Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“Lost Lives” për Irlandën Veriore si mësim pajtimi edhe në Kosovë

Kulturë  |  28.07.2023 Ora 11:16   

Është një rekuiem, një kujtesë rrëqethëse e tmerreve të vërteta të konfliktit tridhjetëvjeçar në Irlandën Veriore. “Lost Lives” nuk merret fare me mosmarrëveshjet politike, por me fate njerëzish. Është shfaqur në Prizren, tek ka dhënë një shembull të ballafaqimit me të kaluarën edhe në Kosovë, si një shteg i domosdoshëm për pajtim.

Rrëfimet e viktimave të konfliktit tridhjetëvjeçar në Irlandën Veriore të pasqyruara me dokumentarin “Lost Lives” janë shpalosur në ekranin e madh të “DokuKinos” në Prizren. Kjo vepër që nuk trajton fare mosmarrëveshjet politike por përqendrohet kryesisht në jetët e atyre që kanë pësuar dhe vdekjet gjatë këtij konflikti, ka prekur publikun prezent në kinemanë e qytetit të vjetër. Shfaqja e këtij dokumentari mbresëlënës poetik është mundësuar nga Ambasada e Britanisë në Kosovë në bashkëpunim me “DokuFestin”.

Filmi “Lost Lives” i vitit 2019 njihet për kinematografinë që lë pa frymë, me një partiturë të fuqishme orkestrale dhe me talentet e pakrahasueshme të yjeve të filmit, duke përfshirë Kenneth Branagh, Brendan Gleeson, Roma Downey, Liam Neeson, Brid Brennan dhe Stephen Rea. Ky film sipas përshkrimit të filmbërësve është më shumë se një histori. Është një rekuiem, një kujtesë rrëqethëse e tmerreve të vërteta të konfliktit të njohur si “Troubles” në Irlandën e Veriut.

Pas shfaqjes së filmit, Boyd McKechnie, bashkëthemelues dhe këshilltar ndërkombëtar në qendrën “Barabar”, ka udhëhequr një diskutim mbi rolin e kinemasë në adresimin e së kaluarës dhe se si ajo mund të informojë të ardhmen dhe po ashtu se si njohuritë nga konflikti në Irlandën Veriore mund të përçojnë mësime për pajtimin në Kosovë. Panelistë në këtë diskutim kanë qenë regjisori, si dhe producenti i filmit Dermot Lavery dhe Michael Hewitt, bashkë me Zana Hoxhën nga “Artpolis” dhe Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

Dermot Lavery para publikut të pranishëm ka sqaruar se si libri i titulluar “Lost Lives” nga grup autorësh ka shërbyer si pikë reference për të dhe për Michael Hewitt, për t’u siguruar se i kanë faktet e duhura. Sipas tij, ky libër është një monument në vetvete që i ka shtyrë ata si filmbërës që të shqyrtojnë mënyrat se si mund të ofrohet drejtësia për këtë vepër.

“Libri përmban listë kronologjike të të gjithë njerëzve që kanë vdekur gjatë asaj që njihet si ‘Troubles’, e që është shumë neutral, me gjuhë të kujdesshme, pa asnjë lloj gjykimi. Ne jemi impresionuar nga kjo dhe me autorët e librit patëm diskutuar mundësinë e krijimit të një filmi, që në njëfarë forme do të pasqyronte shpirtin e librit dhe qëllimin e tij. Nuk e dinim si do ta bënim këtë... Por donim ta bënim, sepse në periudhën pas konfliktit, konflikti vazhdoi në formë tjetër, kishte formë politike apo çështjet thelbësore nuk ishin zgjidhur dhe ne e ndiem se duhet një përkujtues”, ka thënë Lavery.

Image
Pas shfaqjes së filmit, Boyd McKechnie, bashkëthemelues dhe këshilltar ndërkombëtar në qendrën “Barabar” ka udhëhequr një diskutim mbi rolin e kinemasë në adresimin e së kaluarës dhe se si njohuritë nga konflikti në Irlandën Veriore mund të përçojnë mësime për pajtimin në Kosovë

Ai ka pohuar se bashkë me Michael Hewitt kanë studiuar librin si pjesë e përpjekjeve për ta krijuar rrëfimin vizual për ekran.

“Kishim përgjegjësinë që disi të gjejmë raste të caktuara nga historitë për të përfaqësuar gjithë librin, dhe kjo ishte një barrë më vete, por ne e morëm përsipër këtë sfidë”, ka deklaruar Lavery, duke shtuar se gjatë procesit ka pasur ndjenjën sikurse të afërmit e të vrarëve po flisnin nga e kaluara.

Ndërkaq Michael Hewitt ka pohuar se gjatë leximit kanë gjetur rreshta të fuqishëm që kanë përshkruar thellësisht dhimbjen për humbjen e njerëzve të dashur.

“Kanë qenë rreshta që na kanë prekur nga aspekti human... Dhe kjo ndjenjë është diçka universale që mbase vlen kudo, dhe ndoshta këto mësime mund të aplikohen edhe këtu”, është shprehur Hewitt.

Aktivistja dhe regjisorja Zana Hoxha ka bërë të ditur se kjo është hera e dytë që e shikon filmin, dhe se përvoja në ekran të madh është diçka tjetër, shkaku i imazheve të fuqishme të dokumentarit.

“Ajo që me ka prekur te filmi është estetika që nuk i trajton historitë e jetëve të humbura si pjesë e narrativës propaganduese. Dhe mendoj se kjo ka munguar dhe ende mungon te ne. Shumë shpesh punët artistike bien në këtë kurth, duke u shndërruar në mjet propagande për arsye politike ose nacionaliste”, ka thënë Hoxha, teksa ka shtuar se dokumentari e ka shtyrë të mendojë për atë se si memorizohen viktimat që nuk janë më në mesin tonë, por edhe ata që janë gjallë.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë duke folur për përvojën në Kosovë dhe në rajon ka shprehur qëndrimin se pjesa më e madhe e punës që është bërë në memorizim ka qenë disi e ndarë në vija etnike.

“Mendoj se nëse bëhet memorizimi i duhur, përfshirës, atëherë procesi i pajtimit nuk dëmtohet”, ka deklaruar ai, ndërkohë që ka përmendur shembuj konkretë nga puna në këtë drejtim, qoftë përmes publikimit të “Librit të kujtimit” apo edhe ekspozitës “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë”, e hapur në majin e vitit 2019, në bibliotekën “Hivzi Sulejmani”në Prishtinë me dëshmi e gjësende të fëmijëve të vrarë në luftën në Kosovë më 1998/1999. Sipas tij, para publikimit të librit ka pasur “këshilla” që të vrarët të ndahen në dy libra.

“Natyrisht se ne nuk u pajtuam me këtë. Pasi e botuam librin, të gjithë, edhe ata që na 'këshillonin' që ta bënim këtë ndarje, ishin mjaft të interesuar për të lexuar për të gjithë të vrarët”, ka treguar Blakaj.

Gjatë konfliktit tri-dekadash në Irlandën Veriore, gjatë të shtënave dhe bombardimeve u vranë rreth 3700 persona, shumica e të cilëve ishin civilë. Emrat e këtyre të vrarëve figurojnë në librin “Lost Lives”, por edhe në dokumentarin me të njëjtin titull./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing