Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Aftësia e një kompjuteri digjital ose një roboti të kontrolluar nga kompjuteri për të kryer detyra që zakonisht lidhen me qeniet inteligjente dhe njeriun do të jenë në qendër të vëmendjes në edicionin e 22-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”.
Tema dhe identiteti vizual për edicionin e sivjetmë janë shpalosur të enjten, duke ruajtur kështu traditën e festivalit për shqyrtimin e çështjeve urgjente që preokupojnë botën sot. Kësisoj, sivjet sërish përmes filmave dhe jo vetëm, do të trajtohet raporti ndërmjet njeriut dhe inteligjencës artificiale.
“Tema e këtij viti të ‘DokuFestit’ do të jetë pikërisht marrëdhënia mes njeriut dhe inteligjencës artificiale. Duke marrë shkas edhe prej temës së vitit të shkuar, ku në qendër kishim vëzhgime dhe pikëpyetje ekzistenciale mbi njerëzimin në krizë, këtë vit festivali rikthehet me një tjetër dilemë globale, që na nxit të eksplorojmë dhe mundohemi të kuptojmë ndikimin dhe pasojat e këtij zhvillimi teknologjik, në të ardhmen tonë”, thuhet në njoftimin e publikuar në ueb faqen e “DokuFestit”.
Slogani “UNË JAM IA A JAM” në gjuhën shqipe, respektivisht "I AM AI AM I" në gjuhën angleze, vjen si shtysë për kuptim, ndërkohë që ka edhe pyetje të tjera që shtrohen për diskutim.
“Vetëdija njerëzore është një trashëgimi e paprekshme për universin dhe procesin evolutiv që njohim, e kanosur për zhdukje, jo domosdoshmërisht për shkak se inteligjenca artificiale mund të pretendojë të kontrollojë botën, sesa prej krizave klimatike të shkaktuara nga inteligjenca njerëzore, e shumëzuar së bashku. ‘I AM AI AM I’ është një shtysë për të na nxitur të kuptojmë natyrën themelore të inteligjencës artificiale, përballë ekzistencës njerëzore. A do të mundet që AI të shprehë ekzistencën vetjake dhe të zhvillohet si një inteligjencë e re dhe e ndarë nga ajo njerëzore? Nëse AI është një arkiv, a do të jetë në gjendje të na udhëzojë mbi vlerat që e formësojnë identitetin tonë njerëzor?”, ka bërë të ditur “DokuFest”.
Sipas këtij njoftimi, përmes filmave, të cilët në një mënyrë a tjetër trajtojnë tematika të lidhura me inteligjencën artificiale, filmit hapës e mbyllës, një dite të plotë të programit dedikuar AI-së dhe zhvillimit të identitetit pamor dhe fushatës së punuar pjesërisht me ndihmën e AI dhe ChatGPT, festivali synon dhe fton në zhvillimin e debatit në lidhje me një temë të gjerë aktuale sa i përket marrëdhënies së njerëzores me teknologjinë.
Identiteti pamor i fushatës sivjet është zhvilluar nga Ali Cindoruk i Zyrës Khora.
“Gjëegjëza e koduar ‘I AM AI AM I’ është një ndërveprim simetrik midis një shprehjeje ekzistenciale letrare dhe natyrës binare të habitatit llogaritës të AI, që të dyja janë krijime njerëzore të bazuara në gjuhë. Fjalori pamor i modeleve me shumë shtresa të bazuara në glifet dhe karakteret alfanumerike i jep thellësi historike dhe futuristike dizajnit, në emër të mjeteve të hershme grafike të llogaritjes dhe një morie mundësish që ka e ardhmja e AI”, thuhet në njoftim.
Drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari, ka bërë të ditur se sivjet festivali i kushton rëndësi aspektit të teknologjisë në shumë forma. Ai ka shprehur bindjen se edhe filmbërësit janë në hap me inovacionin, veçanërisht me inovacionet në teknologji.
“Ndoshta është mirë të përmendim që në dy gara të ndara do t’i kemi dy filma, ngjarja e të cilëve ndodh tërësisht përbrenda videolojërave. Ashtu që në thelb kemi dy filma që janë videolojëra, por që e kanë tregimin e vet, e që përdorin gjuhën e filmit, por që ngjarja ndodh në sferën digjitale.
Gjithashtu ka edhe shumë gjetje të tjera dhe forma se si përdoret teknologjia, por ka edhe filma që janë për teknologji. Mbi të gjitha këto, ne do t’i kushtojmë edhe një vëmendje të veçantë inteligjencës artificiale, prej identitetit vizual të temës, gjetjeve të tjera, diskursit edhe debateve që do të ndodhin, pra teknologjia, ose ku jemi ne dhe ku është filmi, si dhe ku është shoqëria në raport me këto zhvillime të reja do të ketë një fokus të veçantë në këtë edicion”, është shprehur Nurkollari.
Javën e shkuar “DokuFesti” ka publikuar listën e filmave që do të garojnë për çmimet e këtij viti. Në edicionin e 22-të të këtij festivali në tetë programet garuese do të shfaqen gjithsej 104 filma, përfshirë këtu një numër sish që do të kenë premierat e tyre. Prej asaj dite janë zbuluar edhe përmbajtjet e disa programeve të tjera, që më vete sjellin krijimet më të fundit nga sfera e dokumentarëve dhe atyre të shkurtër. Përpilimi i tyre nuk ka qenë i lehtë, për organizatorët, marrë parasysh interesimin e madh të filmbërësve nga 111 shtete të botës që kanë aplikuar me afërsisht 3,500 filma, që sipas drejtuesve të “DokuFestit” përbën një rritje prej 22 për qind në krahasim me aplikimet e vitit të shkuar. Në edicionin e 22-të pritet të shfaqen gjithsej rreth 240 filma dokumentarë dhe të shkurtër./koha/