Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Festivali Ndërkombëtar i Operës “Ramë Lahaj” e ka bërë sheshin qendror të Prishtinës skenë të kryeveprave operistike e yjeve të këtij arti. Të paktën të dielën kur edhe u mbajt koncerti “Ramë Lahaj & Friends” duke e nisur maratonën e ngjarjeve muzikore të edicionit të sivjetmë të Festivalit. Ariet e operave “La Traviata”, “Makbethi”, “Tosca”, “Romeo dhe Zhulieta” dhe jo vetëm, janë zbërthyer mjeshtërisht në numër prej mbi tre mijë vetash. Kanë qenë gërshetim i së bukurës e madhështores. Mbi të gjitha, gjatë pjesëve përrallore që zhysin në rrugëtimin imagjinar mes tingullit, paraqitjes, madje inskenimit aty për aty të ndonjë pjese edhe me aktrim. Me ato është dëshmuar se opera kapërcen bllokimin. Po sikurse motoja e edicionit të sivjetmë, “Operë për Liri”.
Qysh një ditë më parë kanë nisur të vendosen shenjat e koncertit në sheshin “Skënderbeu”, sikurse edhe të paralajmërohet një koncert madhështor. Të shtunën provat kanë zgjatur deri vonë, sikurse edhe deri disa çaste para paraqitjes para publikut, tek i cili mund të vërehej entuziazmi që para futjes në rrethojat e zonës ku do të zhvillohej ngjarja.
Ishin dritat majë skenës që shkëlqimin e ngjarjes e paralajmëronin deri larg, sikurse edhe ekranet që transmetonin efektet vizuale. Dy të tillë anash skenës kanë qenë të dedikuar për pamje më të qartë për publikun e numërt, që nuk mund të përcaktohet vetëm nga numri i biletave të shitura. Shumë prej tyre, koncertin e kanë ndjekur nga shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Në ambient të hapur, magjia operistike botërore ka nisur me prelud nga “Carmen” të francezit Georges Bizet. Orkestra e Filharmonisë së Kosovës ka hapur programin me pjesën emocionuese ku rolin kyç e kishin harkorët. Me ngritjen e intensitetit edhe është shtuar melankolia brenda saj. Me paraqitjen e saj, orkestra ka dëshmuar profesionalizmin edhe në një tjetër paraqitje. Ka interpetuar gjithashtu “Intermezzo” nga “Cavalleria Rusticana” të italianit Pietro Mascagni. Më pas, pjesën e dashur për të, “No puede ser”, të cilën tenori Ramë Lahaj e interpreton gjithandej, ia ka shpalosur edhe publikut prej nga vjen.
Mozaikun e programit e ka përmbushur baritoni italian, Massimo Cavalletti me “Largo al factotum” nga opera “Il Barbiere di Siviglia” të italianit Gioachino Rossinit e “Pieta, rispetto, amore” nga “Macbeth” e Verdit. Sopranoja ukrainase, Yulia Suleimanova, ka interpretuar pjesën e famshme “Je veux vivre” nga “Romeo et Juliette” e francezit Charles Gounod.
Me udhëheqjen e tij, dirigjenti italian, Pier Giorgio Morandi, ka lënë shenjat e traditës operistike në institucionin shtetëror të muzikës klasike, Filharmoninë e Kosovës. Sipas tij, orkestra ka qenë tejet bashkëpunuese, derisa anëtarët e saj të gatshëm për të ndjekur të gjitha traditat italiane operistike.
“Janë muzikantë të rinj, shumë të talentuar. Shpresoj se edhe në të ardhmen do të mund të punojmë sërish së bashku. Ata nuk luajnë operë, sepse janë orkestër simfonike, por bëmë punë të jashtëzakonshme së bashku. Ata ishin të gatshëm të ndjekin të gjitha traditat italiane operistike”, ka thënë Morandi, oboist dhe dirigjent italian, veçanërisht i operës italiane të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XX. Ai ka vlerësuar se edhe pse të rinj, instrumentistët e Filharmonisë janë shumë të talentuar.
“Sonte patëm koncertin fantastik këtu në Prishtinë. Ishte kombinim i jashtëzakonshëm me Orkestrën. Ishim shumë entuziastë dhe krijuam lidhje shumë të mira së bashku. Janë muzikantë të rinj, shumë të talentuar. Shpresoj se edhe në të ardhmen do të mund të punojmë sërish së bashku”, ka thënë dirigjenti Morandi, i cili pasi kishte luajtur si oboist kryesor në “La Scala” të Milanos, u kthye në dirigjim, duke mbajtur poste në Teatrin e Operës në Romë, në Operën Shtetërore Hungareze në Budapest dhe në Operën Mbretërore Suedeze.
Ramë Lahaj në skenë, bashkë me sopranon Suleimanova, janë zhytur në magjinë e operës me interpretimin e “Parigi o cara” nga opera “La Traviatta” e Giuseppe Verdit. Ka qenë rrëfim emocional e romantik duke i krijuar publikut ndjesinë e një shfaqjeje të vërtetë opere. “Il Bacio” e italianit Luigi Arditi ka qenë tjetër rrëfim muzikor i saj nëpërmjet së cilës ka përcjellë emocione të veçanta te publiku. Me “Ditte alla giovine...” nga opera “La Traviatta” ka zbuluar një tjetër perlë nga repertori italian i operës, bashkë me baritonin italian Massimo Cavalletti.
Një kapitull i veçantë ka qenë interpretimi i Ramë Lahajt. Çdoherë mjeshtëror, me qëndrim të veçantë, mbi të gjitha me virtuozitetin në skenë dhe afërsinë me publikun. Kësisoj ka interpretuar “E lucevan al factotum” nga opera “Tosca” të Puccinit e “Au fond du temple saint” nga opera “Les Peucheurs de Perles” të francezit Bizet, bashkë me Cavallettin.
Tenori Ramë Lahaj ka interpretuar edhe kolazh me këngë popullore shqiptare si “Kroi i fshatit tonë”, “Po ti ça i ke than dikuj” dhe “M’ka shku menia me u fejue”. Entuziazmi i publikut dhe dashuria në interpretim është dalluar në kapitullin për këngën shqipe.
Pjesa “Berberi i Sevljës” qe njohja e parë e baritonit Cavalleti me publikun në Prishtinë. Pjesëmarrjen në koncert e ka vlerësuar si ngjarje të veçantë për të.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu në Prishtinë dhe që kam bashkëpunuar në një ngjarje kaq të veçantë. Uroj vërtet që opera lirike në Kosovë të ketë një teatër të vërtetë. Jemi këtu prej dy ditësh, kemi pasur kënaqësinë dhe rastin të dëgjojmë Ramën të këndojë këto këngë të mrekullueshme të kulturës suaj. Shpresojmë se do të mund të kthehemi dhe të shijojmë më shumë këtë eksperiencë”, ka thënë Cavalletti i cili me zërin e tij të pasur dhe të fuqishëm prej baritoni dhe me aktrimin e tij, ka pushtuar skenat e operave dhe festivaleve më prestigjioze në mbarë botën, duke përfshirë “Metropolitan Opera New York”, “Teatro alla Scala”, “Royal Opera House Covent Garden”, Opera Shtetërore e Vjenës, Opera Shtetërore e Berlinit, Opera e Zyrihut dhe Festivali i Salzburgut.
Ai është shprehur se do të donte të kthehej të luante në një operë komplete që do të ishte produksion i Operës së Kosovës.
“Kjo do të ishte perfekte, nëse do të mund të arrinim të realizonim operën këtu, do të ishte diçka vërtet e mrekullueshme. Kosova ka anëtarët e saj që janë të rinj e më pak të rinj, të gjithë interesantë, do të ishte interesante për të parë se si publiku do të reagonte për ne në një shfaqje të plotë”, ka thënë baritoni italian.
Ylli botëror i operës, Alessandro Safina, ka qenë njëri prej kryepersonazheve në skenë. Ka rrëfyer nëpërmjet interpretimit melankolik të pjesës “Parla Piu Piano” dhe atij romantik të “Besame Mucho”.
Interpretimi i tij ka kulmuar me “Luna”. Për pjesën “Dicitencello Vuje” të italianit Rodolfo Falvoka ka ndarë skenën me tenorin Lahaj me interpretim të fuqishëm.
Solistët janë bashkuar në përmbyllje të kapitullit të parë të programit muzikor të edicionit të tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Ramë Lahaj” me “Brindisi” nga “La Traviata”. E kanë kthyer skenën në podium vallëzimi për një çast, e në një akt shfaqjeje të operës me aktrimin e tyre.
Në skenë, Safina është shfaqur duke bartur broshin me hartën e Kosovës. “Është një dhuratë nga Rama që ma dhuroi me ardhjen në Prishtinë dhe unë e vendosa me shumë kënaqësi”, ka thënë ai, derisa është shprehur gjithashtu se ka ndier një lidhje me publikun në Kosovë.
“Çdoherë që interpretojmë në një qytet për herë të parë, është gjithmonë një emocion i veçantë, publik shumë i bukur. Ata kënduan bashkë me ne dhe më vjen mirë që ata i njohin këto pjesë. Kemi raport shumë të mirë me Ramën dhe shpresojmë se nga kjo të kemi bashkëpunime të tjera”, ka thënë tenori i skenave botërore, Alessandro Safina.
Ai filloi të studionte muzikë kur ishte nëntë vjeç dhe ndoqi akademinë e muzikës në moshën 12-vjeçare. Në vitin 1989, ai fitoi garën "Concorso Lirico Internazionale" në Manatova të Italisë dhe kjo çoi në debutimin e tij në opera. Në vitin 1990, ai u shfaq me sopranon Katia Ricciarelli si Rodolfo në “La bohème” të Puccinit.
Në nëntor të vitit 2001, Safina këndoi “Music of the Night” të Andrew Lloyd Webber për Mbretëreshën Elizabeta e Dytë gjatë “Royal Variety Shoë”.
Muzikologia e kryetarja e Këshillit Drejtues të Operës së Kosovës, Rreze Kryeziu-Breznica, e ka vlerësuar si platformë jo të zakonshme formatin e koncertit “Ramë Lahaj & Friends”.
“Në një koncert të hapur, natyrisht se sillen disa prej arieve, romancave më të popullarizuara të literaturës operistike dhe jo vetëm, arie të operave të cilat për një numër të madh të publikut janë të njohura. Janë edhe si një lloj sensibilizimi për ata të cilët nuk i kanë dëgjuar deri më sot duke marrë parasysh që ne tashmë kemi të funksionalizuar edhe institucionin e Operës së Kosovës si një nga mbështetësit kyçë të këtij aktiviteti”, ka thënë Kryeziu-Breznica.
Mjeshtri i vokalit, tenori meksikan, Jose Francisco Araiza, e ka vlerësuar repertorin të zgjedhur me kujdes. “Njerëzit me siguri se kanë dëgjuar disa prej tyre për herë të parë apo tani veçse janë futur brenda asaj se çfarë opera vërtetë nënkupton. Mendoj se ka qenë program shumë i mirë, pasi i është dedikuar publikut, që e ka pëlqyer shumë me sa kam mundur të shoh. Ishte atmosferë shumë e mirë”, ka vlerësuar ai.
Ka thënë se me koncertin ka parë të ardhmen e Operës së Kosovës. Kjo, pasi ai po mban një masterklasë me muzikantët e rinj të Kosovës në kuadër të “RLIOF”. “Mendoj se është një e ardhme e ndritshme. Pjesëmarrësit në masterklasë janë të rinj, janë mes oqeanit të karrierës. Duken të uritur për të mësuar, të zhvillojnë aftësitë. Jam shumë i lumtur për ta, sepse janë në një vend që po shkojnë drejt një arti në zhvillim”, është shprehur ai.
Program po kaq të larmishëm sa koncerti “Ramë Lahaj & Friends” ka paralajmëruar koordinatorja e programit artistik të Festivalit, sopranoja Ulpiana Aliaj, edhe në koncertet e radhës në kuadër të edicionit të sivjetmë.
“Besoj se programi ka pasur një gjithëpërfshirje, ka qenë i larmishëm duke filluar që nga një repertor klasik tradicional, nga opera Tosca, apo të tjerat dhe më pas kaluam në një repertor pak më demokratik që kulmoi me kolazh të punuar mjeshtërisht nga Gerti Druga që u interpretua nga tenori Lahaj”, ka thënë Aliaj.
Me rrugëtimin operistik, koncerti “Ramë Lahaj & Friends” ka dëshmuar se arti i operës nuk njeh kufizime, pikërisht si motoja e Festivalit – “Operë për Liri”./koha/