“Një fije shprese, një fije shkrepëse” është përkthyer edhe në gjuhën gjermane

 

Dje u promovua romani “Një fije shprese, një fije shkrepëse” i prozatorit, poetit, dramaturgut, studiuesit dhe eseistit shqiptar Ag Apolloni në Cyrih të Zvicrës.

Romani dokumentar është përshkrim i një vizite të tre shokëve në shtëpinë e nënës Ferdonije, e cila gjatë luftës ka humbur katër djem dhe burrin. Tregimi brenda romanit është udhëpërshkrim dhe mbaron aty ku nis, mirëpo brenda tij gërshetohen edhe tregime tjera që shpalosin histori të përndjekjes, shpërnguljes, dhunimit, vrasjeve, masakrave, pritjes dhe vetëvrasjes. Bashkë me historinë e Ferdonijes, rrëfehet edhe historia e nënës Pashkë, e cila pak ditë pasi iu kthyen mbetjet e dy djemve, bëri vetëvrasje. Po ashtu, e bazuar tërësisht në materiale arkivore, vihet edhe një paralele mes Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Kosovës, përkatësisht mes kampeve të shfarosjes dhe kampeve të shpërnguljes. Në kuadër të plotësimit të mozaikut të tragjedisë kosovare, rrëfehen edhe përvojat personale të tre shokëve, në raport me luftën. Ky dokuroman flet për dhunën e regjimit serb, për intervenimin ushtarak të NATO-s, për personat e pagjetur, për peshën e pritjes dhe rëndësinë e shpresës.