarkut në Prishtinë është i vendosur në qendër të kryeqytetit dhe aty janë mbajtur veprimtarë politikë, aktivistë e disidentë të ndryshëm gjatë 70 vjetëve sa e ka pasur atë funksion. Tregohet se duket që daton qysh prej fillimit të viteve ‘50, ndërtimi i këtij burgu korrespondon me kohën famëkeqe të Rankoviqit, kur shqiptarët janë persekutuar politikisht. Aty jepen sqarime goxha në detaje për planimetrinë e ndërtesës.
“Të dhënat për burgosjet që kanë ndodhur në këtë burg janë ende duke u hulumtuar, por operimi i tij qysh nga koha e hershme pas Luftës së Dytë Botërore është indikacion se kemi të bëjmë me ndërtesë të rëndësishme historike. Janë disa periudha të represionit serb që reflektohen qartazi edhe te ndërtesa e Burgut”, shkruhet në dosjen e tenderit. Përmendet periudha kur nacionalisti famëkeq Aleksander Rankoviq ishte numri dy i ish-Jugosllavisë dhe vitet ’70, ‘80 deri te Millosheviqi.
Më 12 korrik të vitit 2022, ish-Burgu ishte rihapur për vizitorë. Asokohe u shpall edhe muze. Ekspozita e rihapjes në raport me hapjen e parë duket më e realizuar, por mbetet shumë periferike në raport me një muze. Në ndërtesën që gjendet në rrugën “Luan Haradinaj”, ngjitur me Stacionin e Policisë së Kosovës, vizitorët mund të përjetojnë një ambient burgu. Jo bash sikurse ka qenë gjatë sistemit socialist, shkaku i ndërhyrjeve të pasluftës, por të paktën në strukturë është i njëjti. E stafi, siç bën rëndom MKRS-ja, improvizon deri në hapjen e ekspozitës së përhershme.
Hapja e parë, ajo e 12 qershorit 2020, në kuadër të 21-vjetorit të çlirimit të Kosovës, në rihapje nuk qe përmendur fare, duke e stimuluar idenë se ndërtesa po hapet për herë të parë. As tash nuk është e hapur.
Sa i përket Muzeut Etnologjik, ky kompleks vazhdon të mbajë primatin si një aset i trashëgimisë kulturore tejet atraktiv, i cili për çdo vit pranon një numër të madh vizitorësh vendorë e veçmas të huaj. Pas viteve pandemike, si dhe pas restaurimit dhe konservimit të asaj që njihet si Shtëpia Familjare e Shekullit XIX, që kishte nisur qysh më 2017, në vitin 2022 Muzeu iu rikthye qytetarëve me kapacitet të plotë. Muzeu Etnologjik i njohur edhe si “Emin Gjiku” është njëri ndër komplekset më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Kosovë, sepse ai ruan të kaluarën e bashkë me të edhe identitetin e hapësirave qytetare në vend. I hapur në vitin 2006, mbetet një pikë e fortë reference për të gjithë ata që e vizitojnë Kosovën.
Kujdes i shtuar ka kohë që është paralajmëruar edhe për Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, aty ku në qershor të vitit 1887 është mbledhur paria shqiptare që ka synuar pavarësim më të madh nga Perandoria Osmane. Qysh më 2021 ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, kishte thënë se kompleksi i LSHP-së paraqet një perlë të trashëgimisë kulturore, që rrethohet nga monumentet e tjera të trashëgimisë kulturore. Me këtë rast ai kishte thënë se do të përmirësohen kushtet në këtë monument, me qëllim që vlerat që përfaqëson të prezantohen dhe të promovohen edhe jashtë kufijve të gjeografisë shqiptare.
Kurse sa i përket Kullës së Isa Boletinit, MKRS-ja ka vite që synon një rikonceptim të ekspozitës, por kjo nuk ka ndodhur. Kompleksi gjendet në fshatin Boletin të Komunës së Zveçanit. Ekspozita është goxha periferike në raport me historinë e ish-pronarit të Kullës, Isa Boletini, eshtrat e të cilit janë rivarrosur brenda Kompleksit në vitin 2015.
Por, qasja e MKRS-së në raport me qëllimin për ekspozitat është vënë në pikëpyetje nga disa persona që janë marrë direkt me muze e trashëgimi kulturore.
Sali Shoshi, i cili udhëheq fondacionin “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, “CHwB Kosova” ka thënë se gjithmonë ka nevojë për ekspertizë të jashtme për menaxhimin e ekspozitave dhe muzeve. Por, sipas tij, kjo ekspertizë duhej të merrej nga institucione ose operatorë profesionalë me përvojë ndërkombëtare me qëllim të rritjes së kapaciteteve në muzetë vendorë.
“E para është forcimi i kapaciteteve të brendshme humane që janë në muze. Ekspertiza e jashtme ishte dashur t’i trajnonte e t’i shtonte kapacitetet e atyre që janë brenda”, ka thënë Shoshi. Sipas tij, kjo ekspertizë do të duhej të merrej nga muzetë jashtë vendit e të angazhohej për muzetë vendorë.
“Nuk është e shëndetshme, mendoj unë, nëse vjen një operator i jashtëm, i kryen punët dhe stafi i brendshëm ekzistues mbetet spektator. Kjo ishte dashur të jetë esenca që të mos kemi nevojë që çdo vit të angazhojmë kompani për t’i bërë ekspozitat”, ka thënë ai. Sipas Shoshit, muzetë kanë nevojë për menaxhim të mirë dhe avancim të njerëzve që punojnë aty, qoftë në hulumtim, por edhe në kurim të ekspozitave.
“Sidomos muzetë publikë punojnë në këtë mënyrë. Unë mendoj që kjo do të duhej të ishte qasja. Nëse thirrja nuk i ka këto elemente, dua të shpresoj që në të ardhmen t’i ketë këto elemente. Do të duhej të bëhej një analizë se nga çka lëngojnë muzetë tanë dhe pas diagnostikimit të ndërhyhet”, ka thënë Shoshi.
Por Ministria e Kulturës ka bërë një hap tjetër të dytë, para se të kurojë ekspozitat fillimisht.
Në shtator të vitit të kaluar prej pesë monumenteve sa kishte synuar t’i funksionalizonte me organizata joqeveritare, MKRS-ja ka bërë zgjidhje vetëm për dy. Me 135 mijë euro për tre vjet kishte përzgjedhur të financohej organizata “Mundësia” për funksionalizimin e kompleksit memorial “Isa Boletini” në Boletin, përderisa me 60 mijë euro do të mbështetej klubi letrar “Shtjefën Gjeçovi” për funksionalizimin e Shtëpisë së Katarina Josipit në Zym të Prizrenit.