Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Me muzikë e këngë është hapur edicioni i trembëdhjetë i festivali “Ura me tri harqe”, një bashkëpunim midis Universitetit të Arteve në Tiranë, Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, si dhe Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Përfaqësuesit e të tria institucioneve kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave midis profesorëve dhe studentëve të këtyre institucioneve.
Universiteti i Prishtinës është nikoqiri i sivjetmë i “Urës...”, që promovon dhe u jep hapësirë ta shpërfaqin talentin e tyre studentëve të arteve. Për dy ditë shpalos koncerte, ekspozita, shfaqje filmash të metrazhit të shkurtë, biseda e të tjera. Krejt janë vepra studentore.
Hapja solemne të enjten në Kino “Armata” nisi me Korin dhe Orkestrën e Fakultetit të Arteve, nën dirigjimin e Edon Ramadanit. Pas kësaj hyrjeje të shkurtër, ka qenë profesoresha e Fakulteti të Arteve, Rreze Kryeziu, ajo që ka përshëndetur të pranishmit, teksa ka theksuar rëndësinë e një manifestimi të tillë. Ka thënë se arti nuk duhet të njohë kufij.
“E lumtur qëndroj sot para jush në këtë ngjarje të veçantë tashmë tradicionale për ne, prandaj mirë se vini në botën e krijimtarisë dhe shprehjes. Edhe në këtë edicionin të ‘Ura me tri harqe’ jemi këtu për të vazhduar njohjen mes tyre, vizionit të artistëve tanë studentë, krijimtaria e të cilëve nuk njeh dhe nuk do të duhej të njihte kufij. Ne, me anë të kësaj platforme manifestojmë talentet, të cilët lulëzojnë brenda mureve të institucioneve tona, një ngjarje e veçantë e tri universiteteve të artit. Festë e performancës dhe kreativitetit’, ka thënë ajo.
Në rolin e udhëheqëses së një numri aktivitetesh të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, Kryeziu ka theksuar edhe hapësirën që këto institucione janë përpjekur t’ua japin studentëve. Ka pasur edhe një mesazh për studentët.
“Universitetet, institucionet e artit kanë qenë gjithmonë thellësisht të përkushtuara për të nxitur krijimtarinë dhe zhvillimin e aftësive të studentëve. Prej sot, për dy ditë me radhë, ne do të festojmë sukseset, pasionin, dedikimin dhe fuqinë tuaj për të ndryshuar botën mes artit. ‘Ura me tri harqe’ është një platformë që vlerëson diversitetin duke përqafuar të gjitha format e shprehjes artistike, nga tradicionalja në avangarde. Për artistët tanë studentë shprehi mirëseardhjen tonë të ngrohtë. Lëreni artin tuaj të shkëlqejë sepse përmes krijimtarisë ju do të ndryshoni zemrat, do të sfidoni mendjet dhe do të formoni një të nesërme më të mirë”, ka thënë ajo.
I pranishëm në ceremoni ka qenë edhe rektori i Universiteti të Prishtinës, Qerim Qerimi. Fjalimin e tij e ka nisur me kohën kur shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare botoi romanin e tij të njohur “Ura me tri harqe”, sipas së cilës e ka marrë edhe emrin ky festival. Ka folur edhe për rëndësinë e kultivimit dhe zhvillimit të aktiviteteve kulturore midis këtyre tri universiteteve.
“Të rralla janë rastet kur na jepen mundësia, nderi e privilegji që të gjendemi në një mjedis të tillë, solemn e artistik, siç është ky përurues i edicionit të 13-të, manifestim artistik ndëruniversitar me titullin simbolik ‘Ura me tri harqe’. Këtu e afër gjysmë shekulli më herët kur Universiteti i Prishtinës nuk kishte mbushur dhjetë vjeç, shkrimtari ynë i njohur i letërsisë shqiptare dhe jo vetëm, Ismail Kadare, kishte hedhur në dritë veprën me titull domethënës ‘Ura me tri harqe’”, ka thënë rektori Qerimi. Ka thënë se dekada më vonë pikërisht ky titull u bë emërtues i përbashkët i këtij manifestimi artistik, konceptuar, ideuar e bashkorganizuar nga tri universitete të botës shqiptare. ”Janë pra këto si tri shtylla të forta të urës kadareiane që prej vitesh po e kultivojnë dhe promovojnë punën artistike të studentëve të këtyre tri universiteteve tona”, ka thënë ai.
Dekani i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Tetovë, Senad Abduli, ka thënë se “Ura me tri harqe” ka bërë një hap para në zhvillimin e bashkëpunimit kulturor të këtyre tri institucioneve. Edhe pas trembëdhjetë vjetësh aktivitete, Abduli është shprehur se ky manifestim ka arritur ta ruajë qëllimin kryesor të tij.
“Është i vetmi manifestim që takon profesorë, studentë artistë të të tria qendrave arsimore të shqiptarëve dhe konceptimi i sivjetmë, ku janë inkorporuar tri fakultete në një program të larmishëm e të përbashkët, është edhe një hap përpara për pasurimin e faktit që universitete tona, profesorët e studentët për pasurimin e faktit që universitetet tona, profesorët e studentët veprojnë të unifikuar si një institucion i vetëm. ‘Ura me tri harqe’ është rritur në përmbajtje e formë nga viti në vit pa humbur qëllimin kryesor, takimin e bashkëpunimin e tria qendrave universitare shqiptare si shkëmbim eksperiencash mes profesorëve dhe pasurimi të arritjeve të përvitshme të studentëve të të tria fakulteteve”, është shprehur ai.
Në rolin e nikoqiri të këtij edicioni, dekani i Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, Hazir Haziri, ka folur për aktivitetet e shumta të këtij edicioni. Ka thënë se është e rëndësishme që studentët t’i shfrytëzojnë këto aktivitete për të shpërfaqur talentin dhe kreativitetin e tyre.
“Ky manifestim që këtë vit shënon trembëdhjetëvjetorin si aktivitet i përbashkët i Universitetit të Arteve të Tiranës, Universitetit të Tetovës, Fakultetit të Arteve dhe nikoqirit të sivjetmë, Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës. Kjo ngjarje e përbashkët kulturore gjatë këtyre ditëve do të shpërfaqë ide, krijime novative artistike në mesin e të cilave do të shohim, shijojmë, promovojmë prurjet e reja artistike, andaj përqafojeni këtë mundësi që është këtu për t’i përforcuar zërat tuaj dhe për të shfaqur shkëlqimin tuaj para botës krijuese dhe jo vetëm”, ka thënë ai.
Në vazhdën e aktiviteteve të ditës së parë, në Kino “Armata” u shfaqën edhe disa filma të metrazhit të shkurtër, si “Cogito Ergo Sum”, nën regji të Jehona Ajdini, “Mali i mallkuar” nga Ekrem Xani, “Zotëria i Rërës” nga Fationa Miftari për të vazhduar më pas te filmat e metrazhit të shkurtër dokumentar: “The voice of Silence” (Zëri i heshtjes), nën regji të Semir Çerkezit, “Freed in Search of freedom” (I liruar në kërkim të lirisë” nga Merita Çegrani e të tjerë. Po këtë ditë, në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë është hapur edhe një ekspozitë me punime të studenteve të të tria fakulteteve, ndërsa në mbrëmje, në Teatrin e Studentëve të Fakultetit të Arteve në Prishtinë janë dhënë tri shfaqje teatrore: “Babilon TV”, “Mbi dëmin e duhanit” dhe “Bardh”./koha/