Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Ministria mban traditën, “Niketë Dardani” dy vjet pa laureat

Kulturë  |  22.06.2023 Ora 11:30   

Me një ceremoni krejt të thjeshtë, Ministria e Kulturës ka ndarë çmimet vjetore në fushën e muzikës. Por, ka një hall me kryesorin. Për çmimin kombëtar për veprimtari jetësore “Niketë Dardani” tash e dy vjet nuk ka laureat. Madje as të nominuar. Në kategorinë e Çmimit për vepër vokalo – instrumentale e skenike ka qenë vetëm një kandidat: kompozitori Mendi Mengjiqi. Atij i është ndarë ky çmim për veprën “Exodus”. Shpërblimi financiar është 4 mijë euro. Të tjerë fitues janë emrat më aktivë në fushën e kompozimit.

Ministria e Kulturës ka telashe serioze me organizimin e ceremonive krejt modeste. Të mërkurën, në orën 09:00, ka njoftuar se në orën 13:00 do të ndahen çmimet vjetore në fushën e muzikës. Nuk është hera e parë që njoftime të tilla dërgohen për ceremoni që nuk mbahen me ndonjë urgjencë. Krahas kësaj, laureatët e çmimeve a përfaqësuesit e tyre nuk i ka pritur askush në kabinetin e ministrit Hajrulla Çeku. Një pjesë e tyre kanë hyrë dhe janë ulur ku ua ka marrë mendja, sikurse në kafehane. Protokolli nuk ka ekzistuar pavarësisht se vetë MKRS-ja e ka caktuar kohën e mbajtjes së ceremonisë. Më pas dy zyrtarë kanë ndërhyre duke renditur mysafirët e duke i udhëzuar që të ndërrojnë karriget. Pas krejt kësaj zallamahie ka dalë në pah se konkurrenca për këto çmime në një kategori nuk ka ekzistuar fare, përderisa në një tjetër kandidati i vetëm ka fituar çmim pa pasur tjetër konkurrent.

Shkaku se institucionet nuk kanë nominuar asnjë kandidat, çmimi kryesor, ai kombëtar për veprimtari jetësore “Niketë Dardani” nuk është ndarë. I njëjti nuk është ndarë as vitin e kaluar me arsyetimin e njëjtë: mungesën e nominimeve. Konkurrimi për çmime sipas rregullores mund të bëhet personalisht ose përmes nominimit nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Filharmonia e Kosovës, Opera e Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës, fakultetet e arteve të universiteteve publike e private dhe nga asociacionet e krijuesve të muzikës. Zakonisht për veprimtari jetësore kandidatët nominohen nga institucionet. Por, siç ka marrë vesh KOHA, udhëheqësit institucionalë nuk bëjnë nominime shkaku i inateve personale dhe xhelozive me njëri-tjetrin.

Në kategorinë e Çmimit për vepër vokalo – instrumentale e skenike ka qenë vetëm një kandidat: kompozitori Mendi Mengjiqi. Atij i është ndarë ky çmim për veprën “Exodus”. Shpërblimi financiar është 4 mijë euro.

Sipas arsyetimit të jurisë, vepra e kompozitorit Mendi Mengjiqi “përdor përmbajtje tekstuale biblike, e cila në mënyrë mjeshtërore shtrihet përgjatë linjës melodike të solo-sopranos në mbështetje të partit koral, ndërsa përmes orkestrimit kryesisht homofonik arrihet efekti i nevojshëm dramatik që karakterizon veprat e tilla vokalo-instumentale”.

Mengjiqi vitin e kaluar po ashtu ishte fitues. Madje në dy kategori. Çmimin për vepër solistike dhe duo e ndau me Bardh Dubovcin. Mengjiqi u shpërblye për veprën “Fantasy” e Dubovci për “Tah”. Po vjet Menxhiqi kishte marrë edhe Çmimin për vepër korale a capella dhe vepër korale me shoqërim instrumental për veprën “Mars” kompozuar për kor a capella bashkë me Hajrulla Sylën, për veprën “The Matamorphosis”, kompozuar për kor e shoqërim instrumental.

Të mërkurën ai ka thënë se Ministria e Kulturës duhet ta vazhdojë këtë traditë.

“Kam vetëm fjalë të mira që po e vazhdoni këtë traditë duke stimuluar krijuesit, kompozitorët e rinj. E kam thënë shpesh dhe po e them që vërtet nuk jeni të vetëdijshëm sa keni bërë mirë me këtë konkurs”, ka thënë ai. Sipas Mengjiqit, konkursi nxit krijuesit e rinj dhe shkaku i konkursit janë shkruar shumë vepra.

Juria në përbërje të Baki Jasharit, Hajrullah Sylës dhe Kushtrim Gashit Çmimin për vepër orkestrale - simfonike dhe koncertale ua ka ndarë kompozitorëve Ersan Januzi për veprën “Take a Deep Breath” dhe Dafina Zeqiri-Nushit për veprën “Wind”. Çmimi ka vlerë monetare prej 3 mijë eurosh.

Sipas jurisë, vepra e kompozitorit Ersan Januzi, karakterizohet nga forma njëkohëshe me ndryshime të kohëpaskohshme të tempeve, si dhe metrikes muzikore.

“Gjuha harmonike bashkëkohore i nënshtrohet materialit tematik, i cili përfshihet në një orkestracion të pasur me lëvizjeve energjike ritmike”, shkruhet në arsyetim.

Kurse “Wind” të kompozitores Dafina Zeqiri-Nushi juria e ka përshkruar si një vepër që karakterizohet nga një frakturë notografike bashkëkohore përmes kombinimit të formave të ndryshme të artikulimit, kryesisht tek instrumentet frymore dhe perkusioneve.

“Në aspektin formal, vepra rrjedh përmes ndërrimit të tempeve, të cilat shërbejnë në shtjellimin tematik duke përfunduar përmes strukturës homofonike”, shkruhet në arsyetim.

Januzi edhe vjet ishte laureat i Çmimit për vepër kamertale, të cilin e ndau me Fjolla Gashin. Kurse kompozitorja Zeqiri-Nushi është fituese e shumëfishtë ndër vite.

Çmimi për vepër kamertale po ashtu është ndarë në dysh, midis Kreshnik Aliçkajt për veprën “Passacaglia" dhe Valton Beqirit për veprën “XX”. Që të dy po ashtu janë fitues të shumëfishtë ndër vite. Ky çmim ka vlerë financiare 2 mijë euro.

Sipas arsyetimit të jurisë, vepra e kompozitorit Kreshnik Aliçkaj është një krijim mjaft kompleks në aspektin tematik, harmonik dhe orkestracionit, e përbërë nga dy kohë.

“Koha e parë fillon në temp të ngadalshëm dhe zhvillim gradual përmes orkestracionit drejt gradacionit shpërthyes. Koha e dytë fillon në temp të shpejtë me lëvizje energjike në sektorin e harkorëve dhe ritmit të sinkopuar që i japin veprës zhvillimin dinamik”, shkruhet në arsyetim. Juria ka vlerësuar se në pjesën e mesme të kohës së dytë autori ul intensitetin dhe qetëson rrjedhën duke ngadalësuar tempin ku “akumulon tension përmes dialogut mes tingujve të ulët dhe atyre të lartë në përgatitjen e pjesës së tretë ku sërish rikthen tempin e shpejtë me dialog të instrumenteve harkore dhe perkusioneve”.

E veprën “XX” të kompozitorit Valton Beqiri juria e ka përshkruar si një krijim që karakterizohet nga dialogu i partit të kitarës në raport me orkestrën harkore duke fuqizuar rolin solistik të instrumentit të kitarës.

“Kitara bart rolin kryesor në zhvillimin e materialit tematik ndërsa orkestra harkore komplementon strukturën shoqëruese harmonike përmes modeleve ritmike në formë të ostinatos. Në aspektin ritmik vepra shtjellohet në metrum të kombinuar prej: 4/4, 5/8, 6/8 me dominim të ritmit 7/8 që aludon në karakteristikë të muzikës burimore”, shkruhet në arsyetim. Aty bëhet e ditur se në aspektin formal vepra fillon me introduksion solistik të kitarës për të vazhduar me formën klasike A,B,A të shtjellimit tematik.

Çmimi për vepër korale me ose pa shoqërim instrumental, me vlerë financiare prej një mijë eurosh i është dhënë kompozitores Dea Ahma për veprën “De Vita Et Morte”. Nga juria është përshkruar si vepër që paraqitet me një notografi moderne dhe një legjendë të qartë të shenjave jo standarde të paraqitura në vepër, ku në shumicën e kohës vepra është ametrike.

“Vepra përbëhet nga një formacion kompleks, ku fillon me disa tinguj ostinato në bas dhe me efektet e frymëmarrjes tek zërat e tjerë. Zhvillimi i mëtejmë karakterizohet me lëvizje polifonike, klaster dhe pjesë narrative. Vepra ka një tingëllimë bashkëkohore me përdorim të çerektoneve si dhe relacionit mes zërave, duke mos përjashtuar perkusionet që i japin veprës një ngjyrim mjaft interesant stilistik”, shkruhet në arsyetim.

E Çmimi për vepër solistike dhe duo i është ndarë kompozitorit Drinor Zymberi për veprën “Tri pjesë për klarinetë dhe piano”. Zymberi po ashtu është fitues i shumëfishtë i çmimeve në fushën e muzikës. Sipas jurisë, vepra përbëhet nga tri seksione të ndara nga përmbajtja, ritmi dhe harmonia. “Pjesa e parë fillon në temp të shpejtë në masën 7/8 në karakter të tokatës tradicionale, me lëvizje të shpejta, harmoni të arpexhuar dhe lëvizje sekuentive në të dy instrumentet. Pjesa e dytë është në temp moderato gjithashtu në masën 7/8 me lëvizje minimale dhe tinguj kryesisht të shtrirë ku mbizotëron një qetësi e përgjithshme”, shkruhet në arsyetim. Aty po ashtu bëhet e ditur se pjesa e tretë paraqitet në tempin “Allegro” me lëvizje të shpejta ku autori i rikthehet energjisë fillestare në masën 9/8 me një zhvillim interesant dhe atraktiv”.

Pas ndarjes së çmimeve ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se institucioni që ai udhëheq do të shikojë edhe për shtim kategorish të çmimeve e mundësi që veprat fituese edhe të interpretohen. I ka siguruar krijuesit për një gjë.

“Në asnjë rast nuk bëhet fjalë për shuarje të konkursit. Përkundrazi, për avancim më tutje”, ka thënë ai./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing