Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Duo me kitarë e flaut zbërthen traditën spanjolle

Kulturë  |  16.01.2024 Ora 9:35   
Dyshja Nina Shala në flaut dhe Drilon Çoçaj në kitarë kanë thurur tingujt për këngët tradicionale spanjolle. Kombinimi i dy instrumenteve në skenën vendore ka sjellë natyrën e muzikës flamengo. Pozicioni i kitarës është i padiskutueshëm si instrument tradicional i muzikës spanjolle. Flauti i ka zëvendësuar vargjet e këngës. Vijën melodike në secilën pjesë e ka bërë më të theksuar.

Në qendrën “Barabar” në kryeqytet, tingujt romantikë erdhën me harmoninë e dy instrumenteve muzikore. Po aq qenë edhe kontrastet që i distancojnë ato në ngjyrën e natyrën e tingujve.

Një fragment nga opusi i vallëzimeve spanjolle ka shpërfaqur universin muzikor të kompozitorëve të mëdhenj. Por pjesët e luajtura nga dyshja kanë qenë versione unike.

Ambientin unik në katin e katërt të hotelit “Grand” me dekore minimale e mure të zhveshura, dyshemenë prej betoni, ka kohë që e plotëson arti. Tingujt e kanë bërë atë poetik. Vetë koncerti ka qenë i tillë. Ani pse vargjet janë zëvendësuar me meloditë e flautit. Kanë jehuar në ambientin e ftohtë të qendrës kulturore, për çka instrumentistët kanë thënë se në një të tillë nuk kanë luajtur më parë.

Këngët popullore spanjolle të kompozitorit Manuel de Falla kanë zbërthyer tingujt kontrovers pasi vijnë nga vende të ndryshme të Spanjës. Me “El pano moruno”, “Asturiana”, “Jota”, “Nana”, “Cancion” e “Polo” është përcjellë një pjesë e xhevahireve të kësaj kulture.

Kitaristi Drilon Çoçaj ka thënë se kitara e ka natyrshmërinë dhe se stili i instrumentit e nxjerr me krenari flamengon si kulturë tradicionale të këtij vendi.

“Është muzikë e bukur, është muzikë popullore tradicionale, por, në anën tjetër, kitara është instrument shumë popullor, sikur tek ne çiftelia. Kompozitorët zakonisht shkruajnë shumë vepra për kitarë. Ky është aranzhim për kitarë dhe flaut, por mund të luhen edhe në shumë versione të tjera. Janë shtatë këngë të ndryshme që këndohen për zë, por kësaj here ne e luajtëm me kitarë dhe me flaut. Kitara është ajo tradicionalja që e ka prejardhjen nga Spanja”, ka thënë Çoçaj.

Sipas tij, vetë natyra e instrumentit bën që muzika të tingëllojë bukur edhe krahas instrumenteve të tjera frymore a me tela, por edhe me vokal.

Dyshja ka shkuar përtej literaturës së shkruar për kitarë e flaute. Ka përshtatur veprat origjinale spanjolle duke i aranzhuar për dy instrumentet.

Të tilla kanë qenë “Danza Espagnola nr.11” e kompozitorit Enrique Granados. Mjeshtërinë në nota muzikore dyshja e ka shprehur edhe në interpretimin e “Les Sauvages” të francezit Jean-Philippe Rameau.

Pjesa tjetër nga ky kompozitor - “Les Tendres Plainetes” - ka qenë interpretim më i gjallë krahasuar me arien “Sonata K. 32” të italianit Domenico Scarlatti. Kjo e fundit ka qenë më melankolike në tinguj të zgjatur të flautit dhe ata minimalë të kitarës.
“Ne po mundohemi sepse repertori i kitarës me instrumentet e tjera është i harxhuar, i konsumuar. U bë pak bozë, si themi. Për atë arsye jemi munduar të bëjmë aranzhime të reja që t’i sjellim publikut risi. Janë vështirësitë e veta, por gjithmonë duke pasur parasysh natyrën e instrumentit tjetër dhe limitin”, ka thënë kitaristi Çoçaj.

Repertori nuk ka qenë i ri për publikun, por ka pasur disa ndryshime në të.

“Ne mendojmë të vazhdojmë edhe jashtë Kosovës me koncertet e radhës që i kemi. Me këtë repertor dhe me ata pak më ndryshe kemi mbajtur disa koncerte në Shqipëri dhe në qytetet e Kosovës. Repertori i ri ka disa ndryshime dhe mendojmë shumë shpejt, edhe tash që e kemi shumë më lehtë të depërtojmë më në fund”, ka treguar kitaristi Drilon Çoçaj pas koncertit.

Këngët e krijuara qysh në fillimet e shekullit të kaluar u këndojnë dashurisë nëpër etapa të ndryshme. Dyshja e ka bërë të qartë kalimin nga kënga në këngë duke lidhur një pas një këngët harmonike e ato melankolike.
Janë tejet të këndshme për t’u dëgjuar. Vetë dyshja është parë duke e shijuar çdo melodi.

Në “Danza Espagnola nr. 5” të kompozitorit spanjoll Granados vija ritmike determinohet nga flauti. Ngjan se kërkon qasje delikate. “Les Sauvages” shkon duke kulmuar me rritjen e tonit të flautit ndërkohë që është dominuese tërheqja e telave të kitarës. Në “Bachianas Brasileiras nr.5” tingujt ndjekin njëri-tjetrin me ritëm të shpejtë.

Flautistja Nina Shala e ka konsideruar kombinimin e dy instrumenteve si tejet të bukur në tingull.
“Ka shumë duo për flaut dhe kitarë, ka edhe sonata të mëdha që janë të shkruara nga kompozitorët e mëdhenj. Si duo është shumë kombinim i bukur”, ka thënë Shala.

Ata synojnë të vazhdojnë rrugëtimin me të njëjtin repertor edhe jashtë vendit.

“Ne për herë të parë kemi marrë pjesë në ‘DAM fest’, më pas në Lezhë kemi mbajtur një koncert. Ky është i treti që e kemi bashkë dhe mendojmë të vazhdojmë tutje edhe jashtë Kosovës”, ka thënë flautistja Nina Shala, derisa ka treguar se programi ka qenë preferencë e përbashkët e dyshes.

Muzikën flamengo në stil unik dyshja do të vazhdojë ta kultivojë më tej duke e bërë të jehojë edhe në kulturat jashtë vendit.
 

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing