Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Kadare: Popujt s’heqin dorë nga triumfi për qytetërim

Kulturë  |  08.06.2023 Ora 10:10   

“Vetë mbledhja jonë këtu në këtë sallë nga shqiptarë të të gjitha zonave e tregon këtë triumf të kombit shqiptar. Nga ky triumf asnjë popull nuk heq dorë. Ky është një triumf për gëzimin e të ardhmen e një populli”, ka thënë Ismail Kadare, të mërkurën, në ditën e dytë në Kosovë, kur presidentja Vjosa Osmani e ka nderuar me urdhrin “Hasan Prishtina”. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ia ka dhënë “Çelësin e qytetit” duke e bërë “Qytetar nderi” të Prishtinës, përderisa ka paralajmëruar ndërtimin e një biblioteke me emrin e tij.

Veprat e tij kanë ndikuar në qytetërimin e popullit shqiptar e përtej tij. Letërsia e Ismail Kadaresë është vlerësuar gjithandej botës për artin e fjalës. Shkrimtari 87-vjeçar shpesh flet për qytetërimin. Këtë e ka bërë edhe në zyrën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

I ftuar në Presidencë për t’u dekoruar me urdhrin më të lartë shtetëror, “Hasan Prishtina”, Ismail Kadare ka folur për historinë e popullit shqiptar e qytetërimin që këto anë gëzojnë sot.

“Të dashur njerëz të Kosovës, njerëz të letrave, artit e kulturës, jam shumë i prekur të jem midis jush për këtë nderim kaq të madh. Çdo shqiptar normal do ta ëndërronte një gjë të tillë”, ka thënë ai. Sipas Kadaresë, është një fat i rrallë që një popull të të nderojë dhe të të bëjë bashkëvajtjes të të drejtave të tij, të lirive të tij, sidomos kur ky popull e ka një histori të vështirë.

“Për fat të keq Shqipëria ka pasur një rrugë të gjatë historike të shkelur me këmbë nga forca të tjera të huaja të jashtme. Por, për fat të mirë gjithashtu, ajo i ka kapërcyer gjatë shekujve në mënyra të ndryshme. I ka kapërcyer vështirësitë e retë e errëta të historisë dhe gjithçka tjetër që mund ta provojë një popull”, ka thënë shkrimtari në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë si mysafir i veçantë i edicionit të 23-të të Panairit të Librit në Prishtinë.

Në Presidencë, përballë autoriteteve më të larta kulturore e shkencore të vendit, ka thënë se kjo ceremoni është një dëshmi e madhe.

“Vetë mbledhja jonë këtu në këtë sallë nga shqiptarë nga të gjitha zonat e tregon këtë triumf të kombit shqiptar. Nga ky triumf asnjë popull nuk heq dorë. Ky është një triumf për gëzimin e të ardhmen e një populli. Me një fjalë, është një triumf për qytetërimin njerëzor e universal për të gjithë popujt ku jetojnë”, ka thënë ai.

Ka folur pak më gjatë se në hapje të Panairit. Mesditën e së martës kishte folur për triumfin e librit. Kishte thënë se i vjen mirë që ndodhet në Prishtinë për ditën e librit.

“Çdo populli kjo i bën një nder të madh. Ne shqiptarët për fat të keq disa herë e kemi neglizhuar, por pastaj jemi kujtuar, i jemi rikthyer. Unë shpresoj që do t’i rikthehemi më mirë, më fort, më bukur në të ardhmen. Ju falënderoj për këtë pritje tejet të gëzueshme tuajën!”, kishte thënë ai.

E të mërkurën në Presidencë ka falënderuar presidenten Osmani “për mendimin e fismë dhe nderimin në një ditë të tillë”.

“Nuk ka nderim më të madh për një intelektual shqiptar sesa kjo që po përjetoj unë këtu bashkë me ju”, ka thënë Kadare pas pranimit të urdhrit “Hasan Prishtina”. Këtë dekoratë presidentja Vjosa Osmani ia ka ndarë me motivacionin: “Për mjeshtërinë e jashtëzakonshme në artin e fjalës të shprehur gjithandej veprave të tij, për përkushtimin me të cilin e ka mbrojtur të drejtën e Kosovës për liri e pavarësi, si dhe për vlerat letrare e intelektuale me të cilat është paraqitur nëpër botë dhe me të cilat i ka lartësuar gjuhën, kulturën, letërsinë shqipe, si dhe vetë popullin shqiptar”.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, rektori i Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, shkrimtarë, botues e personalitete të tjera.

Në këtë ceremoni presidentja Vjosa Osmani ka thënë se të gjithë së bashku në emër të popullit të Kosovës nderojnë shkrimtarin e shquar Ismail Kadare, vepra e të cilit është një enciklopedi artistike e jetës së rëndomtë të shqiptareve, historisë së tyre e dokeve e traditave dhe mbi të gjitha e gjuhës shqipe.

“Jam e lumtur që sot mund t’ua shpreh mirënjohjen e thellë të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të saj për kryeveprat letrare që i keni shkruar dhe të cilat përbëjnë një nga thesaret më të rëndësishme kulturore tonat”, ka thënë ajo. Sipas saj, krahas veprimtarisë letrare Kadare ka qenë vazhdimisht një pikë e rëndësishme referimi për shqiptarët kudo në botë.

“Krijimtaria juaj letrare e zhvilluar kryesisht brenda rrethit të hekurt ideologjik ka dëshmuar se liria e krijimit dhe liria e mendimit nuk mund të kontrollohen nga pushtetet dhe se liria pavarësisht se mund të shtypet në publik, jeton e paprekur në gjakimin e njerëzve për ta parë vendin dhe popullin e tyre të lirë”, ka thënë Osmani. I është drejtuar Kadaresë duke i thënë se ai ka nxitur shpirtin liridashës ndër shqiptarë dhe e ka artikuluar atë kudo që i është dhënë rasti.

“Dhe, për këtë ju jemi shumë mirënjohës”, ka thënë presidentja Osmani.

Pas kësaj pritjeje e dekorimit, Kadare bashkë me ekipin e tij përcjellës, i shoqëruar nga bashkëshortja Helena Kadare është zhvendosur në kabinetin e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. I pari i kryeqytetit ia ka dhënë Kadaresë “Çelësin e qytetit” duke e bërë “Qytetar nderi” të Prishtinës.

“Është nder për Prishtinën e gjithë Kosovën që jeni këtu. Veprat tuaja na kanë motivuar e na e kanë rritur vetëbesimin të gjithëve”, ka thënë kryetari Rama. Sipas tij, Kadare nuk është shkrimtar shqiptar me famë ndërkombëtare por shkrimtar ndërkombëtar që ka qëlluar të jetë shqiptar. I ka rrëfyer Kadaresë se si i ri në Londër, kur tregonte se është shqiptar, përmendte atë dhe Nënë Terezën. Madje ia ka dhënë edhe një lajm.

“Ne jemi në proces të ndërtimit të bibliotekave dhe biblioteka më e madhe e Prishtinës do ta ketë emrin tuaj”, ka thënë Rama. Kadare ka qenë fjalëpakë në këtë takim. Stafi i tij e ka arsyetuar me moshë e lodhje. Botuesi i Kadaresë, Bujar Hudhri, ia ka kujtuar shkrimtarit se pikërisht në Prishtinë është botuar një komplet i veprave të tij për herë të parë. Në Prishtinë nga “Rilindja” i ishte botuar kompleti i parë i veprave të tij të deriatëhershme më 1973.


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ia ka dhënë Kadaresë “Çelësin e qytetit” duke e bërë “Qytetar nderi” të Prishtinës. “Ne jemi në proces të ndërtimit të bibliotekave dhe biblioteka më e madhe e Prishtinës do ta ketë emrin tuaj”, ka thënë Rama

Kosova e ka nderuar jo rrallë shkrimtarin e lindur në Gjirokastër. Çmimi “Letërsia shqipe” i ishte ndarë më 2017. Në anën tjetër, Kadareja u nderua edhe nga Ferizaj me çmimin “Finesa”, përderisa sheshi afër Teatrit të Qytetit mori emrin e tij. Më 2009, Kadare me “Darka e gabuar” mori në Prishtinë shpërblimin për letërsi “Rexhai Surroi”. E lidhjen me Panairin e Librit e ka qysh prej zanafillës së ngjarjes. Ai kishte qenë i ftuar edhe në nëntorin e vitit 1999 në edicionin e parë bashkë me të ndjerin Dritëro Agolli.

“Jam shumë i lumtur që gjendem në mes jush, për herë të parë gjendem në Kosovën e lirë, pikërisht në festën e madhe të librit. Libri shqiptar është një, ashtu si është një kultura shqiptare”, do të thoshte Kadareja në ceremoninë e hapjes, ku pos tij dhe Dritëro Agollit mori pjesë edhe Rexhep Qosja. Më pas më 2009, Kadare me “Darka e gabuar” mori në Prishtinë shpërblimin për letërsi “Rexhai Surroi”. Kosova e kishte nderuar shkrimtarin me çmimin “Letërsia shqipe” më 2017.

“Jam vërtet i nderuar dhe këto fjalë janë pak si klishe kudo në botë. Jam i lumtur që e marr këtë çmim. Por, më besoni, ky çmim i dhënë në Kosovë ka domethënie dhe kuptim më tepër se një çmim për mua dhe rrjedhimisht më jep kënaqësi më tepër se çdo çmim tjetër. Jam i lumtur kur e mendoj se po e marr këtë çmim këtu në Bibliotekën e Kosovës”, kishte thënë Kadare më 6 prill 2017.

Shkrimtari i madh, i cili për gati dy dekadat e fundit ka jetuar më shumë në Paris, kohëve të fundit jeton në Tiranë. Del rrallë në paraqitje publike e veprat e tij mbesin më të kërkuarat ndër lexuesit shqiptarë e ndër më të përkthyerat në kontinentin e vjetër e përtej tij./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing