Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Kosova çon në Tajlandë skenën e muzikës klasike

Kulturë  |  16.06.2023 Ora 10:31   

Orkestra Simfonike Mbretërore e Bangkokut do të jetë nikoqire e solistëve dhe interpretuesve të Kosovës në atë që është quajtur “Koncerti i miqësisë midis Tajlandës dhe Kosovës”. Me sopranon Besa Llugiqi e violinisten Sihana Badivuku si soliste, me Visar Kuçin si koncert-mjeshtër në koncertin e dirigjuar prej Toshio Yanagisawas, dirigjent nderi i Filharmonisë së Kosovës, institucioni më i lartë i muzikës serioze në vend përfaqëson atje kulturën vendore. Do të jehojnë edhe veprat shqipe. Hapja bëhet me “Simfoninë nr. 2” të Kreshik Aliçkajt, e do të kulmojë edhe me “Bareshën” ikonike.

Tajlanda është e largët edhe gjeografikisht, por jo për artin e kulturën e Kosovës. Bartës të muzikës klasike në vend do të udhëtojnë atje për t’iu bashkuar Orkestrës Simfonike Mbretërore të Bangkokut. Si me vepra e interpretues, potencialin do ta dëshmojnë javën e ardhshme në sallën madhështore të Qendrës Kulturore të Tajlandës në kryeqytet. Mes veprave botërore, muzika e kënga do të flasin edhe shqip në anën tjetër të botës, të premten e 23 qershorit.

“Simfonia nr. 2” e Kreshnik Aliçkajt është e para në program e “Baresha” ikonike e Rexho Mulliqit është ruajtur për bis. Me dy vepra të kompozitorëve shqiptarë përkufizohet një pjesë e krijimtarisë së hershme dhe e mirëfilltë klasike deri në atë të sotmen. Është një gjuhë e përbashkët e muzikës klasike e cila bëhet çelës i komunikimit nëpërmjet tingujve dhe ngjarja ka marrë emrin si “Koncerti i miqësisë midis Tajlandës dhe Kosovës”. Koncerti vjen si bashkëpunim midis Filharmonisë së Kosovës dhe Orkestrës Simfonike Mbretërore të Bangkokut.

Artistët me nam, sopranoja Besa Llugiqi e violinistja Sihana Badivuku do të ngjiten në skenën në sallën me 1 mijë e 612 ulëse në tre katet e saj. Pos tyre si soliste, koncert-mjeshtër, pozitë që e mban edhe në Filharmoninë e Kosovës, do të jetë violinisti Visar Kuçi. Dirigjent është Toshio Tanagisawa, dirigjent nderi i Filharmonisë, bashkëpunëtor i kahershëm i institucionit më të lartë të muzikës serioze në vend.

Sopranoja Llugiqi do të interpretojë pjesë nga “Traviata” e Giuseppe Verdit dhe nga “Rusalka” e Antonin Dvorak. Gjithashtu edhe “Bareshën” e famshme. Për sopranon që ka ngjitur skenat prestigjioze ndërkombëtare janë të njohura pjesët e operave të cilat i ka luajtur edhe si tërësi.

“Jam përgatitur shumë më herët për koncertin atje, e di programin pasi e kam interpretuar më parë, kështu që gjithçka po shkon mirë. Është repertor që tanimë ka kohë që e këndoj. Sigurisht se kërkojnë përkushtim, nuk janë të thjeshta. Por mendoj se e reprezantojnë më së miri punën time”, ka thënë Llugiqi. Është vlerësuar angazhimi për koncertin në Tajlandë nga Ulpiana Lama e ngarkuara me punë në Ambasadën e Kosovës atje.

Llugiqi ka vlerësuar se ka bërë punë të mrekullueshme, ngase është e vështirë përfshirja në programin e institucioneve të muzikës klasike.

“Mendoj se secili prej nesh ka çfarë të prezantojë, është një përzgjedhje jashtëzakonisht e kujdesshme nga organizatorët që të përfaqësohemi sa më denjësisht. Jam e lumtur të jem pjesë e këtij ekipi. Mendoj se do të jetë një eksperiencë e mirë”, ka thënë Llugiqi.

Violinistja Sihana Badivuku me Orkestrën Simfonike Mbretërore të Bangkokut do të luajë “Introduction” dhe “Rondo capriccioso” për violinë dhe orkestër të francezit Camille Saint-Saëns dhe “Tzigane” për violinë dhe orkestër të francezit Maurice Ravel.

Badivuku ka thënë se beson që do të prezantohen në mënyrë dinjitoze dhe se do të lënë përshtypje tek publiku atje.

“Ky prezantim i artistëve kosovarë në këtë koncert besoj do të jetë madhështor me këto marrëdhëniet bilaterale Tajlandë-Kosovë. Do të performojmë si soliste unë dhe Besa Llugiqi me Orkestrën Mbretërore të Bangkokut. Besoj se do të jetë një përfaqësim shumë i veçantë në interpretim. Posaçërisht për ne është shumë e rëndësishme pasi kjo Filharmoni është nën patronazhin e princeshës së tyre’, ka thënë violinistja Badivuku.

Image
Violinistja Sihana Badivuku dhe sopranoja Besa Llugiqi, janë soliste të koncertit

Gjatë karrierës së tij, violinisti Visar Kuçi ka pasur role me peshë në orkestra evropiane, por ai me Orkestrën Mbretërore të Bangkokut do të jetë i pari në një vend aziatik.

“Për mua personalisht ky koncert ka një rëndësi të madhe meqë do të jetë hera e parë që jam i ftuar si koncert-mjeshtër në një shtet të Azisë, sepse aktiviteti im qoftë si koncert-mjeshtër, solist apo thjesht si pjesëtar i orkestrave shtrihet kryesisht në shtetet evropiane”, ka thënë Kuçi nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.

Kuçi, që është edhe violina e parë e Filharmonisë, e ka vlerësuar të rëndësishëm koncertin e përbashkët për marrëdhëniet kulturore mes shteteve.

“Meqë ky koncert është një organizim që lidhet drejtpërsëdrejti me diplomacinë kulturore të Kosovës dhe njëherësh feston marrëveshjen bilaterale midis Tajlandës dhe Kosovës unë do të jem koncert-mjeshtër për gjysmën e programit të paraparë, ndërsa pjesën tjetër do ta udhëheqë koncert-mjeshtri tajlandez”, ka thënë Kuçi.

Koncerti organizohet nën patronazhin e princeshës së Mbretërisë së Tajlandës, Sirivannavari Nariratana Rajakanya. Është bërë e ditur se nëpërmjet tij edhe festohet dhjetëvjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Tajlandës, sikurse edhe 15-vjetori i Pavarësisë së Kosovës.

Sipas programit të publikuar, bëhet e ditur se do të luhet edhe “Slavonic Dances No.2 & 7” e çekut Antonin Dvořák dhe “Three-Cornered Hat Suite No.2” e spanjollit Manuel de Falla.

Vepra e Kreshnik Aliçkajt aspiron të promovojë paqen mes kombeve të botës edhe në Tajlandë. Kompozitori ka treguar se kjo do të jetë hera e tretë e interpretimit të veprës pas Prishtinës e Tiranës.

“Si vepër muzikore shqiptare është përzgjedhur vepra ime nga drejtori i Filharmonisë, Baki Jashari. Me këtë do ta prezantojmë Kosovën. Në Tajlandë është hera e parë që marrim pjesë dhe është shumë e rëndësishme që Orkestra e Bangkokut është ndër orkestrat e njohura botërore”, ka thënë Aliçkaj. Vepra ishte shkruar në vitin 2011.

Koncerti në Tajlandë vjen si rezultat i bashkëpunimit midis Filharmonisë së Kosovës dhe Orkestrës Simfonike Mbretërore të Bangkokut.

Selimaj, menaxher i Filharmonisë, ka thënë se ky është një projekt për të cilin kishin nisur bisedimet qysh gati para një viti. “Ka qenë një bisedë me të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Kosovës në Tajlandë, zonjën Ulpiana Lama, e cila na ka ndihmuar shumë në gjithë këtë rrugëtim e proces dhe kem arritur deri te një bashkëpunim midis dy institucioneve për ta prezantuar koncert që shënon 10-vjetorin e marrëdhënieve bilaterale mes Tajlandës dhe Kosovës e në të njëjtin kohë edhe 15-vjetorin e shtetësisë së vendit”, ka thënë Selimaj.

Ka vlerësuar se një koncert si ky është i rëndësishëm edhe për zhvillimin e Orkestrës së Filharmonisë dhe të krijuesve. Sivjet Orkestra dhe Filharmonia e Kosovës patën edhe dy koncerte në Portugali në mars, e një muaj më vonë Kori udhëtoi edhe në Selanik.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme për zhvillimin e Orkestrës, për muzikantët, por edhe për afirmimin e muzikës së kompozitorëve të Kosovës, sepse natyrisht kompozitorët kosovarë nuk e afirmojnë Filharmoninë, ajo e ka për obligim t’i afirmojë ata. Besoj që në një të ardhme, me aktivitete të tilla edhe mund të ndikojmë që ato vepra të tërheqin kuruesit e programeve dhe t’i fusin në repertorin e tyre”, ka thënë Selimaj i ftuar në emisionin “Express” të KTV-së, ku ka shpalosur detajet e koncertit në Tajlandë, por edhe të atij që do të mbajë këtë të shtunë në sallën “AMC”, Orkestra e Filharmonia e Kosovës në bashkëpunim me Korin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë dhe Korin e Operës së Kosovës. Do të interpretohet “Massa da Requiem” e Verdit.

Orkestra Simfonike e Bangkokut u themelua në vitin 1982, nën patronazhin mbretëror të Princit të Kurorës Maha Vajiralongkorn. Më vonë, në vitin 1985, ishte regjistruar si Fondacioni i Orkestrës Simfonike të Bangkok dhe në 2016 iu dha leje mbretërore për t'u riemërtuar si Orkestra Simfonike Mbretërore e Bangkokut. Që nga viti 2018, Orkestra i është besuar princeshës Sirivannavari Nariratana Rajakanya. Orkestra Simfonike Mbretërore e Bangkokut ka qenë nikoqire e shumë muzikantëve dhe dirigjentëve me nam ndër vite.

Tajlanda është vendi i dytë aziatik ku prezantohet Filarmonia pas turneut që pati më 2010 në Japoni./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing