Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“PriDox” ndez projektorët me mesazhin për “kursimin e tokës”

Kulturë  |  08.06.2023 Ora 10:12   
Festivali i filmave të metrazhit të gjatë dokumentar “PriDox” ka ndezur projektorët. Edicioni i parë i ngjarjes, e cila organizohet si pjesë e festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest”, vjen me pesë filma të cilët garojnë për çmimin kryesor.   
Filmi që i kushtohet ruajtjes së ambientit dhe përdorimit të një hapësire më të vogël tokësore, duke e lënë tjetrën të paprekur, “Paved Paradise”, ka hapur edicionin e parë të “PriDox” në ekranin e “Kino Armatës”. U ka paraprirë katër filmave të tjerë: “A life on the farm”, “Dear memories”, “Calls from Moscow”, “My Worst Enemy”, prodhime e bashkëprodhime që vijnë nga Gjermania, Kosova, Franca, SHBA-ja, Holanda e të tjera. 

Dokumentari holandez me skenar të Rene Hoeksema, regji të Karsten de Vreugd e producente Jolijn van Rinsum vjen me mesazhin për ruajtjen e tokës. Teksa Bashkimi Evropian promovon bujqësinë organike në vend të asaj intensive, miku i ngushtë i regjisorit De Vreugd, e njëherësh biologu Hidde Boersma thotë krejt të kundërtën. Për të shpjeguar këtë ai jep shembuj të ndryshëm: me gotat e mbushura me topa të vegjël, ku e kuqja dhe e gjelbra tregojnë se si me kalimin e viteve toka ka humbur natyrën e saj të virgjër. Shpalos diagrame dhe interviston biologë, studiues të biodiversitetit e shkencëtarë nga Holanda, Britania e Madhe dhe Kosta Rika. Për këtë problem ai madje i drejtohet edhe Parlamentit Evropian, si dhe shkon të vizitojë disa fermerë të cilët përdorin forma të ndryshme të prodhimit. 
 
Në 91 minuta “Paved Paradise” e çon publikun nëpër disa nga peizazhet më të bukura natyrore duke pasqyruar njëherësh edhe dallimin midis një natyre të paprekur dhe asaj ku njerëzit kanë vënë këmbët. Ai flet edhe për atë se si një tokë mund të rikthehet në gjendjen e mëparshme dhe për këtë jep edhe shembuj të ndryshëm në botë, megjithatë një gjë e tillë nuk është fare e lehtë. Gjëja kryesore është që shoqëria të dijë të përdorë hapësira të vogla të tokës, të përdorë disa zona të caktuara pjellore ku edhe rendimenti të jetë i lartë e i tillë që t’i përmbushë kërkesat e shoqërisë.  

Kishte qenë Hidde ai që kishte dhënë idenë për këtë film dhe i cili së bashku me regjisorin realizojnë të gjitha intervistat nëpër shtete të ndryshme të botës.

“Bëj filma fiksion dhe dokumentarë. Fiksioni është për t’u argëtuar e dokumentari është më serioz. Unë kam punuar me shokun tim të ngushtë Hidden dhe ai ishte duke më treguar për disa fakte shkencore dhe tha se dëshiron të bëjë një film rreth mënyrës se si ne e përdorim token. Unë i thashë se kjo gjë është tepër e mërzitshme. Por, më pas i thashë që nëse mund ta bëj në mënyrën time, atëherë le ta bëjmë. Pra, ky ishte inspirimi”, ka treguar De Vreugd para publikut në sallë. 

Në film dëshmohet se si përdorimi i metodave të vjetra të kultivimit, siç është mospërdorimi i disa makinerive, pesticideve të ndryshme apo serrave kur krijohet temperaturë përmes ngrohjeve artificiale në të vërtetë kërkon sasi më të madhe të tokës. Sipas dokumentarit, përdorimi i metodave moderne të cilat sjellin rendimente më të larta është ajo që duhet të bëjnë njerëzit. 
“Kur flasim për ruajtjen e sistemit ekologjik të planetit ne gjithmonë priremi të mendojmë se duhet të bëjmë më pak dhe se teknika moderne është e keqe ndërsa ajo e vjetra është e mirë. Unë nuk jam pajtuar dhe për këtë arsye edhe kam bërë filmin”, ka thënë regjisori De Vreugd. Teksa ka folur për emocionet e shfaqjes së filmit, regjisori holandez ka folur edhe për natyrën e dokumentarit.
“Gjithashtu jam pak i stresuar që do ta shfaq filmin, sepse nuk është tamam dokumentar. Shumica e dokumentarëve janë të gjatë, të qetë dhe shumë emocionalë, ndërsa ky është shumë i shpejtë dhe për këtë jam pak i stresuar se si do ta presë publiku”, është shprehur ai.

Shfaqjes së filmit i ka paraprirë hapja zyrtare e “PriDox”, i cili organizohet dy muaj pas “PriGlobal”, gjithashtu degë e “PriFestit”.  
Teksa ka folur për themelimin e dy degëve të reja që hyjnë në kuadër të “PriFestit”, drejtori i festivalit, Fatos Berisha, ka bërë të ditur gjithashtu se “PriFesti” do të mbahet në shtator. 

“Programi vjetor i ‘PriFestit’ domethënë është viti i parë që po e bëjmë këtë. Angazhimet i kemi gjatë gjithë vitit. E kemi filluar para dy muajsh me ‘PriGlobal’ që ishte një program shumë i veçantë. Po vazhdojmë më ‘PriDoc’ domethënë me filmat dokumentarë të metrazhit të gjatë që ia kemi dhënë këtë titull. ‘PriFesti’, domethënë ai i madhi, do të mbahet në shtator më datat 12-17 shtator”, ka bërë të ditur Berisha. 

I pranishëm në hapje ka qenë edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Ka folur për mbështetjen e kinematografisë dhe të festivalit “PriFest”. 

“‘PriFestit’ tashmë i është shtuar edhe një komponent, java e filmit dokumentar ‘PriDox’. Me riorganizimin të politikës së mbështetjes së skenës së pavarur kulturore në fokus për mbështetjen e zhvillimit institucional të akterëve të mëdhenj të kësaj skene në mesin e të cilëve është edhe ‘PriFesti’, rezultatet konkrete po i shohim edhe sonte. Si një ndër përfituesit e kësaj mbështetjeje ‘PriFesti’ ka arritur që programit vjetor t’ia shtojë edhe javën e filmit dokumentar. Nuk mundem ta fsheh që jam shumë i lumtur për faktin që aktiviteti kulturor, kinematografik po shtohet e po rritet në vendin tonë”, ka thënë ai.
Menaxheri i “PriFest”, Armend Zeqiri, ka folur për strategjinë e re të festivalit. Ka bërë të ditur se filmat e përzgjedhur vijnë nga vende të ndryshme të botës dhe, sipas tij, kjo është një mundësi tejet e mirë për filmbërësit në Kosovë.  

“Prej sonte kemi filluar me ‘PriDox’. ‘PriFesti’ ka filluar këtë vit me një strategji të re të punës. I kemi bërë dy evente ndaras nga ai kryesori që do të mbahet në shtator. Kemi filluar para dy muajsh me ‘PriGlobal’ dhe këtë javë e kemi ‘PriDox’. Do të shfaqen gjithsej pesë filma të përzgjedhur me shumë kujdes prej Alush Gashit, drejtorit të ‘Kino Armatës’. Janë filma me tema të ndryshme, siç e pamë sonte, kemi pasur një film që për temë pati ambientin dhe ruajtjen e tij për një të ardhme më të mirë”, ka thënë ai. /koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing