Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
E vizualizuar në piktura shumëngjyrëshe, Prishtina e dikurshme ka zbarkuar në atë të sotmen. Krejt kjo veprave të artistit Ramiz Krajkova, i cili me anë të ekspozitës së tij personale të hapur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë ka sjellë atë se si ai e ka parë qytetin ndër vite.
Shtëpi të vjetra, rrugë me kalldrëm e lokale që mbajnë emrin me shkrim dore janë karakteristika të Prishtinës së dikurshme, larg zhvillimeve industriale e teknologjike. Në të gjitha anët e hapësirës janë të vendosura në korniza pothuajse të njëjta punimet e këtij piktori. Me ngjyra e disa të punuara vetëm me hijet e realizuara me laps sjellin në syrin e vizitorit tradicionalen e kryeqytetit. Hapësira të ndryshme të qytetit duke përfshirë objektet qendrore dhe më të njohura të tij janë në qendër të ekspozitës me shumë punime të piktorit 80-vjeçar.
Përderisa të gjitha muret sjellin një lloj pasqyrimi të objekteve qindravjeçare të Prishtinës së Vjetër, të varura në njërin nga muret janë edhe nja dy personazhe femra dhe një kopsht me lule. Si për të kundërshtuar ndërtimet, ato sjellin anën sociale të Prishtinës së dikurshme, duke u bërë një me ambientin e sjellë nga piktori dhe duke mundësuar një rikthim prapa në kohë kur kryeqyteti dukej ndryshe.
Me një mënyrë krejt realiste, ekspozita “Prishtina ime” me ngjyra të buta e njëkohësisht të tilla që ngjasojnë shumë me ngrohtësinë që përçon natyra veprat duken edhe si fotografi.
“Këtu kam lind, e dua dhe kurrë s’do të heq dorë nga ato trashëgimi që janë dhe ekzistojnë këtu. Prishtina tani më duket kancer dhe jo vetëm për mu, por po besoj që edhe për të tjerët. Unë mundohem që sado pak të gjithë qytetarët, të gjithë fëmijët të kenë rrugën e tyre për të shëtitur. Pos Tokbahçes dhe Gërmisë, Prishtina pa lumë do të ishte e shkretë”, ka thënë Ramiz Krajkova.
Ai ka treguar se puna e tij në këtë ekspozitë u lindi nga fakti që jeta e tij prej 8 dekadash është kaluar pikërisht në këtë qytet. Veprat pos artistit kthyen në kohë shumë vizitorë. Prishtinën e dikurshme e vizualizoi edhe për vizitorët e huaj e edhe për gjeneratat e reja, të cilat nuk e kanë arritur Prishtinën e dikurshme.
“Unë këtu kam shfaqur nga zemra të gjitha këto punime, sepse këtu jam lindur dhe shkolluar dhe këtu kam punuar. Gjatë gjithë jetës më kanë pëlqyer shtëpitë e vjetra që i kam parë nëpër gazeta. E dua të vjetrën, e dua atë që është antike dhe mundohem gjithnjë ta shpreh me ngjyra dhe duart e mia, sepse kjo është pasuri jo vetëm e imja, por edhe e shtetit. Çdo shtet mundohet që sadopak me anë të trashëgimisë që e konsideroj madhështore të prezantohet para turistëve të huaj dhe para botës”, ka thënë ai
Krejt asaj që ekspozita e sjell para publikut i parapriu performanca e balerinave të grupit “Mjellma” e ajo me kitarë e Bashkim Galicës. Edhe ambienti ishte i atillë që pos pikturave që transmetojnë vjetërsinë sjell edhe dy a tri elemente të vjetra të qytetit, mes tyre një djep.
Ndër të pranishmit, në hapje të ekspozitës qenë akterë të njohur të kulturës dhe artit në Kosovë. Midis tyre edhe Shefki Stublla.
Në vështrimin e tij ndaj artit të Krajkovës ka thënë se është pikërisht ky art që nderojnë historinë e artit dhe kulturës së qytetit të Prishtinës.
“Ramiz Krajkova me veprat në pikturë u bë ushtar kundër harresës, sepse e dinte që çdo e re lind në krahët e së vjetrës. Ishte i bindur që as bakalli që shiste disa gjëra ushqimore para shtëpisë së tij kurrë nuk duhet të harrohet. Veprat e Ramiz Krajkovës në pikturë ia bëjnë nderin atij dhe historisë së artit të krijimtarisë së kulturës në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës”, ka thënë Stublla.
Ai ka folur edhe për stilin që përçon Krajkova me pikturat e tij, duke e cilësuar si një shtysë për t’i bërë punimet e tij interesante për të tjerët.
“Piktori Ramiz Krajkova me pikturat e tij është koherent me kohën, është parimor, është i lidhur ngushtë e në përputhje të plotë me kohën, duke mos rënë kurrë në kundërshtim me veten dhe gjithnjë duke iu përmbajtur stilit të vetë pikturimit të qenies njeri dhe objektit të natyrës. Kjo më bëri që t’i dua veprat e tij artistike, e sidomos për ato piktura që janë pjesë e biografisë së Prishtinës, zejtare, agrare dhe natyrale”, ka thënë Stublla.
Mustafë Halili, që tekstin kritik të tij për këtë ekspozitë e mbyll duke thënë “Ramizi është ylberi i Prishtines”, ka shtuar se ekspozita e Krajkovës është vlerë e shtuar për vendin.
“Për pikturën reale të Ramiz Krajkovës, që iu përkushtua trashëgimisë kulturore të Prishtinës, e kam vështirë të shprehem në këto pak rreshta, sepse Ramiz Krajkova është i kamur me tërë shekullin e tij të punës artistike e që e kaloi nëpër koluaret e Prishtinës, qytetit të tij të lindjes dhe kryeqytetit të Kosovës. Këtë pasuri mendore e arriti duke e hulumtuar trashëgiminë tonë kulturore, duke bluar në mendjen e tij i preokupuar emocionalisht nga brendësia, ku me vrushkuj ngjyrash brumosi idenë për ta sjellë në pëlhurë. Ai motiv e ka Prishtinën”, ka thënë ai.
Ramiz Krajkova mes tjerash qe edhe redaktor i kulturës në Pallatin e Rinisë deri në pension./koha/