Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“Quo Vadis Choral Music Conference” bashkon botën e koreve në Pejë

Kulturë  |  27.06.2023 Ora 10:43   

Është kori me nam e fitues i çmimeve ndërkombëtare “Siparantum” që e ka sjell ngjarjen ndërkombëtare në Pejë, qytetin prej nga vjen vetë kori. Ngjarja do të pushtojë hapësirat kulturore në Pejë prej 14 deri më 17 shtator. Prezantime, panele diskutimi, koncerte e konferenca me figura të shquara ndërkombëtare e vendore të muzikës klasike ofrojnë mundësitë për të mësuar, ndarë përvoja dhe të krijohen lidhje të reja në fushën e muzikës korale në kuadër të “Quo Vadis Choral Music Conference”.

Qyteti i Pejës do të jetë nikoqir i një prej ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare të muzikës korale – “Quo Vadis Choral Music Conference”. Prezantime, panele diskutimi, koncerte e konferenca me figura të shquara ndërkombëtare e vendore të muzikës klasike ofrojnë mundësitë për të mësuar, ndarë përvoja dhe të krijohen lidhje të reja në fushën e muzikës korale.

Është kori me nam e fitues i çmimeve ndërkombëtare “Siparantum” që e ka sjell ngjarjen ndërkombëtare në Pejë, qytetin prej nga vjen vetë kori. Ngjarja do të pushtojë hapësirat kulturore në Pejë prej 14 deri më 17 shtator.

Temat si “Bashkimi në një kor fëmijësh - stimulim i rinisë për një jetë të plotë të këndimit”, “Sfidat e karrierës së një dirigjenti”, “Komisionimi i muzikës së re - nevojat dhe pritjet”, “Përtej kufijve - si të tërheqësh audiencën”, “Stimuluesit e karrierës së një dirigjenti” e “Hapat e krijimit të rrjetit”, janë veç disa prej atyre që do të eksplorojnë aktivitetin në kinemanë “Jusuf Gërvalla”, si qendra kryesore e ngjarjes, më tej edhe në Galerinë e Arteve, shkollën e muzikës “Halit Kasapolli”, qendrën rinore “Peja” e në të tjera hapësira.

 

Në kuadër të programit parashihet të mbahet edhe koncerti i “Siparantumit” të Pejës, me temën “700 years of Albanian Song”.

 

”Ky koncert do të sjellë një program të pasur dhe tërheqës që do të zbulojë muzikën korale tradicionale shqiptare me një program tejet atraktiv për audiencën. Këto dy koncerte do të mbahen në kishën katolike ‘Shën Katarina’, në Pejë”, ka treguar udhëheqësi e dirigjenti i korit “Siparantum”, Memli Kelmendi, në një përgjigje për KOHËN.

Ai ka treguar se ceremonia e hapjes do të mbahet në kinemanë e qytetit. “Kinema ‘Jusuf Gërvalla’ do të ofrojë një ambient të përshtatshëm për panelet e diskutimit dhe prezantimet kryesore të konferencës. Kjo hapësirë e rëndësishme kulturore do të krijojë një atmosferë të përshtatshme për shkëmbimin e ideve dhe përvojave në muzikën korale. Galeria e Arteve do të përdoret për prezantime të veçanta dhe ekspozita artistike që lidhen me muzikën korale. Ky ambient do të ofrojë një perspektivë të re për të shprehur lidhjen e artit dhe muzikës”, ka treguar Kelmendi nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.

Sipas kompozitorit Kelmendi, hapësirat do të sigurojnë ambient të përshtatshëm dhe stimulues për pjesëmarrësit për mësim, shkëmbim idesh dhe për të krijuar lidhje të reja në fushën e muzikës korale.

Në Programin e konferencës, pos paneleve të diskutimit, punëtorive dhe takimeve, do të zhvillohen edhe koncerte të muzikës korale. Ai i Korit të Filharmonisë së Kosovës, “Siparantumit”, si dhe kore fëmijësh dhe të rinjve do të paraqiten në kuadër të edicionit të dytë të “Quo Vadis Choral Music Conference”. Edicioni i parë ishte organizuar në Berlin, ku edhe vepron Akademia Ndërkombëtare e Arteve Korale – CHORALSPACE” në kuadër të të cilit është themeluar Konferenca. Aktivitetin e kishte zhvilluar prej 21 deri 24 prill. Ishte mbajtur në të njëjtin format sikurse ai që do të mbahet sivjet në Pejë.

Sipas përshkrimit, “’CHORALSPACE’ është një vend mësimi që përfshin program akademik 360-shkallësh për studentët e të gjitha moshave. Është vend për krijim që përfshin një konferencë ndërkombëtare për të zgjeruar fokusin e muzikës korale dhe një vend për performanca të shkëlqyera, që përfshin disa nga fazat më të mira të botës”, sqarohet në uebfaqen e Akademisë. Aty po ashtu tregohet se qëllimi është motivimi i komunitetit koral.

Memli Kelmendi, si dhe menaxheri i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, si përfaqësues të koreve përkatëse, do të jenë në mesin e ligjëruesve, prezantuesve e folësve në kuadër të katër ditëve të aktiviteteve të Konferencës. Nga skena ndërkombëtare e muzikës klasike do të jenë drejtori muzikor dhe themeluesi i “Meuer Kammerchor Berlin”, Adrian Emans, drejtori artistik i “MDR Leipzig Radio Children’s Choir”, Alexander Schmitt, Ambroz Copi, drejtor artistik i “KGBL Chamber Choir”, Hans Hermann Rehberg, ish-drejtor menaxhues i “Rundfunkchor Berlin” e Ian Clethero, botues i “Chorally”.

Gjithashtu do të marrin pjesë edhe Jeroen Keymeulen, drejtor në “Koor&Stem”, Jozhi Vovk, menaxhere në Shoqatën e Koreve të Evropës, Michelle James, drejtoreshë ekzekutive në “Sing Up”, Nathalie Goldberg, themeluese dhe drejtoreshë artistike në “Nona Vocal Arts Center”, si dhe shumë përfaqësues të koreve me renome ndërkombëtare.

Sipas Memli Kelmendit, që edhe është organizator i ngjarjes, pjesëmarrja e këtyre figurave ndërkombëtare do t’iu kontribuojë lidhjeve me interpretues e kompozitorë të muzikës korale të vendit.

“Pjesëmarrja e figurave të muzikës klasike në këtë ngjarje do t’u ofrojë mundësi të veçanta për të njohur më mirë skenën vendore dhe për të krijuar lidhje të reja me artistë, dirigjentë, kompozitorë të muzikës korale në Kosovë. Kjo mund të çojë në bashkëpunime të reja artistike dhe të hapë rrugën për shkëmbim të dijeve dhe përvojave në mes të profesionistëve të muzikës korale nga skena ndërkombëtare dhe ajo lokale”, ka thënë Kelmendi.

Sipas tij, “pjesëmarrja e këtyre personaliteteve të njohura do të sjellë një përzierje të pasur dhe frymëzuese të talentit vendas dhe të përvojës ndërkombëtare në muzikën korale, që pa dyshim do të ndikojë drejtpërdrejt në rrjetëzimin e vendit tonë me muzikën korale në botë”.

Te rëndësia e ngjarjes e ka vënë theksin edhe menaxheri i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj.

“Është një prej momenteve të rëndësishme në afirmimin e skenës së Kosovës, sidomos muzikës korale në mesin e shumë personaliteteve të rëndësishme të fushës në botë. Konferenca si kjo nuk kanë zënë vend në Kosovë dhe kjo është meritë e angazhimit të Memli Kelmendit që viteve të fundit ka qenë jashtëzakonisht aktiv në ngjarje të rëndësishme të muzikës në botë me paraqitjet e tij si drejtues i korit ‘Siparantum’ dhe jo vetëm”, ka thënë ai. Sipas Selimajt, për Kosovën është vlerësim që një konferencë e përmasave të tilla zë vend në shtetin më të ri të Evropës.

“Quo Vadis Choral Music Conference” është një ngjarje me qëllim shkëmbimi i kuruar posaçërisht për dirigjentët, kompozitorët, drejtuesit e korit dhe profesionistë të tjerë në skenën e muzikës korale. “Ajo shërben si një platformë qendrore për të eksploruar zhvillimin aktual dhe drejtimin e ardhshëm të muzikës korale dhe për të mundësuar bashkëpunime midis njësive profesionale dhe amatore të sektorit koral”, është një nga përshkrimet që i bëhet kësaj ngjarjeje.

Nëpërmjet “Quo Vadis Choral Music Conference” promovohet edhe kultura lokale, si dhe i kontribuon shkëmbimit të ideve e përvojave mes institucioneve të koreve. Pjesëmarrja e personaliteteve të shquara të këtij lloji të muzikës hap mundësi edhe për krijimin lidhjeve ndërkombëtare./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing