Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“Anibari” me gjeneratë të re në kinema përballë animacioneve vendore

Kulturë  |  19.07.2023 Ora 11:15   

Ka diçka të veçantë te njëra prej kategorive të “Anibarit”. “Të rinjtë” çon fëmijët në kinemave dhe nëse kjo mund të merret si njësi matëse, atëherë ardhmja e audiencës para ekraneve të mëdha jep shenja optimiste. Por në Festival, merr edhe një tjetër kuptim. Gara është hapur me animacionin vendor, “Rrënjët” të Finesa Pejës, e cila është pjesëtare e një gjeneratë te re animatorësh vendorë që dalin pikërisht prej “Anibarit”. Të rinjtë, të martën në ditën e dytë, kanë pasur mundësi që pos filmave, të njihen me të tjera të detaje të industrisë të animacionit dhe atë nga ekspertë si tajvanezja, Hsiang Chin Moe.

“Gjysh këtu duhet...”, nuk është thjesht dëftim i diçkaje. Nuk është as urdhër. Kiri 6-vjeçar këtë fjali nuk e thotë thjesht për ta njoftuar gjyshin e tij te cila derë të hyjë. Por këtë e bën me shumë krenari si për të treguar se aty ka qenë edhe më parë. E gjyshit, Jakup Kasapolli i shkon pak buza në gaz dhe ia miraton nipit atë që thotë duke e hapur derën e sallës së kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë.

Në orën 09:50, Jakup Kasapolli që në njërën dorë ka mbajtur gjësende të ndonjë “pazari” të vogël për shtëpi e me tjetrën atë të nipit, e ka këshilluar të birin e djalit që të ulen diku nga mesi i sallës. Qenë të parët që zunë vendet e tyre për të shikuar disa nga filmat e programit të veçantë për të rinjtë. Janë rrëfime për fëmijë. E edhe ardhja e gjyshit afro 80-vjeçar me nipin më shumë se shtatë dekada më të ri në kinema për të parë film të animuar do të mund të ishte një animacion më vete. Festivali ndërkombëtar i animacionit, “Anibar” e ka këtë fuqi. Bën bashkë edhe gjenerata të ndryshme. Tema bosht e edicionit të 14-të “Love|Dashni” ka dimensione të ndryshme. Përbërja e audiencës e dëshmon këtë.

Pasi salla është mbushur me nja 30 veta, ka nisur edhe shfaqja e animacioneve për fëmijë.

“Rrënjët” si shembull

“Rrënjët” nën regji të Finesa Pejës e ka hapur këtë program. Bëhet fjalë për një rrëfim natyre. Dashuria e dy krijesave bimore bën që ato të bëhen një. Përtej kësaj edhe ngjall njëlloj simpatie të gjeneratave të reja për natyrën. Në ekranin e madh të kinemasë që mban emrin e artistit dhe disidentit, Jusuf Gërvalla, “Rrënjët” ka gjelbëruar hapësirën.

“Pipa, një krijesë e vogël bimore, po këput petalet e një luleje. Ajo duket e lumtur dhe plot jetë. Ndërsa fillon të ndjekë një flutur, ajo përplaset me një pemë dhe bie në krahët e Popit, një krijesë shkëmbore, dhe ata bien në dashuri. Ndërsa duart e tyre vijnë në kontakt, ato kthehen në një rrënjë të vetme, duke i lidhur trupat e tyre së bashku”, shkruhet në sinopsis e filmit të shkurtër. Kështu edhe zhvillohet ngjarja. Bashkë me efektet e muzikën, “Rrënjët” është një prej treguesve se të rinjtë kosovarë janë goxha kreativ në animacione. E për këtë “Anibari” ka jo pak merita. Në kudër të organizatës funksionon edhe Akademia e Animacionit ku shumë prej atyre që kanë ndjekur kurset, tashmë janë duke u bërë emra në këtë fushë. Një prej tyre është edhe Finesa Peja. Ky program, ndër më të veçantit e Festivalit që edicionin e 14-të e ka nisur të hënën e do të vazhdojë deri të dielën, ka pasuar me filmin kroat “Musical Socks”. Është një tip komedie që fëmijët – duke mos përjashtuar as shoqëruesit e tyre – i ka bërë që të qeshin vazhdimisht për 10 minuta e 34 sekonda aq sa edhe zgjat filmi nën regji të Ana Horvat e cila ka shkruar edhe skenarin e animacionit.

Një lepur jashtëzakonisht i patalentuar Darko merr mësime kënge nga Zvonko. Mësimet e tyre janë një dështim i vazhdueshëm. Si mësuesi ashtu edhe nxënësi janë të shkatërruar. Iriqi Zheljko sjell një perspektivë të re për problemin, duke i kthyer të metat e Darkos në avantazhe. Ai ia realizon një palë çorape të cilat në lëvizje e sipër prodhojnë tinguj. E kjo bën që lepuri të ketë rol tjetër në muzikë.

Jakup Kasapolli, mësimdhënës i kulturës fisnike e që dikur ka punuar edhe si gazetar, ka thënë se është kënaqësi e veçantë që ta sjellë nipin në kinema. “Ku ka më mirë...”, ka thënë ai derisa ka dalë nga ndërtesa. E “Anibar” çdo ditë ka program për të rinjtë. Organizatorët kanë bërë të ditur se në edicionin e këtij viti, Programi i Publikut të Rinj ofron animacione të ndara në gjashtë programe. Pjesa më e madhe, ose pesë prej tyre janë për fëmijë të moshës deri në 5 vjeç dhe një për mbi 13 vjeç.

Vita Kasapolli, kuratorja e programit, ka bërë të ditur se qëllimi është që të prezantohen krijimet e të rinjve.

“Përmes këtij programi specifik, i cili përfshin të gjashtë nënprograme, synojmë të kontribuojmë që të frymëzojmë kreativitetin e tyre dhe t’u tregojmë se ka mënyra të ndryshme për t’u shprehur përmes animacionit”, ka thënë ajo nëpërmjet një njoftimi të shpërndarë nga Festivali. Sipas saj, animatorët e rinj reflektojnë përmes animacionit mbi tema të ndryshme që ndikojnë në këndvështrimin e fëmijëve dhe botën e tyre.

“Për shembull, frika nga dentisti, dashuria për vëllezërit e motrat, dëshira për të luajtur në lagje, miqësia me kafshët, apo edhe imagjinata për të qenë një krijesë mistike si një zanë apo një shtrigë”, ka shpjeguar Kasapolli.

Pyetjet e domosdoshme në industri

“Anibar” pos që shfaq krijimet e të rinjve edhe gjatë Festivalit kujdeset që ata të kenë eksperienca me animatorë të njohur e profesorë të këtij zanati.

Me titullin “Portfolio & Pitch – Kickstarting You & Your Animation” artistja dhe edukatorja tajvaneze Hsiang Chin Moe, ka mbledhur dhjetëra të rinj në prezantimin e saj. Ka folur gjatë për “portfolion” që duhet ta krijojë një animator. Ka folur për “hilet” e pasurimit të karrierës e deri te përzgjedhja e temave të animacioneve.

“Duhet të shtroni pyetje se përse duhet realizuar ideja që keni, cili është subjekti e kush do të jetë audienca”, ka këshilluar ajo të rinjtë vendorë e ndërkombëtarë që janë dukur goxha të interesuar për këtë prezantim të mbajtur po në kinemanë “Jusuf Gërvalla”, një prej katër pikave ku shfaqen filmat në nëntë kategori, prej të cilave shtatë garuese.

Hsiang Chin Moe ka folur për karrierën e saj duke treguar se është artiste dhe edukatore me përvojë në arsimin e lartë, produksion, teknologji dhe menaxhim. Midis të tjerash është kryetarja inauguruese e Animacionit BFA në Shkollën e Arteve Vizuale në New York. Aktualisht shërben në bordin e Women in Animation (WIA) si kryetare për Arsimin, ku punon ngushtë me artistët, kineastët dhe rekrutuesit kryesorë të industrisë për të krijuar një platformë të barabartë dhe mbështetëse për njerëzit me identitete gjinore të nënpërfaqësuara, si dhe aleatët e tyre në të gjithë industrinë e animacionit.

E pas këtij prezantimi, po në këtë kinema është hapur edhe gara e kategorisë së Filmave të gjatë. Ka qenë filmi amerikan “Silver Bird and Rainbow Fish”, që ka ndezur i pari projektorin e kësaj gare. Në regji dhe skenar të Lei Lei në 1 orë e 43 minuta filmi shpërfaq histori të pazakontë në botën e animacionit. Regjisori e autori i skenarit ka marrë fotografitë kur paraardhësit e tij në shekullin e kaluar jetonin në Kinë. Janë aso imazhe propagandistike të botës komuniste. Sipas fotografive e videove të kohës, populli kinez ishte ndër më të lumturit në botë, përderisa rrëfimet familjare të regjisorit nuk e thonë të njëjtën gjë. Ka ndërhyrë mbi materialet e kohës me imazhe të animuara duke e shndërruar filmin në një miks të pasur edhe vizuelisht. Nëpërmjet tyre zbërthen situata dhe e përmbys propagandën, përderisa ua kthen frymën atyre pak mendimeve e ëndrrave për liri që mund të kenë qenë në kokat e banorëve të Kinës së viteve ’60 e ’70 të shekullit të kaluar. Bëhet fjalë për “flashbacks” që ilustrohen këndshëm dhe prekin detaje të jetës së asaj kohe nëpër fushat e Kinës. Liria është e pranishme veç si ëndërr në film. Për liri telashe jo të vogla ka pasur edhe kjo anë, sidomos shteti ku mbahet një prej festivale më të njohura të animacionit në këtë pjesë në Evropës.

Hiç më larg se para 24 vjetësh, Jakup Kasapolli, as që do të mund ta imagjinonte veten e duke dërguar nipin në kinema. Asokohe ishte luftë. Dhe qyteti i tij, Peja është prej atyre që ka vuajtur jo pak. Por të martën ai ka qenë në kinema dhe nëpërmjet animacionit e ka mësuar nipin, Kirin se si të duhen natyra e njerëzit. E ky edhe është qëllimi i “Anibarit”, sikurse edhe tema e sivjetme, “Love|Dashni”.

Image
Artistja dhe edukatorja tajvaneze, Hsiang Chin Moe, ka mbledhur dhjetëra të rinj në prezantimin e saj. Ka folur gjatë për “portfolion” që duhet ta krijojë një animator. Ka folur për “hilet” e pasurimit të karrierës e deri te përzgjedhja e temave të animacioneve/koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing