Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Krejt në hyrje të ndërtesës që përbëhet nga 64 klasa nis e del në pah arti i nxënësve. E klasat janë përplot me punime filloristësh. Shkolla fillore “Vaso Pashë Shkodrani” në Pejë lirisht mund të kualifikohet si vend ku shpërfaqet kreativiteti i shumëfishtë. Nxënësit kanë lënë gjurmët e tyre gjatë vitit të kaluar shkollor.
Prej vitit të kaluar ndërtesa përdoret edhe nga instituti i artit bashkëkohor “Arkiv”. Me nismën e artistit pejan me nam botëror, Sislej Xhafa, vjet e sivjet aty zhvillohen aktivitete. Programi do të jetë një histori më vete posa nxënësit të zhvendosen në ndërtesës e re shkollore prapa asaj ekzistuese që daton qysh nga vitet pas Luftës së Dytë Botërore.
Kur shikohet me kujdes, imazhet e grave sikur janë bërë murale nëpër ndërtesë. Nëpërmjet ekspozitës “Sorrë”, e hapur në pjesën e parë të këtij muaji, artistja malazeze Milena Joviqeviq nëpërmjet imazheve të grave ka ngritur zërin që ato të mos ngelen nën hijen e burrave. E përtej artit të punuar gjatë proceseve mësimore, atij që është paraqitur nga “Arkivi”, disa prej klasave të kësaj shkolle gjatë këtyre ditëve po frymojnë edhe ndryshe.
Fëmijë të moshave prej 8 deri në 10 vjeç duke i pikturuar gurët e bardhë po nisin përpjekjet për të provuar botën e animacionit. Ata pak më të rritur formësojnë kukulla në mënyrë që ato të bëhen personazhe të animuara, ndërsa të tjerë – që veç kanë bërë hapa në këtë zanat më herët – merren me detajet e fundit të filmave të tyre ku do të shpalosin storie nëpërmjet animacioneve.
Punëtoritë e edicionit të 14-të të festivalit ndërkombëtar të animacionit “Anibar” janë fotografi që tregojnë qartë se të rinjtë kanë potencial në këtë sferë dhe janë duke e përdorur atë.
Lisian Urcan, nxënës i klasës së tetë, ka katër ditë që është duke formësuar kukullat bashkë me dy miq të tij. Nën mentorimin e Alma Mimicas bashkë me shumë fëmijë të tjerë po mësojnë hapat e përgatitjes së karaktereve. Lista e materialeve që përdorin është e gjatë.
Skicat që kanë punuar bashkë me formësimin që u kanë bërë kukullave, dëshmojnë një proces kreativ të gjatë, por edhe fort përmbajtjesor. Janë fëmijë që historitë të cilat i ëndërrojnë duan t’i shfaqin në ekran. E për këtë përdorin forma të artit prej tradicionaleve deri tek ato digjitale. Ashtu edhe duhen krijuar animacionet.
Në moshën që janë, 10 deri në 15 vjeç, nuk synojnë veç qëllime estetike. Duan që brenda animacioneve që do të jepen në kuadër të festivalit gjatë fundjavës të ketë edhe mesazhe. Mundohen që mesazhet e tyre të kenë edhe pak erë të temës bosht të këtij edicioni “Love | Dashni”. Bëhet fjalë për një ambient ku disa ditë të pushimeve verore midis viteve shkollore shfrytëzohen për mësim joformal tejet kreativ.
Urcan është prej atyre fëmijëve që nuk përton as të flasë. Tregon se pas procesit të formësimit të kukullave do të punojnë në prapavijat e animacionit të tyre që janë të tipit “stop motion”. Nga ajo që tregon shihet që është mjaft entuziast.
“Krijimi i kukullave është interesant. Në fillim kam pritur që do të marrin shkopinj e t’i veshim si kukulla. Nuk e kam pritur se do të na i marrë katër ditë t’i bëjmë disa kukulla. Kemi përdorur fije të aluminit për strukturë bazike, më pas sfungjer e elemente të tjera”, thotë ai. Vetë i treti ka përvjelë mëngët për të përzier ngjyra e formësuar imazhe. Kanë tri karaktere që do t’i paraqesin si vëllezër.
“Tema e sivjetshme e ‘Anibarit’ është dashuria dhe kemi dashur ta lidhim filmin tonë me këtë temë. Te filmi ynë janë tre vëllezër të varfër. Një dorë njeriu i merr e luan me ta. Pra, në njëfarë mënyrë duart e njeriut luajnë me këta. Pra, njeriu ka dëshirë të luajë me emocionet e njerëzve dhe në fund i lë. Më duket se është temë vetëdijesuese”, thotë i riu që animacionin e ka hobi dhe përvojën e përshkruan si diçka të jashtëzakonshme.
Nën përkujdesjen e Alma Mimica kukullat pothuajse janë finalizuar. Procesi nuk është i lehtë pasi aty hyjnë disa forma të artit.
“Ideja është që në fund të shfaqin edhe filmat e tyre. Shumica prej tyre janë shumë të motivuar e të talentuar. Animacioni është diçka speciale pasi është një përzierje midis artit tradicional, kreativitetit e teknologjisë. Pra, ata përdorin materiale, ngjyra, ndërtojnë kukulla, por pastaj edhe kanë punë në kompjuterë”, ka thënë Mimica.
Në klasën afër të katit të sipërm të ndërtesës shkollore janë studentët e Akademisë së Animacionit që funksionon në kuadër të “Anibarit”. Të pranishmit këtu veçse janë të përgatitur për të ekranizuar rrëfimet e tyre. Prej dhjetorit të vitit të kaluar kanë ndjekur mësimet në Akademi. Tash u kanë mbetur “dritëhijet” e fundit për t’ia vënë pikën punës.
Nxënësja e shkollës së mesme Uma Ahmeti, që e ka përvojën e Akademisë së bashku me të tjerët po punojnë në dizajnin e zërit të filmave dhe në postproduksion.
“Jemi duke punuar që të kompletojmë filmat tanë nga Akademia. Është një eksperiencë shumë interesante. Këto ditë kemi mësuar se si të punojmë detaje të xhirimit e të zërimit e pastaj edhe editimin. Hobi im kryesor është vizatimi dhe jeta ime tash sillet kryesisht rreth artit. Me animacionin jam e lidhur prej fëmijërisë. Gjithmonë kam pasur një pasion që të tregoj diçka me vizatimet e mia”, tregon Ahmeti. Vazhdimisht në kokë bluan versione të ndryshme të zërimit duke u munduar që t’i shoshitë ato e të nxjerrë më të mirën.
Për këta studentë kujdeset tutorja Lisa LaBracio dhe qëllimi i saj është që filmat të dalin sa më mirë në fundjavë kur edhe jepen në ekranin e kinemasë së qytetit “Jusuf Gërvalla”.
“Kemi punuar në teorinë e dizajnimit të zërimit në storie të animuara duke shoshitur se cila nga idetë e tyre të zërimit mund të jetë ajo që e përfshijmë. Pastaj funksionimi i ekipit i ndihmon ata si filmbërës të ardhshëm në animacion”, thotë ajo. Në bazë të asaj që ka parë, studentët i përshkruan si krijues me potencial, përderisa punëtoritë si një mundësi unike.
“Ata janë duke punuar me tutorë shumë të mirë në Akademi dhe i kam parë produktet e tyre. Është kënaqësi të shoshësh progresin e tyre”, thotë LaBracio.
E në katin përdhes zënë vend më të vegjlit. Ata që janë krejt në hapat e parë të botës së animacionit. Gurëve të bardhë të vegjël u japin ngjyrë duke ndërtuar karaktere. Kanë hyrë në një botë që i jep frymë imagjinatës së tyre. “Anibar” e ka këtë qëllim. Hap horizonte për të prekur botën e artit.
Fëllënza Taraku, që është koordinatore e programit të edukimit në kuadër të “Anibarit”, ka treguar se sivjet i kanë pesë punëtori. Puna e saj është që të koordinojë çdo gjë deri në detajin e fundit. Çdo ditë e më shumë kërkesat për të marrë pjesë në punëtori shtohen ashtu siç rritet edhe Festivali.
“Interesimi sigurisht që është rritur. Unë mendoj se është krijuar njëfarë kulture. Çdo vit e shtojmë nga një punëtori”, ka treguar ajo. Të mërkurën “Anibar” ka vazhduar me shfaqjen e filmave në disa prej nëntë kategorive sa ka sivjet, prej të cilave shtatë janë garuese. Fëmijët pos që marrin pjesë në punëtori duke testuar veten, kanë edhe mundësi që të shohin produkte të animacionit që i kanë në kategorinë e të rinjve. Festivali ka disa alternativa për të testuar dashurinë e tyre ndaj animacionit. Madje këtë sivjet e bën edhe më fort duke matur pulsin e krejt pjesëmarrësve me temën “Love | Dashni”./koha/