Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
E hapur në mars, “Thirrja për projekt-propozimet kulturore 2023” nuk ka shkuar ters veç sa u përket vonesave në vlerësim e rezultate. Çështja e publikimit të mbështetjes vjetore për organizatat e kulturës e të trashëgimisë kulturore në gjysmë të vitit – kur disa prej festivaleve më reprezentative kanë përfunduar – është veç një kapitull i historisë së Ministrisë së Kulturës sa i përket “Thirrjes...” kryesore që mbështet financiarisht skenën e pavarur të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore. Publikimi i rezultateve të vlerësimeve, të hënën pasdite, ka shpalosur se janë lënë jashtë financimit, ngjarjet dhe programet e bartësve kryesorë të jetës së pavarur kulturore në vend. Kësisoj, të paktën sipas listës preliminare.
Ministria e Kulturës, sipas kësaj liste, ka përkrahur 36 organizata me 798 mijë e 600 euro. Me afat ankesash prej 5 ditësh, është refuzuar përkrahja për 313 organizata.
Jashtë listës kanë mbetur disa prej organizatave e ngjarjeve me të cilat identifikohet Kosova edhe ndërkombëtarisht. Midis tyre “DokuFesti”, Qendra “Multimdia”, “Artpolis”, “Chopin Piano Fest” dhe disa të tjera. Arsyet që janë dhënë për këtë refuzim, sipas udhëheqësve të organizatave, janë të kota dhe dëshmojnë se nuk ka punuar sistemi online i aplikimit. Në bazë të listës preliminare me shumën deri në 25 mijë euro janë përkrahur ngjarje që ngelin tejet lokale dhe nuk njihen për ndonjë ndikim në jetën kulturore. Telashe me sistemin online të aplikimit kishte edhe vitin e kaluar. E vonesa e rezultateve tashmë është traditë e MKRS-së.
Ngjarja më e madhe kulturore në Kosovë, “DokuFest” figuron te lista e projekteve të refuzuara.
“Nuk e kalon vlerësimin administrativ. Mungon formulari i aplikimit, buxheti, deklarata e financimit të dyfishtë dhe deklarata e projekteve të financuara”, shkruhet në arsyetim.
Menaxhmenti i “DokuFest” është ankuar në MKRS të martën.
“Përshtypja jonë është se ka pasur ndonjë lëshim ose ‘glitch’ në sistemin e MKRS-së sepse kur aplikuam gjithçka dukej në rregull dhe sistemi pranoi dokumentet e kërkuara”, ka thënë Veton Nurkollari, drejtor artistik i Festivalit.
Festivali i “FemArt” ka pasur edicioni e 11-të prej 15 deri më 21 maj. Me moton “Kalle tutën”, sivjet kanë pasur një prej edicioneve më të pasura. Planifikimet i kanë bërë “pa tutë”, duke llogaritur në përkrahje të MKRS-së. Por kanë përfunduar te lista e projekteve të refuzuara me arsyetimin: “Nuk e kalon vlerësimin administrativ. Mungon formulari i aplikimit, buxheti, deklarata mbi financimin e dyfishtë dhe deklarata për projektet e financuara nga OJQ-ja aplikuese. Po ashtu edhe dëshmia e ATK-së”.
Zana Hoxha, e cila drejton organizatën “Artpolis” që e organizon Festivalin, ka thënë se ka dështuar sistemi online i aplikimit.
“Sistemi ka qenë i tillë që nuk ke mundur të ecësh para me procedurë nëse nuk ngarkohen paraprakisht të gjitha dokumentet. Pra i bie se ka dështuar ai sistem. Ne i kemi zotuar 31 mijë euro për Festival, aq sa i kemi kërkuar nga MKRS-ja. I kemi plotësuar të gjitha kushtet që ishin në thirrje. I plotësojmë edhe kriteret e thirrjes sa i përket programit. Është fatkeqësi që tre muaj pas aplikimit të kemi këto rezultate”, ka thënë ajo.
Thirrja ishte hapur në fillim të marsit me afat për aplikim deri në fund të atij muaji. Hoxha ka bërë të ditur se pas aplikimit nuk kanë pranuar kurrfarë shkrese elektronike nëpërmjet së cilës konfirmohej se është pranuar aplikacioni.
“MKRS-ja duhet që menjëherë t’i shqyrtojë ankesat dhe organizatat që kanë reputacion duhet të përkrahen aq sa e meritojnë. Më pas duhet të nënshkruhen kontratat e të mos vonohemi më shumë”, ka thënë ajo.
