Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Shifra prej 20.2 milionë eurosh është ajo që llogarit “Manifesta 14” si impakt ekonomik gjatë periudhës 100-ditore prej 22 korrikut deri më 30 tetor të vitit të kaluar, bazuar në rezultatet e nxjerra nga “Instituti GAP”. Të dhënat e publikuara nga vetë drejtoresha e bienales nomade “Manifesta”, Hedwig Fijen, tregojnë për një numër të madh vizitorësh ku numri shkon deri në 139 mijë. Për organizatorët, shifra si këto janë dëshmi se “Manifesta 14” është ngjarja më e madhe kulturore që ka ndodhur në Kosovë që nga shpallja e Pavarësisë.
Ka qenë 22 korriku i vitit të kaluar kur bienalja nomande “Manifesta 14” pati bërë hapjen zyrtare. Aktivitete e shumta dhe intervenimet në 25 hapësirat e saj sollën një atmosferë vibrante në qytetin e Prishtinës ku u pa një numër i madh i vizitorësh. Ngjarjes iu dha jo pak pompozitet e qysh në hapje u dhanë goxha premtime. Megjithatë, të dhënat lidhur më numrin e vizitorëve, përfitimet e Kosovës nga kjo bienale, numrin e të huajve e një sërë statistikash të tjera u publikuan tek gati një viti nga hapja.
Raporti u shpalos në Qendrën për Praktika Narrative në objektin e dikurshëm të bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, një ndër hapësirat e rivitalizuara nga vetë “Manifesta”, ku vazhdojnë aktivitetet edhe pas ikjes së bienales. Tash, pos aty dhe veprës së Petrit Halilajt “Kur dielli të ikë do ta pikturojmë qiellin” majë “Grandit”, gjurmë të prekshme të bienales zor të gjenden. Ndër to as ndërhyrja në qendër të Prishtinës, në lokacionin e njohur si “Te kafet e rakisë” – e prezantuar si një prej ndërhyrjeve kryesore me vija në rrugë dhe disa ulëse – prej muajit të kaluar nuk është më.
“‘Manifesta 14’ ka pasur 139 mijë vizitorë, 807 mijë vizita përgjatë njëqind ditëve. Prej këtyre vizitorëve të veçantë 74 për qind ishin nga Kosova, 6 për qind nga diaspora, 20 për qind nga vendet ndërkombëtare. Kjo është e rëndësishme, sepse ju e mbani mend që unë gjithmonë kam thënë le të jemi radikalisht lokalë. Statistikat po ashtu tregojnë një përqindje të lartë të vlerësimit nga vizitorët prej të cilëve 91 për qind e kanë vlerësuar ‘Manifestan’ tejet pozitivisht. 84 për qind e respondentëve janë pajtuar që bienalja ka angazhuar komunitetin lokal, 59 besojnë që trashëgimia e ‘Manifestas’ do të ndihmojë në rritjen e mbështetjes për sektorin e kulturës në Kosovë”, ka bërë të ditur ajo.
Teksa ka publikuar të dhëna të tjera në lidhje me bienale, Fijen ka thënë se përqindja e lartë e atyre që kanë thënë se do ta vizitojnë përsëri Kosovën është një gjë tejet e rëndësishme dhe pozitive për vendin.
“Raporti tregon që ‘Manifesta’ ka mirëpritur njerëz me formim të ndryshëm kulturorë e profesional. Nuk janë vetëm njerëzit e artit, kuratorët e kështu me radhë, por një numër i madh i njerëzve. Vetëm 6 për qind e vizitorëve ishin profesionistë artesh. Nga audienca ndërkombëtare shumica kanë ardhur në Prishtinë veçanërisht për shkak të ‘Manifestas’. 99 për qind janë shprehur se do ta vizitojnë përsëri Kosovën, një gjë shumë e mirë për institucionet e reja. 100 për qind janë shprehur se do ta sugjerojnë Kosovën tek të tjerët, një gjë po ashtu tejet e rëndësishme”, ka thënë ajo.
Fijen ka theksuar rëndësinë e një imazhi të tillë që përmes “Manifestas” Kosova ka krijuar tek të tjerët, megjithatë, sipas saj, e një rëndësie po kaq të madhe është edhe përfitimi ekonomik.
“Kjo gjë tregon haptazi që ‘Manifesta’ ka ndihmuar në krijimin e një mendimi pozitiv publik për Kosovën, me shpresë që të krijojë turizëm kulturor dhe gjenerata të reja që do ta vizitojnë qytetin dhe vendin. Këto fakte dhe statistika janë me të vërtetë shumë frymëzuese për ne, por çfarë nënkupton kjo në aspektin ekonomik dhe në termet e fitimit. Investimi total i institucioneve publike kosovare ishte 3.7 milionë dhe 1.7 milionë shtesë ishin siguruar nga ‘Manifesta’ përmes donatorëve si Ambasada holandeze në Kosovë. Impakti total ekonomik i ‘Manifestas’ ishte 20.2 milionë euro dhe kthimi nga investimet publike ishte 4 herë më i madh, që do të thotë se për çdo 1 euro të shpenzuar nga institucionet publike, në institucione lokale ekonomike janë kthyer 4 euro”, ka shpjeguar ajo.
Në konferencën për media i pranishëm ka qenë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Teksa ka vlerësuar rezultatet pozitive të anketës, Rama ka kujtuar edhe fillimin dhe dilemat që kishin pasur në fillimet e planifikimi të kësaj ngjarjeje në Prishtinë. “Fantastike”, i ka përshkruar ai rezultatet.
“Lidhur me këto lajme fantastike që ‘Instituti GAP ‘ ka nxjerrë mund të them që ka qenë në të vërtetë i dukshëm ndikimi që ka pasur arti. Ishte i dukshëm që arti nënkupton ekonomi dhe që në fakt arti është para dhe që ne bëmë gjënë e duhur falë edhe Yll Rugovës, i cili në fakt ka pasur kurajën që të aplikojë”, ka thënë ai.
Në mënyrë direkte Ministria e Kulturës kishte investuar 1.9 milionë euro për ardhjen e “Manifestas” në Kosovë”, ndërsa një investim tjetër e kishte bërë përmes ekspozitave në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Statistikat pozitive e kanë gëzuar ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku. Ka folur për rëndësinë e investimit në kulturë.
“Investimi financiar për aktivitete kulturore siguron ndikim të prekshëm ekonomik. Rezultatet dhe gjetjet e jashtëzakonshme të këtij raporti shërbejnë si dëshmi bindëse për ndikimin e fuqishëm që kanë ngjarjet kulturore në ekonomi. Investimi në ngjarjet kulturore nuk është thjesht një veprim për promovimin e artit, por një vendim strategjik që nxit rritjet ekonomike dhe përmirëson gjendjen sociale dhe kulturore në vendin tonë”, ka thënë ai.
Edicioni i ardhshëm i “Manifestas” do të mbahet në Barcelonë prej 8 shtatorit të vitit të ardhshëm./koha/