Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“DokuFesti” me 104 filma garues dëshmon fuqinë e dokumentarit

Kulturë  |  13.07.2023 Ora 10:31   

Filmbërës nga 111 shtete të botës që kanë aplikuar me afërsisht 3 mijë e 500 filma, që përbën një rritje prej 22 për qind në krahasim me aplikimet e vitit të shkuar, ia kanë mësyrë sivjet “DokuFestit”. “Filma që me siguri do të prekin, mahnitin dhe në disa raste edhe do të shokojnë audiencën me vrazhdësinë dhe drejtpërdrejtësinë e tyre, do të thosha një dëshmi e pastër e fuqisë së filmit dokumentar në radhë të parë”, ka thënë Veton Nurkollari, drejtor artistik i “DokuFestit”.

Kur kanë mbetur edhe 22 ditë deri në hapjen e edicionit të 22-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, organizatorët kanë shpalosur listën e filmave që do të garojnë për çmimet e këtij viti. Në tetë programet garuese do të shfaqen gjithsej 104 filma, përfshirë këtu një numër sish që do të kenë premierat e tyre. Ndërkohë deri në javën tjetër pritet që të zbulohen edhe përmbajtjet e programeve të tjera, që me vete sjellin veprat më të fundit nga sfera e dokumentarëve dhe atyre të shkurtër.

Përpilimi i tyre nuk ka qenë i lehtë, marrë parasysh interesimin e madh të filmbërësve nga 111 shtete të botës që kanë aplikuar me afërsisht 3 mijë e 500 filma, që sipas drejtuesve të “DokuFestit” përbën një rritje prej 22 për qind në krahasim me aplikimet e vitit të shkuar.

“Jam i emocionuar që ka ardhur koha që bashkë me ekipin programues të shpalosim më në fund të gjithë filmat, të cilët jemi kujdesur t’i përzgjedhim, për një kohë kaq të gjatë; filma që me siguri do të prekin, mahnitin dhe në disa raste edhe do të shokojnë audiencën me vrazhdësinë dhe drejtpërdrejtësinë e tyre, do të thosha një dëshmi e pastër e fuqisë së filmit dokumentar në radhë të parë”, ka thënë Veton Nurkollari, drejtor artistik i “DokuFestit”.

Ai nuk e ka fshehur entuziazmin për rikthimin e festivalit në ritëm të plotë dhe me një program tjetër të jashtëzakonshëm të filmave, që, sipas tij, “do të vënë në pikëpyetje shumë gjëra”. “Si vendi ynë në këtë botë dhe përgjegjësitë që i marrim ose nuk i marrim ndaj të tjerëve, si dhe ndaj planetit në rrezik, përfshirë dhe marrëdhënien tonë në rritje me teknologjinë”, ka thënë ai.

Nurkollari beson se edhe sivjet ka mjaft prurje interesante që do ta përmbushin kërshërinë e audiencës besnike të festivalit tradicional me nam botëror.

Në bisedë me KOHËN ai në fillim përmend Garën e Filmave Kombëtarë. “Jemi mjaft të kënaqur si ekip programues me atë që kemi parë dhe përzgjedhur për këtë garë. Bëhet fjalë për filma që janë qoftë nga regjisorë të rinj apo filmbërës nga Kosova e diaspora, Shqipëria, por edhe Maqedonia e veriut, e që kanë të bëjnë me kombin”, ka thënë ai.

Ka kaluar te Gara e Filmave Dokumentarë nga Ballkani, ku sipas tij, po ashtu, ka gjetje interesante, pavarësisht se është paksa më e ndërlikuar për ta përzgjedhur, e që ndërlidhet kryesisht me kërkesën e Festivalit të Filmit të Sarajevës për premiera botërore apo rajonale të filmave, që i pamundëson “DokuFestit” përzgjedhjen e dy apo tre filmave gati çdo vit.

“Mirëpo në përgjithësi jam i kënaqur me atë që do të jetë në Garën Ballkanike, sepse janë disa filma që janë tejet interesantë. Në parim nuk kam dëshirë t’i veçoj filmat, por këtë herë do ta veçoj një vepër të filmbërëses meksikane, e cila ka kaluar një kohë të gjatë në Shqipëri dhe ka bërë një film për këtë vend”, ka deklaruar Nurkollari.

Drejtori artistik pohon se rritja e ndjeshme e aplikimeve në krahasim me vitin e kaluar dëshmon interesimin e jashtëzakonshëm të filmbërësve gjithandej botës për të qenë pjesë e programit në “DokuFest”, që si rezultat do të manifestohet me gara interesante dhe programin ndërkombëtar, atij të mjedisit, të drejtave të njeriut, por edhe të filmave të shkurtër.

“Kemi përzgjedhur filma, për të cilët mendojmë se në këtë moment tregojnë për gjendjen në botë, dhe është ndoshta një veçori e përgjithshme për shumicën e filmave, ku ka filma që trajtojnë tema të ndryshme, gjendjen në botë, krizën në botë, gjendjen ekologjike, ndryshimet klimatike, luftërat, sidomos luftën në Ukrainë, me ç’rast i kemi edhe dy filma të jashtëzakonshëm nga Ukraina... Por ka edhe shumë filma të tjerë për shumë çështje apo probleme që rëndojnë në botë në këtë moment, andaj mendoj se do të jetë një pasqyrë interesante për gjendjen aktuale në botë nëpërmjet filmave dokumentarë”, ka thënë ai.

Në program janë edhe mbi 30 filma të shkurtër.

“Edhe aty kemi përmbledhur se çka po ndodh në botën e filmit në këtë moment”, ka thënë Nurkollari.

Në ditët në vijim “DokuFesti” do të vazhdojë shpalosjen e programit, përfshirë këtu edhe shpalljen e temës së këtij viti, pastaj përzgjedhjen për kategorinë që dallohet me filma të jashtëzakonshëm “View From the World”, pastaj programin e një shteti në fokus, si dhe një mori programesh të tjera të kuruara posaçërisht për këtë edicion. Ngjashëm si në edicionet e shkuara edhe sivjet do të ketë diskutime në panel, biseda, program për fëmijë, masterklasa dhe programi muzikor i njohur si “DokuNights”.

“Kemi edhe ca surpriza të vogla interesante, të cilat do t’i shpalosim gradualisht gjatë javëve në vijim”, është shprehur Nurkollari.

Edicioni i 22-të i “DokuFestit” sivjet mbahet nga data 4 deri më 12 gusht, në lokacionet e shpërndara në gjithë Qendrën Historike të Prizrenit dhe në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing