Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“DokuFesti” mat pulsin në Prishtinë, pret mbi 50 mijë vizitorë në Prizren

Kulturë  |  27.07.2023 Ora 11:21   
 

Me filma prej “The Future is Here” - programit trajnues ku gjenerata e re prodhon vepra kinematografike, “DokuFesti” është stacionuar në Prishtinë, për të zbuluar një grimë prej asaj se çfarë do të sjellë me edicionin e sivjetmë prej 4 gushtit në Prizren. Organizatorët janë optimistë për një edicion të jashtëzakonshëm. “Nga informatat që kemi deri më tash, mendoj se do ta tejkalojmë numrin e vitit të kaluar. Ka qenë diku ndërmjet 30-35 mijë vizitorë. Ne presim të rikthehemi në disa shifra të para pandemisë, që kanë qenë diku mes 50-60 mijë”, ka thënë drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari.

Dhjetë ditë para se të nisë edicionin e 22-të, festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” ka zbarkuar në Prishtinë. Ka sjellë pak nga magjia që premton të shfaqë këtë vit teksa ka shfaqur tetë filma. Kjo është hera e parë që “DokuFesti” organizon një ngjarje të formatit të tillë. E sa u përket pritshmërive të këtij viti, organizatorët janë shprehur optimistë. Kanë shpresa se do t’i kapërcejnë shifrat e vitit të kaluar. Slogani “Unë jam IA a jam” në gjuhën shqipe, respektivisht “I am AI am I” në gjuhën angleze, është tema e sivjetme e “DokuFestit” që vjen si shtysë për kuptim, ndërkohë që ka edhe pyetje të tjera që shtrohen për diskutim. Gjurmon pikërisht marrëdhënien midis njeriut dhe inteligjencës artificiale.

“Pleace pick up”, ka qenë filmi i parë që ka ndezur ekranin në ngjarjen që në oborrin e Qendrës për Praktika Narrative, të martën mbrëma. Filmi vjen nën regji të Nea Zekës, e cila është studente e gjeneratës së 11-të të programit të trajnimit të filmit “The Future is Here” (E ardhmja është këtu). Në 6 minuta e 34 sekonda, filmi tregon historinë e një vajze e cila nëpërmjet narracionit tregon përpjekjet për ta ndihmuar shoqen e saj të varur nga droga. Filmi është i ndarë në disa pjesë të cilat në të vërtetë tregojnë fazat e kësaj shoqërie dhe varësinë përherë e më të madhe nga droga.

Në kuadër të “The Future is Here” u dha edhe filmi “AR-RHYTHMIC” nën regji të Albina Konjuhit dhe Jona Pirevës. Dy regjisoret e reja kthejnë në film përvojën e tyre, përkatësisht atë të shkollave të tyre. Albina kishte kryer shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë, ndërsa Jona shkollën e muzikës “Prenk Jakova”. Por, e veçanta e kësaj është që të dy shkollat gjenden në të njëjtin objekt. Nëpërmjet ekranit të ndarë në dy pjesë, filmi shfaq në formë paralele dy shkollat, aktivitetet dhe problemet që shkakton mësimi në të njëjtën ndërtesë. Teksa nxënësit e stomatologjisë shfaqen duke punuar disa dhëmbë, në sfond dëgjohet pianoja që vjen nga pjesa tjetër e objektit.

 

E, tetëmbëdhjetëvjeçarja nga Prizreni, Hena Krasniqi, rrëfen historinë e gjyshit të saj. “Gjyshi im – nxënësi në bankë” e kthen kohën te vitet ’90 në Kosovë, atëherë kur pushteti serb kishte larguar me dhunë nxënësit nga shkolla. Përmes një sërë fotografish, tregohet se si vullnetarë të shumtë nga Prizreni morën iniciativë të ndërtonin banka të reja dhe t’i dërgonin nëpër vende të ndryshme ku mbahej mësimi asokohe.

Shfaqja e këtyre filmave në Prishtinë ka pasur si qëllim nxitjen e publikut për të vizituar “DokuFestin” këtë vit. Shfaqjen e një programi të zgjedhur, nga ai që parashihet të shfaqet në “DokuFest” në Prizren, organizatorët do ta bëjnë edhe në Tiranë, atje ku një gjë e tillë veçse është kthyer në traditë.

“Qëllimi kryesor është që të vijmë dhe të ambientohemi, shoqërohemi e të sjellim një xixë të asaj se çfarë mund të pritet. Natyrisht që ideja është që të animojmë që dikush edhe të vijë. Ne në këtë program për një kohë të gjatë e bëjmë në Tiranë. Ideja ishte që të vijmë edhe në Prishtinë paraprakisht. Pas dy ditësh do të jemi në Tiranë e në fund do të takohemi në Prizren”, ka bërë të ditur drejtori artistik i Festivalit, Veton Nurkollari.

Teksa ka folur për pritjet për këtë vit, Nurkollari është shprehur tejet optimist. Presin ta tejkalojnë numrin e vizitorëve të vitit të kaluar e sfidë është ende rikthimi në numrat e edicioneve të para pandemisë.

“Nga informatat që kemi deri më tash, mendoj se do ta tejkalojmë numrin e vitit të kaluar. Ka qenë diku ndërmjet 30-35 mijë vizitorë. Ne presim të rikthehemi në disa shifra të parapandemisë që kanë qenë diku mes 50-60 mijë. Mendoj që ky vit mund te jetë ai vit sepse ka indikacione dhe informata që ka mjaft të interesuar. Sa u përket informatave që ne dimë dhe me të cilat operojmë, është një vit i jashtëzakonshëm”, ka thënë ai.

Ka lavdëruar filmat që janë shfaqur në kuadër të programit “The Future is Here”. Nuk ka lënë pa përmendur faktin që kjo ishte hera e parë që këta regjisorë, kanë krijuar një film.

“Ne sollëm vetëm një pjesë të vogël të asaj se çfarë mund të pritet në ‘DokuFest’. Në kuadër të këtij programi këtu kanë qenë edhe tre filma që kanë qenë prodhimi ‘DokuFestit’ ose i programit ‘The Future is Here’. Filmbërësit janë në fakt në moshë të re dhe nuk kanë bërë filma më parë, kështu që jemi shumë të kënaqur me atë se sa kanë mbërritur ta përthekojnë, mbledhin atë dijeni që ne jemi munduar me ua përcjellë”, ka thënë Nurkollari.

E përveç këtyre filmave, “DokuFest” ka shfaqur edhe disa filma të tjerë nga programe të veçanta të festivalit, por që për arsye të politikave të festivalit, nuk është lejuar që të zbërthehet diçka më shumë rreth tyre.

“Kemi shfaqur edhe disa filma të tjerë që janë pjesë e disa programeve të veçanta në ‘DokuFest’. Dy prej tyre janë në një program që ka të bëjë me kinemanë, historinë, me shumë sende që lidhen me kinemanë. Në fund patëm një film nga Tanzania. Rrallë na vijnë filma prej vendeve të tilla ku nuk dimë gjë për kinematë e tyre ose me pa fascinimin e tyre me kinemanë dhe çfarë bëjnë për të parë filma”, ka thënë Nurkollari.

Ka folur edhe për programin e këtij viti ku tema kryesore është: “Unë jam IA a jam”. Ka bërë të ditur se program i veçantë do t’i dedikohet regjisorit britanik, Louis Henderson si dhe atij gjerman, Jürgen Böttcher.

“Janë rreth 230 filma që do të shfaqen, prej tyre 104 në tetë programe garuese, pjesa tjetër janë filma që janë kuruar enkas për këtë edicion, qoftë nga festivali, qoftë nga programerat mysafirë, kështu që kemi program të veçantë për një filmbërës interesant nga Britania e Madhe, Louis Hendersen. Një program të vogël me vetëm dy filma që i kushtohen një filmbërësi në moshë, e që vijnë nga një regjisor nga Gjermania si dhe filma të tjerë që kanë të bëjnë me probleme që ndodhin: luftën, problemet klimatike apo me të drejtat e njeriut, gjëra që në ‘DokuFest” trajtohen tash e një kohë”, ka thënë ai.

Shfaqjen e filmave në Prishtinë e ka vlerësuar edhe Rita Zhubi e cila është vizitore e rregullt e “DokuFestit”. Ka thënë se një gjë e tillë e nxit shikuesin të shkojë në Prizren.

“Ka qenë një rast shumë i mirë për ta parë se çka përmban ‘DokuFesti’ dhe që gjithqysh me marrë pjesë. Pashë filma eksperimental, pashë filma të 16-18-vjeçarëve, gjë që tregon potencialin që kanë të rinjtë. Mund të them që ishte një event shumë i mirë, gjithqysh bindës për të qenë pjesë e ‘DokuFestit’”, ka thënë Zhubi./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing