Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“DokuFesti” me 11 filma nga Kosova në Gjenevën e kryqëzimit të kulturave

Kulturë  |  22.05.2023 Ora 10:15   

Universiteti i Kulturave të Gjenevës, që njihet si universiteti i kryqëzimit të kulturave, do të jetë nikoqir i 11 filmave të prodhuar në programin edukativ “DokuLab” të “DokuFestit” i cili tash e 12 vjet nuk është vetëm laborator prodhimesh filmike, por nxitës i kreativitetit tek të rinjtë. “Arti i personales”, “Perceptimet e identitetit” dhe “Tregime të thjeshta nga një rajon kompleks” janë tri programet e shfaqjes së filmave dhe do të shoqërohen edhe me diskutime

 

Puna e filmbërësve të rinj në kuadër të programit edukativ “DokuLab” të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” do të prezantohet në Gjenevë të Zvicrës. Filmat që trajtojnë temat e shoqërisë në vend do të prezantohen në Universitetin e Kulturave të Gjenevës në tri programe. “Arti i personales”, “Perceptimet e identitetit” dhe “Tregime të thjeshta nga një rajon kompleks” do të sjellin para publikut zviceran 11 filma të ish-studentëve të “DokuLabit”. Rrjedhimisht edhe atje, sikurse ka ngjarë në shumë vende nëpërmjet kinematografisë vendore, do të prezantohen temat autentike, por edhe universale.
 

Në Gjenevë do të jenë të pranishëm drejtori programit “DokuLab”, Eroll Bilibani, dhe koordinatorja e projekteve Malbora Krajku bashkë me ish-nxënësit Dafina Daka dhe Lyra Pozhegu. Do të prezantohen edhe filmat e tyre të shkurtër: “Burri” i Dakës dhe “Shpresa” nga Pozhegu. Programet vijnë në bashkëpunim me shoqatës “Universiteti Popullor Shqiptar” që punon në mbështetje të emigrantëve drejt integrimit në Zvicër në kuadër të punës së universitetit zviceran.
 

Prezantimi i filmave nis më 26 maj me programin e parë, ku në 33 minuta do të prezantohen filmi “Shtojzovalle” i Flutura Balaj, “Pa përkufim” i Era Skivjanit, “Laetitia” e Laureta Paçarizit e “Shpresa” e Lyra Pozhegut.

 

Me “Shtojzovalle” do të prezantohet tema e besëtytnive në krijesa magjike të mitologjisë shqiptare që zotërojnë fuqi të mbinatyrshme.

 

“Të gjendur shpesh në pyll duke kënduar dhe kërcyer, shtojzovallet më në fund kapen nga sytë e njerëzve. Pas shekujsh të jetuari rreth nesh, ata na ftojnë në realitetet e tyre mistike. Duke na lënë të takojmë superfuqitë e tyre, botën e tyre të bukur dhe dëshirën për muzikë, këto shtojzovalle na ndihmojnë të reflektojmë mbi mundësitë e humbura që kemi pasur për të parë dhe vlerësuar çdo shtojzovalle në jetën reale”, shkruhet për filmin në komunikatën e “DokuFestit”.

“Pa përkufizim” ngërthen rrëfimet e personazheve për paragjykimet dhe diskriminimin në shoqërinë kosovare në 6 minuta. E filmi tjetër i metrazhit të shkurtër emërtohet prej gruas franceze dhe sjell rrëfimin e saj. Laetitia jeton në Prizren që përballet me sëmundjen në të dyzetat e saj.
 

“Kur ajo është 41, sëmuret përfundimisht dhe e di se do të vdesë në një kohë të shkurtër. Që nga ky moment, forca, dashuria dhe besimi i saj fillojnë të rriten në mënyrë të mahnitshme”, shkruhet për filmin “Laetitia”.
 

Shpresa si koncept shpaloset në filmin e Lyra Pozhegut. Edhe personazhi kryesor është Shpresa tek rrëfen për kohën e luftës derisa shpëton dy vëllezërit e saj nga kampet e armikut. Është njoftuar se në përfundim të programit të parë do të diskutohet rreth temës së çështjeve gjinore, pozicionin e gruas në shoqëri, rolet e paracaktuara nga shoqëria dhe fushën e mundësive dhe stereotipizimin. Në panel do të marrin pjesë shkrimtarja e ligjëruesja në Universitetin e Edukimit në Lozanë, Bessa Myftiu, Agi Foldhazi, asistent në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Gjenevës, Saranda Ademi, përkthyese dhe regjisorja Lyra Pozhegu.
 

Në programin e dytë “Perceptimet e identitetit” që do të përmblidhet në 28 minuta, do të shfaqet filmi “Në ylber” i Vlera Azizit, që fokusohet në jetën e një anëtari të komunitetit LGBT dhe luftën kundër intolerancës në kryeqytet.
 

“Ne ndjekim dy mbretëresha të famshme në përpjekjen e tyre për të përqafuar personalitetin e tyre të shkëlqyer gjatë gjithë kohës duke u përgatitur për performancën e tyre të radhës”, ka shkruar “DokuFest” për filmin.
 

“Burri” i Dafina Dakës, që do të jetë e pranishme në ngjarje, përcjell të rinjtë dhe gjendjen psikologjike të tyre. “Koncepti i këtij dokumentari është të rritë ndërgjegjësimin ndaj maskulinitetit toksik, i cili prek shumë të rinjtë në Kosovë dhe në shumicën e rasteve çon në pasoja emocionale si depresioni, agresioni, vetëvlerësimi i ulët, demotivimi, konfuzioni në vendimmarrje sidomos në zgjedhjen e karrierës”, bëhet e ditur në komunikatë për filmin “Burri”. Në 9 minutat e filmit “Pa vëlla” të Alba Demirit dhe Genta Sefës mblidhen rrëfimet e katër grave në familjen e tyre pa vëlla. Vlerësohet si “një film që kapërcen stereotipat gjinore”.
 

Edhe programi i dytë do të pasohet me diskutim mbi perceptimet e identitetit. Panelit paraprak do t’i bashkohet në këtë pjesë artisti Bekim Ballkanika. E tjetri që ka për temë “Tregime të thjeshta nga një rajon kompleks” do të përfshijë filmin “Tymi” të Gorana Jovanoviq. “Një shtëpi u dogj gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, por tymi mbetet”, shkruhet në prezantim të filmit. “Pranverë në verë” i Mila Radonjikj, Vanja Ristiq dhe Edin Alija në tetë minuta kap njerëzit që përdorin burimin e ujit, duke eksploruar lidhjet e njerëzve, dallimet e përvojat e përbashkëta. Gjithashtu do të shfaqen edhe “Valëvitje” e Norika Sefës dhe “Naser” i Biljana Duloviq, Mateja Raickovid dhe Yllka Haxhikadrija.
 

Në përmbyllje do të mbahet diskutim rreth temave që kanë të bëjmë me pakicat dhe diskriminimin. Sipas komunikatës, “kjo temë do të synojë të kontekstualizojë rolin e përkatësisë etnike dhe vendin e saj në shoqëri, midis njohjes dhe diskriminimit, stereotipave dhe respektimit të dallimeve”.
 

Pos Eroll Bilibanit, në diskutim do të bashkohen edhe Iulia Hasdeu, bashkëpunëtore kërkimore antropologe në Universitetin e Punës Sociale dhe avokati Gëzim Ilazi.
 

Pos filmave, më 2 maj është promovuar libri “Mes dy trojeve” i Arsim Sharrit, si dhe u zhvillua takimi me profesorin e shkrimtarin Qerim Kastrati, ku u prezantuan librat “Bjeshkët dhe Nemuna” dhe “Resurset natyrore turistike të Kosovës”.
 

Është bërë e ditur se aktivitetet në Gjenevë do të shërbejnë për të përditësuar njohuritë, rritjen e ndërgjegjësimit te publiku për çështjet që anashkalohen apo bëhen tabu.
 

Universiteti i Kulturave i Gjenevës është universiteti i kryqëzimit të kulturave. Më shumë se 80 kombësi të ndryshme njihen me Gjenevën dhe Zvicrën, me frëngjishten dhe gjuhët e saj kombëtare, diversitetin dhe historinë e saj. Ky institucion si shoqatë është vend ndërkulturor për zviceranët dhe njerëzit me prejardhje migrimi. Ka për synim të mbështesë integrimin social, kulturor, arsimor dhe ekonomik të audiencave të shumta në Gjenevë./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing