Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“Echos for Future” – kapitull i ri në muzikë korale me “Siparantum Kids”

Kulturë  |  03.08.2023 Ora 10:48   

Kori “Siparantum” e ka çuar emrin e Kosovës në nivelet më të larta të muzikës në botë, por nuk mjaftohet me kaq. Ka hapur shteg edhe për zëra të rinj që janë bërë tok në “Siparanum Kids”. E ky formacion ka debutuar me album. Titullohet “Echos for Future”, njësoj si introja e albumit me 16 këngë, por në esencë i përshtatet edhe misionit të korit e aty është jehona e një gjenerate të re.

“Siparantumi” nuk ndalet. Ende pa u bërë një muaj nga fitorja e madhe në “Word Choir Games” në Korenë e Jugut, ku mori dy medalje të arta, ai vjen me një lajm të ri për “Siparantum Kids”. Ka lansuar albumin e parë të korit të fëmijëve, “Echos for Future” me gjashtëmbëdhjetë këngë.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë dirigjenti i korit, Memli Kelmendi. Teksa ka publikuar edhe kopertinën e albumit, një fushë e kaltër me gjashtë zogj të vegjël ngjyrë të verdhë të vendosur përreth, Kelmendi ka bërë të ditur se disa nga këngët i ka kompozuar enkas për këtë album.

“Me kënaqësi ju njoftojmë se sot lansojmë albumin e parë të korit të fëmijëve ‘Echoes for Future’, të ‘Siparantum Kids’. Ky projekt është fryt i një pune të gjatë, përkushtimit dhe dashurisë së fëmijëve tanë. Albumi përmban 16 këngë të bukura, vepra të kompozitorëve të njohur si Mia Makaroff, Musa Piperku, Pranvera Badivuku, Selami Kolonja, dhe këngë origjinale të kompozuara posaçërisht për këtë projekt nga Memli Kelmendi”, është shkruar në një postim në Facebook. Kelmendi ka publikuar edhe vjegëzën që çon në ueb-faqen e korit “Siparantum”, ku mund të dëgjohet i tërë albumi.

 

Në një deklaratë për KOHËN, Kelmendi ka theksuar rëndësinë e publikimit të një albumi me këngë korale. Sipas tij, kjo mund të ndikojë në zhvillimin e këtij zhanri të muzikës në Kosovë.

“Me faktin që ky është një zhanër specifik, flas për muzikën korale e posaçërisht muzika korale te fëmijët është tepër e rëndësishme sepse nga aty lind edukimi, zhvillohet shija, kultura korale e cila pa dyshim që do të ketë ndikim në zhvillimin e muzikës korale në vendin tonë. Domethënë bazamenti i muzikës korale ndërtohet tek fëmijët”, ka thënë ai.

Në rolin e dirigjentit dhe udhëheqësit të Korit, Kelmendi ka folur edhe për punën që i ka paraprirë lansimit të këtij albumi. Ka dhënë detaje edhe për natyrën e veprave.

“Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim të madh falë dashurisë së madhe të ‘Korit Siparantum Kids’. Ky album përmban këngë të cilat janë të përpunuara, flas për vepra të karakterit koral e po ashtu edhe vepra tradicionale të kulturave të ndryshme botërore, sepse ne kemi dashur të prekim kultura të ndryshme dhe ta lansojmë këtë projekt tejet të rëndësishëm”, ka thënë Kelmendi.

Nisur nga përvoja me grupmosha të ndryshme që ka ai si udhëheqës i korit “Siparantum” dhe atij “Siparantum Kids”, Kelmendi ka thënë se puna me fëmijët është më specifike dhe kërkon tjetër trajtim.

“E dini që muzika korale është tejet specifike, sepse në muzikën korale duhet shumë punë sepse varemi nga puna grupore, e kur flasim për grupomoshat e vogla kjo kërkon përkushtim dhe është një punë krejtësisht delikate e cila kërkon kohë, kërkon disiplinë dhe trajtim tjetër. Po mendoj që ia kemi dalë me suksese, ndonëse këtë projekt e kemi nisur nga viti i kaluar. Jam shumë i lumtur që ia kemi dalë ta realizojmë këtë album”, ka thënë ai.

Albumi nis me intron “Echoes for Future” të kompozuar nga vetë Kelmendi e prej nga e ka marrë emrin edhe vetë albumi. Në të gjenden edhe shtatë këngë të tjera të kompozuara nga Kelmendi përfshirë: “Red Train”, “Biçikleta”, “Loja”, “Lodrat”, “Interneti”, “Green”, “Tokës”. Aty janë edhe kompozime të tjera si ai i Pranvera Badivukut, “Gëzimi pranveror”, Musa Piperkut “Topi”, Selami Kolonjës, “Pse jemi të ndarë”, Mia Makaroff, “Son to the earth” si dhe këngë të njohura si “Hey Ho”, “Banaha”, “One bottle of Pop” e të tjera. Kelmendi ka bërë të ditur se veçantia e këtij albumi qëndron te fakti që ai nuk është i realizuar vetëm në “A cappela” por mbështet edhe në ritmin e instrumenteve të ndryshme.

Por e tërë kjo punë e ky mund i fëmijëve nuk do të mund të realizohej në këtë album po qe se nuk do të ishte Ambasada e Zvicrës në Kosovë. Kelmendi është shprehur mirënjohës për ndihmën teksa ka falënderuar edhe ilustratorin Rron Bajri.

“Pa dyshim unë dua ta falënderoj dizajnerin dhe ilustratorin e albumit, Rron Bajrin i cili i ka dhënë kuptim dhe ngjyrë këtij albumi, por pa dyshim që pa përkrahjen e Ambasadës zvicerane nuk do të kishte qenë i mundur të realizohej. Jemi shumë të lumtur që këtë album po ua sjellim gjeneratave të reja dhe fëmijëve të cilët do të kenë pa dyshim ndikim në muzikën korale në vazhdim”, ka thënë ai.

“Siparantum Kids” u themelua në vitin 2018. Prej atëherë është paraqitur nëpër programe e koncerte të ndryshme. Në ueb-faqen e korit “Siparantum” janë edhe videot e disa performancave të ndryshme të fëmijëve. Varësisht nga ndryshimet që pëson grupi dhe lëvizjes së numrit të pjesëmarrësve, Kelmendi ka bërë të ditur se pjesë e tij janë rreth 30 fëmijë, prej 7 deri 13 vjeç.

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing