Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Shenjat e Ismail Kadaresë në Prishtinë

Kulturë  |  07.06.2023 Ora 10:21   

Shkrimtari me nam botëror, Ismail Kadare, do të qëndrojë për tri ditë në Prishtinë, në kuadër të Panairit të Librit. Por, shenjat e tij në kryeqytet janë të kamotshme. Është Biblioteka Kombëtare e Kosovës ajo që e ruan librin e parë të Kadaresë të botuar në Prishtinë – poemën për fëmijë “Princesha Argjiro”. Pos në raftet e bibliotekave, librat e Kadaresë janë edhe në hapësira argëtimi për të rinj. Një prej kafeneve të kryeqytetit, pos librave, edhe vetë lokalin e ka emërtuar sipas mbiemrit të shkrimtarit.

Shumë prej kryeveprave më të njohura të letërsisë shqipe mbajnë autorësinë e tij. Ismail Kadare sidomos kohëve të fundit daljet publike nuk i ka të shpeshta. Gjithnjë duhet një arsye e fortë. Sot (e martë) vjen në Prishtinë për të promovuar kompletin e krejt krijimtarisë letrare. Është Kosova që ia botoi e para kompletin e veprave të krijimtarisë letrare të tij. Kadare vjen në Prishtinë, që ruan shenjat e tij me fanatizëm.
 

Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, shkrimtari Kadare pritet të marrë pjesë në një sërë ngjarjesh e takimesh me emra të shquar të kulturës në vend. Lexuesit do të mund ta shohin edhe nga afër autorin më të përkthyer shqiptar. Ismail Kadare e gjen Prishtinën me jo pak shenja me të cilat çmohen figura e krijimtaria e tij.
 

Është Biblioteka Kombëtare e Kosovës ajo që e ruan librin e parë të Kadaresë të botuar në Prishtinë – poemën për fëmijë “Princesha Argjiro”. Ishte botuar më 8 tetor 1970 dhe menjëherë i ishte bashkuar koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës që tash mban emrin “Pjetër Bogdani”. Botuar nga shtëpia botuese e asaj kohe “Rilindja”, kishte dalë nga shtypi një tirazh prej 2 mijë ekzemplarësh dhe ishte shpërndarë në bibliotekat publike shkollore.

 

Botimi i veçantë u është bashkuar qindra mijëra librave të tjerë që strehohen si koleksione të Bibliotekës.

 

“Siç e verifikuam, ‘Princesha Argjiro’ është libri i parë i Ismail Kadaresë i botuar në Prishtinë nga ‘Rilindja’, në vitin 1970. Është pjesë e koleksionit të një mori librash të letërsisë për fëmijë. Sipas këtyre evidencave, del se ky është libri i parë i veprave të Kadaresë dhe më pas pasuan botime të tjera”, ka thënë drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku.

10 vjet më pas, “Rilindja” kishte botuar edhe kompletin e Kadaresë që ishte pasuar me vizitë të autorit në Prishtinë. Edhe ky komplet i veçantë me vepra të tij ruhet në BKK që prej vitit 1980.
 

“Mbaj mend se ai komplet është shitur aq shumë nëpër gjithë Kosovën dhe pothuajse të gjitha familjet e kanë pasur kompletin në shtëpitë e tyre. Kadare është një autor i lexuar më së shumti prej autorëve të letërsisë shqipe, autor që ka bërë emrin te lexuesi në mënyrën e tij. Është autor për të cilin thuhet, dhe ka dëshmi, se duke parë popullaritetin e veprës së tij ka filluar të mos shpërndahet tutje, të mos dërgohet në libraritë e Kosovës”, ka thënë Gajraku, drejtor i BKK-së.
 

Sipas tij, veprat e Kadaresë janë të vlefshme dhe ruhen me kujdes bashkë me krejt veprat e tjera në Bibliotekë.
 

“E rëndësishme është pa dyshim, kjo është Bibliotekë Kombëtare që ka për detyrë dhe përgjegjësi që gjithë këta autorë, gjithë trashëgiminë e letërsisë ta ruajë me kujdes”, ka thënë më tej Gajraku.
 

Pos në raftet e bibliotekave, librat e Kadaresë janë edhe në hapësira argëtimi për të rinj. Njëra prej kafeneve të kryeqytetit pos librave, edhe vetë lokalin e ka emërtuar sipas mbiemrit të shkrimtarit.
 

“Gjakftohtësia”, “Mëngjeset në kafe Rostand”, “Buzëqeshje mbi botë” janë midis titujve që mund të gjenden aty. Ashtu edhe kompleti me vepra të Kadaresë i botuar prej “Rilindjes”.
 

Menaxheri i kafenesë “Kadare bar & books”, Lorik Binaku, ka thënë se emërtimi i lokalit ka qenë shenjë respekti ndaj shkrimtarit të madh shqiptar.
 

“Emrin ia kemi vendosur për ta respektuar. Ka qenë trend të vendosen emra anglisht kur e kemi hapur, shumica kanë qenë me emra të artistëve anglezë a francezë, por ne thamë që pse të mos e respektojmë Kadarenë, është më i madhi”, është shprehur Binaku.
 

Shenjat e Kadaresë janë edhe më të dukshme me portretet e frazat e shkrimtarit. “Njeriu në jetë ka nevojë për një filxhan shkencë, një shishe kujdes dhe një oqean durim”, është fjalia e shkruar me shkumës në një dërrasë të vogël të zezë me të cilën vizitori ka kontaktin e parë në ambient. Anash saj, afër tavolinës mbështetur për muri, kanë qenë tri portrete të shkrimtarit.
 

Lorik Binaku ka thënë se fillimisht koncepti për të kishte qenë të jetë si një lloj gjysmë librarie, porse, sipas tij, nuk kishte pasur aq interesim për lexim. “Njerëzit e kanë gjetur veten këtu, njerëzit që lexojnë, normal që duan të rrinë pranë librave dhe fundja edhe për t’i parë mjafton, përderisa nuk kemi as lexues, me kohë njerëzit duhet të socializohen me librin, të kuptojnë pse ekziston, pse e shfletojmë dhe se cili është ndryshimi, pse lexojmë një libër fizik dhe pse në internet”, ka thënë Binaku më tej, derisa është shprehur se do të ishte i lumtur nëse Kadare do të vizitonte hapësirën që mban mbiemrin e tij.
 

Kosova e kishte nderuar shkrimtarin me çmimin “Letërsia shqipe” më 2017. Ai kishte qenë i ftuar edhe në nëntorin e vitit 1999 në edicionin e parë të Panairit të Librit bashkë me të ndjerin Dritëro Agolli. E sivjet në Panair është i ftuar nderi edhe akademiku e shkrimtari Rexhep Qosja.
 

Në anën tjetër, Kadareja u nderua edhe nga Ferizaj me çmimin “Finesa”, përderisa sheshi afër Teatrit të Qytetit mori emrin e tij.
 

“Jam vërtet i nderuar dhe këto fjalë janë pak si klishe kudo në botë. Jam i lumtur që e marr këtë çmim. Por, më besoni, ky çmim i dhënë në Kosovë ka domethënie dhe kuptim më tepër se një çmim për mua dhe rrjedhimisht më jep kënaqësi më tepër se çdo çmim tjetër. Jam i lumtur kur e mendoj se po e marr këtë çmim këtu në Bibliotekën e Kosovës”, kishte thënë Kadare më 6 prill 2017. Më 2009, Kadare me “Darka e gabuar” mori në Prishtinë shpërblimin për letërsi “Rexhai Surroi”.
 

Me Panairin e Librit në Prishtinë ka një lidhje që prej vitit 1999, në edicionin e parë në Kosovën e lirë. “Jam shumë i lumtur që gjendem në mes jush, për herë të parë gjendem në Kosovën e lirë, pikërisht në festën e madhe të librit. Libri shqiptar është një, ashtu si është një kultura shqiptare”, do të thoshte Kadareja në ceremoninë e hapjes, ku morën pjesë edhe shkrimtarët Dritëro Agolli dhe Rexhep Qosja./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing