Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Kosova me përfaqësim të trefishtë në Festivalin e Filmit në Venecie

Kulturë  |  26.07.2023 Ora 10:40   
 

Në jubileun e më të vjetrit festival filmi në botë, filmi i Kosovës do të përfaqësohet trefish: me filmin “Bota jonë” të Luana Bajramit që është bashkëprodhim midis Francës e Kosovës, me filmin e shkurtër “A Short Trip” nën regji të Erenik Beqirit nga Shqipëria ku luan edhe aktori nga Kosova me nam botëror Arben Bajraktaraj, dhe me “House keeping for beginners” nën regji të maqedonasit Goran Stolevskit, ku luan aktorja Rozafë Çelaj.

Edicioni i sivjetmë i Festivalit më të vjetër të filmit në botë, atij të Venecias, është krejt i veçantë. Do të jetë festë më vete pasi shënohet edhe 80-vjetori i ngjarjes që ruan traditën e historinë e kinematografisë e edhe të kohëve të turbullta kur bota pa tragjedi globale si Lufta e Dytë Botërore. Gjurmët e tilla i ruan edhe ngjarja që zë vend në qytetin e njohur për ishujt e urat ikonike. Sivjet shenjë në Venecie do të lërë edhe bota e kinematografisë shqiptare. Dhe atë në jo pak raste.

Filma “Bota jonë” nën regji e me skenar të Launa Bajramit do të jepet në kategorinë “Orizzonti Extra”. Bashkëprodhimi kosovaro-francez në 94 minuta do të shpalosë një rrëfim të rinjsh. Bajrami do të jetë e pranishme në këtë ngjarje edhe si aktore. Është pjesë e kastës së filmit “A Short Trip” nën regji të Erenik Beqirit nga Shqipëria që jepet në kuadër të kategorisë “Orizzonti”. Në këtë film prej 17 minutash luajnë edhe aktori nga Kosova me nam botëror Arben Bajraktaraj e edhe aktori nga Shqipëria, Tristan Halilaj. Ndërsa për ta plotësuar triptikun e pranisë së botës shqiptare të filmit në Venecia, atje do të jepet “House keeping for beginners” nën regji të maqedonasit Goran Stolevskit, ku luan aktorja Rozafë Çelaj. Ky film është bashkëprodhim minor midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Producente e këtij filmi nga Kosova është Blerta Basholli.

Edicioni i sivjetmë i Festivalit numëron gjithsej tetë kategori, duke përshirë atë të filmave klasikë që janë restauruar dhe programin me projekte kinematiografike që nuk janë në konkurrencë. Nis më 30 gusht e përfundon më 9 shtator.

“Zoé dhe Volta kanë qenë së bashku që nga fëmijëria. Ata largohen nga fshati i tyre i lindjes për të studiuar në qytet. Të sinqertë dhe plot ëndrra, ata miqësohen me një grup të rinjsh rebelë, anti-sistem dhe të vendosur për ta bërë të njohur”, shkruhet në sinopsisin për filmin “Bota jonë” të Luana Bajramit me producente Valbona Rrahmanin.

Ky projekt kinematogarfik është financim i Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe “Aide au Cinéma du Monde”. Rrjedhimisht është bashkëprodhim i Kosovës me Francën si filmi i parë i realizuar pas nënshkrimit bilateral të marrëveshjes për bashkëprodhim filmik me shtetin e Francës, vitin e kaluar.

Kastën e ka uruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Me filmin e saj debutues si regjisore ’Luaneshat e Kodrës’, Luana kishte garuar në Festivalin e Kanës në vitin 2021. Me përzgjedhjen e filmit të saj të dytë në Festivalin e Venedikut këtë vit, po dëshmohet se me potencialin si kineaste, emri i saj do të përmendet për shumë kohë në industrinë kinematografike botërore. Suksese në garë Luanës, Valbonës, Uratës, Elsës, Albinës, Donit, Aurorës, Ganisë dhe Armendit”, ka shkruar kryeministri Albin Kurti në Facebook.

Dy vjet më parë regjisorja Bajrami ia kishte dalë që me filmin e parë të metrazhit të gjatë të mbërrinte në atë që njihet si festivali i festivaleve. “Luaneshat e Kodrës” nuk ishte në garën kryesore, por në atë për “Kamerën e Artë”, që ndahet për regjisorët debutues në kuadër të programeve përcjellëse të Festivalit të Cannes.

Atë vit, në garën kryesore Kosova bëri histori me filmin e shkurtër “Pa Vend” të Samir Karahodës, që garoi për “Palmën e Artë”.

Përderisa zërat e kinematografisë shqiptare asokohe në Cannes kishin përfaqësim të dyfishtë, sivjet në Venecie do të kenë përfaqësim të trefishtë.

Rozafë Çelaj, e cila luan si pjesë e kastës kryesore te filmi “House keeping for beginners” nën regji të maqedonasit Goran Stolevskit, ka treguar se ajo portretizon një vajzë homoseksuale e cila jeton në shtëpinë e Ditës (Anamaria Minca) e cila shndërrohet në një hapësirë të personave të komunitetit “queer” të cilët nuk kanë ku të shkojnë tjetër.

“Përveç përvojës se mrekullueshme që pata nga xhirimet e këtij filmi, jam shumë e lumtur që filmi do të shfaqet në një ndër festivalet më të mëdha të filmit”, ka thënë Çelaj.

Drejtoresha e Qendrës Kinematogrfike të Kosovës, Blerta Zeqiri, ka thënë se pjesëmarrja e Kosovës në Festivalin e Filmit në Venecia me dy filma të prodhuar me financim nga QKK-ja paraqet një moment historik për filmin kosovar. Ka përmendur rastet që kanë bërë histori në Cannes më 2021 e më pas edhe marrëveshjen e bashkëprodhimit midis Kosovës dhe Francës .

“Dy vjen më vonë po paraqitemi po aq fuqishëm në Festivalin më të vjetër në botë, Festivalin e Filmit në Venedik. Dhe atë me filmin e parë që kemi bashkëprodhuar me Francën pas marrëveshjes bilaterale të bashkëprodhimit”, ka thënë Zeqiri. Sipas saj, kjo tregon bindshëm se ngadalë e me punë të palodhshme të komunitetit dhe me vullnet politik, filmi në Kosovë po vë themelet e krijimit të një industrie të re, e cila në të ardhmen e afërt do të jetë shumë profitabile për shtetin.

“Me hyrjen ne fuqi të ligjit të ri dhe me krijimin e lehtësirave financiare për investime nga jashtë, çdo paraqitje në festivale prestigjioze të filmit hap mundësi të reja bashkëpunimi në mes të kompanive të produksioneve të Kosovës dhe botës. E shoh shumë të bukur zhvillimin ekonomik që mund të sjellë industria e filmit në Kosovë, sepse kështu bëjmë zhvillim ekonomik të vendit me punën më fisnike që mund të ekzistojë: me krijim artistik, me shkrim të historisë dhe me ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore të kombeve që jetojnë në shtetin tonë të ri”, ka thënë Zeqiri. Sipas saj, krejt kjo është punë fisnike sepse zhvillohet ekonomia me anë të artit e kulturës, “e jo me ndërtimin e fabrikave të ndryshme të cilat ndotin ambientin me prodhimet e tyre”.

Kosova i kthehet Festivalit të Venecias pas dy vjetësh. Më 2021 ishte e pranishme me historinë e jashtëzakontë të një gruaje 64-vjeçare që interpreton gjuhën e shenjave në filmin “Vera andrron detin” nën regji të Kaltrina Krasniqit e me skenar të Doruntina Bashës. Ishte po në kategorinë “Orizzonti”. Kishte marrë dy çmime nga platforma që bashkëpunojnë me festivalin. Është ajo që njihet si kinema e zgjatur, “Venezia a Napoli. il Cinema Esteso” që i kishte ndarë Çmimin e regjisë më të mirë për autorët nën moshën 40-vjeçare, Kaltrina Krasniqit. Po ky film kishte marrë edhe “Prize for the inclusion Edipo Re” (Çmimi i gjithëpërfshirjes, Edipo Re) që u jepet figurave globale të filmit, që kanë dalluar veten për një qasje gjithëpërfshirëse ndaj krijimit të filmit.

Sivjet Festivali i Venecias do të hapet me filmin “Challengers” nën regji të italianit Luca Guadagnino./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing