Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Në orën 14:00 deri në orën 15:00 do të mbahen homazhe në pallatin e Rinisë në Prishtinë, në nderim të profesorit tashmë të ndjerë.
Ndërsa në orën 15:00 deri në orën -16:00 do të mbahet një mbledhje komemorative për profesorin e ndjerë, Shyqri Nimani, por ashtu në pallatin e Rinisë.
Ndërkaq, varrimi i profesorit të ndjerë, Shyqri Nimani do të bëhet në orën 17:00 në varrezat e Prishtinës, Arbëri.
Kush ishte Shyqri Nimani, profesori që shkroi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës
Akademiku Shyqri Nimani, ishte profesor i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës si dhe kaligrafisti i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
Ai u lind në vitin 1941, në Shkodër, Shqipëri, ndërkaq ndërroi jetë sot në moshën 82 vjeçare në Prishtinë.
Nimani njihej si dizajneri i parë grafik. Ai po ashtu ishte një ndër themeluesit e Departamentit të Dizajnit Grafik në Fakultetin e Arteve, Universiteti i Prishtinës, Kosovë. Nimani, diplomoi në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd, më 1967, në seksionin e librit.
Ai i bëri studimet postdiplomike në vitin 1969 në të njëjtin universitet dhe vazhdoi hulumtimin e tij artistik në Japoni në periudhën 1976—78.
Në vitin 1979, ai u bë drejtori i parë i Galerisë Kombëtare të Kosovës.
Akademiku Nimani gjithashtu ishte magjistri i pari i Dizajnit Grafik në ish-Jugosllavi. Ai përpos që ka shkruar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, ka dizajnuar edhe disa nga logot që kanë disa institucione në Kosovë, përfshirë logon e Universitetit të Prishtinës, logon e Policisë së Kosovës etj.
Po ashtu të enjeten në nderim të jetës dhe veprës së tij deputetët e Kuvendit të Kosovës mbajtën një minutë heshtje./Telegrafi/