“Chopin Piano Fest” edicionin e sivjetmë, të 13-in me radhë e ka përfunduar më 9 qershor. Ky organizim ka përfunduar te lista e projekteve të refuzuara me arsyetimin: “Nuk ka bashkangjitur dokumentacionin e nevojshëm sipas kritereve të përgjithshme dhe të veçanta”.
Drejtoresha menaxhuese e Festivalit, Besa Luzha, ka thënë se e kanë parë listën me shumë shqetësim.
“Jemi të sigurt në aplikimin tonë, i cili i ka pasur të gjitha dokumentet dhe do të shfrytëzojmë instrumentin e ankesës”, ka thënë ajo. Po ashtu ka shtuar se janë të sigurt në cilësinë e Festivalit dhe besojnë që MKRS-ja e ka parasysh edhe jetëgjatësinë e këtij organizimi bashkë me vlerat dhe artistët pjesëmarrës.
Kontradiktë e madhe është parë edhe qasja e MKRS-së në raport me Qendrën “Multimedia”. Programi vjetor i “Multimedias” është refuzuar me arsyetimin se: “Nuk e plotëson kriterin e veçantë, kategoria 1; pika 4”.
“Zhvillimi i diplomacisë publike përmes rritjes së cilësisë së aktiviteteve artistike dhe të trashëgimisë kulturore të cilët prezantohen në sferën ndërkombëtare dhe përmes përfshirjes në rrjetet ndërkombëtare të organizatave të kulturës”, shkruhet në nenin që është përmendur në arsyetimin e refuzimit. Dihet publikisht se aktivitete ndërkombëtare dhe diplomaci kulturore zor se mund të bëjë kush në vend sa bën Qendra “Multimedia”.
“E njëjta MKRS që Qendrës ‘Multimedia’ i ndan çmim vjetor për përfaqësim ndërkombëtar dhe publikisht e uron për përfaqësim të shpeshtë ndërkombëtar, ia refuzon po të njëjtës aplikimin për program vjetor mbi argumentin se programi ynë nuk e përmbushka kriterin e veçantë (4) të kategorisë (1)....”, ka shkruar në reagimin e saj zyrtarja për komunikim e “Multimedias”, Aurela Kadriu. Ajo ka renditur disa fakte.
“Hiç mos me hy më thellë, një nga shtyllat programatike të Qendrës ‘Multimedia’, e të cilën ua kemi sqaruar fije e për pe në aplikim burokratëve ‘njohës të kulturës’ të MKRS-së, është edicioni i sivjetmë i ‘Kosovo Theatre Shoëcase’, një prej ngjarjeve më të mëdha dhe serioze të teatrit në Evropë (sipas kritikëve), i cili organizohet në bashkëpunim me rrjetin IETM (një nga rrjetet më të mëdha dhe më të vjetra kulturore, ku përfaqësohen më shumë se 500 organizata e individë - punëtorë kreativë - të angazhuar në arte bashkëkohore performative)”, ka shkruar ajo. Ka thënë se vetëm në vitin paraprak, pos bashkëpunimeve me institucione e festivale të rëndësishme në Evropë, “Multimedia” është prezantuar me produksionet e saj në “Mittelfest”, Itali, Teatri i Dortmundit, Gjermani, festivali “TESZT”, Rumani, festivali “POLIS”, Itali, në Teatrin Kombëtar të Sarajevës, atë të Mariborit, në teatro të tjerë të Sllovenisë, Kroacisë, Serbisë dhe në teatrin “Kampnagel” në Hamburg të Gjermanisë.
“Vërtet e sikletshme, për të mos thënë e turpshme. Kanë mundur bile të investohen pak më shumë e të gjejnë ndonjë argument tjetër për refuzim, jo këtë, të paktën aq. Nëse doni spektakël, urdhëroni. Por s’bëhen politika kulturore me spektakël”, ka shkruar ajo në një reagim publik.
KOHA të martën i ka adresuar pyetje MKRS-së për situatën e krijuar. Por deri të martën vonë nuk ka marrë përgjigje.
Komisioni vlerësues i përbërë nga Fatbardha Nasufi, kryesuese dhe anëtarët Milot Mustafa, Eronita Januzaj, Detjan Hulaj dhe Nafije Misini kanë vlerësuar se vetëm 36 organizata joqeveritare i kanë plotësuar kushtet për financim.
Sa u përket shumave të përkrahjes prijnë “Autostrada Bienale” me 80 mijë euro, “Anibar” me 70 mijë euro dhe Fondacioni Shtatëmbëdhjetë me 50 mijë euro./koha/