Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“Siparantumi” sjell në “ReMusica” jehonën e skenave botërore

Kulturë  |  18.05.2023 Ora 10:22   

Kori tashmë i njohur botërisht, në “ReMusica” ka sjellë magjinë e interpretimit vokal dhe jo vetëm. Përderisa ka një agjendë të ngjeshur e po përgatitet për ngjarje deri në Korenë e Jugut, të martën e ka rezervuar për publikun vendor. Koncerti në kishën “Shën Ndou” ka qenë i veçantë

 

“Siparantumi” i skenave botërore është rikthyer para publikut vendor në kuadër të festivalit “ReMusica”. Kori me çmime e pjesëmarrje në ngjarje madhore nëpër botë ka sjell plot ngjyra e madhështi në atmosferën që interpretohet nëpër salla të njohura të muzikës. “Siparantum” në “ReMusica” ka sjellë magjinë e interpretimit vokal dhe jo vetëm. Përderisa ka një agjendë të ngjeshur e po përgatitet për ngjarje deri në Korenë e Jugut, të martën e ka rezervuar për publikun vendor. Koncerti në kishën “Shën Ndou” ka qenë i veçantë. Se publikun e pret një i tillë u paralajmërua qysh në tingullin e parë, kur prapa publikut u dëgjua daullja e Fidan Strumcakut.
 

Mbrëmja nisi me “Fire” të kompozitores kanadeze, Katerina Gimon. Interpretimi është veshur edhe me koreografi. Anëtarët e Korit janë lidhur për duarsh me njëri-tjetrin dhe teksa lëviznin krijonin tinguj edhe duke përplasur këmbët përtokë. I tërë ky kombinim midis tingujve të daulles, përplasjes së këmbëve e përzierjes së zërave i dha këngës natyrë dramatike e përplot tension.
 

Ende pa dalë nga magjia e tingujve të këngës së parë, “Siparantum” e futi publikun në një gjendje krejt tjetër, më melankolike e më të ndjeshme. Anëtarët e grupit u shpërndanë në katër anët e sallës teksa në duar mbanin nga një qiri. Kanë interpretuar “Moltiva” të kompozitores ukrainase Anna Gavrilets, e cila u vra në fillim të luftës në Ukrainë. Për ta përçuar edhe më thellë te publiku tematikën e këngës, deri në përfundim të performancën salla ishte e ndriçuar vetëm nga qirinjtë. Si simbolikë e ngjitjes në qiell qe edhe interpretimi i solistes Fiona Shabani, e cila e këndoi këngën që nga kati i dytë i Kishës.

 

Nga veprat e gjenive botërorë të muzikës klasike, si Bach, Sandberg e të tjerë, “Siparantum” e shëtiti publikun edhe nëpër tingujt e koloritin shqiptar. Interpretoi vepra të Lorenc Antonit, Baki Jasharit, Rafet Rudit, Rexho Mulliqit e të tjera. “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” e Baki Jasharit erdhi ashtu si edhe teksti. Nisi me pëshpërima fjalësh të cilat të përziera me njëra tjetrën krijonin një natyrë mjegulle e ëndrre. Kënga vazhdon me përsëritjet e vazhdueshme të ‘pakëz në ëndërr, pakës në zhgjëndërr’ dhe tamam kur duket se tingujt do të shpërthejnë, notat bien për t’u kthyer përsëri në vegullinë e ëndrrës. Në fund teksti i saj vjen në formën e një recitimi, interpretuar nga baritoni Shaban Behramaj.

 
Image
Nga veprat e gjenive botërorë të muzikës klasike, si Bach, Sandberg e të tjerë, “Siparantum” e shëtiti publikun edhe nëpër tingujt e koloritin shqiptar
 

Përveç këngëve e koreografisë, në kuadër të “ReMusicas”, “Siparantum” solli edhe dy premiera: “Hajde, hajde” të kompozitorit Vasil Tole dhe “Elegji për viktima e koronës” të Memli Kelmendit, njëherësh dirigjent e udhëheqës i Korit i cili ka marrë disa çmime botërore.

Kelmendi është shprehur i lumtur që pas pjesëmarrjes nëpër koncerte të ndryshme ndërkombëtare arriti që të realizonte koncert edhe në vendin e vet. Ka bërë të ditur se momentalisht janë duke u përgatitur për Olimpiadën e Koreve Botërore.
 

“Ka qenë tepër kënaqësi dhe paralelisht do të thosha edhe emocion, sepse ato sukseset tona që po ia sjellim vendit tonë kemi dashur ta ndanim të njëjtën energji edhe me njerëzit të cilët na duan dhe na përcjellin. Po më vjen shumë mirë që publiku sonte e shijoi magjinë, edhe pse do të thosha që ne jemi duke punuar me një program paralel, sepse jemi duke punuar për Olimpiadën e Koreve Botërore që do të mbahet në Kore. Programi për atje është tepër i vështirë, por megjithatë assesi as unë, askush prej anëtarëve të Korit nuk kemi përtuar të kthehemi në repertorin të cilin duhet t’ia sjellim publikut këtu”, ka thënë ai.
 

Teksa ka folur për programin e këtij koncerti, Kelmendi ka thënë se ky ka qenë një ndër programet më të vështira që ata kanë mbajtur në gjashtë vjetët e fundit.
 

“Natyrisht që ne sonte u paraqitëm me një program të larmishëm të kompozitorëve botërorë duke mos anashkaluar edhe veprat e kompozitorëve shqiptarë. Ishte sonte për herë të parë premierë vepra e Vasil Tole ‘Hajde, hajde’ dhe vepra ime, elegji për viktimat e koronavirusit me tekst të Shqipe Malushit. Po mendoj që sonte programi ka qenë tejet i vështirë. Ka qenë ndër më të vështirët që kemi pasur këta gjashtë vjetët e fundit me vetë faktin se kemi pasur një program krejtësisht kolorit, mirëpo një lodhje shumë e madhe por përkushtim dhe dashuri e madhe”, ka thënë ai.
 

I pranishëm në koncert ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku. Teksa ka përmendur sukseset ndërkombëtare të “Siparantumit”, ministri Çeku ka thënë se ndihet krenar dhe i lumtur me punën e korit.
 

Image
Përveç këngëve e koreografisë, në kuadër të “ReMusicas”, “Siparantum” solli edhe dy premiera: “Hajde, hajde” të kompozitorit Vasil Tole dhe “Elegji për viktima e koronës” të Memli Kelmendit, njëherësh dirigjent e udhëheqës i Korit, i cili ka marrë disa çmime botërore
 

“Një mbrëmje shumë e bukur në katedralen ‘Shën Ndou’ këtu në ‘Ulpianë’. Me ‘ReMusica’ nga festivalet më të mira të Kosovës me një performancë të jashtëzakonshme të korit ‘Siparantum’, një formacion edhe pse relativisht i ri, por me shumë suksese edhe vendore, edhe ndërkombëtare. Ishte një program i gjatë, por shumë i bukur. Publiku e priti shumë, shumë mirë dhe besoj që do të ketë edhe më shumë aktivitete të tjera. E di që kori ‘Siparantum’ vazhdon me një aktivitet shumë të shtuar ndërkombëtar, por ne jemi shumë me fat që nganjëherë i shohim edhe këtu në Kosovë e në Prishtinë”, ka thënë ministri Çeku. Sipas tij, për Ministrinë e Kulturës është gjithmonë kënaqësi të shohë “shumë aktivitete dhe kaq shumë cilësi në artin dhe kulturën e Kosovës”. “Unë jam shumë i lumtur që ne kemi mundësi që përmes formave tona të jemi pjesë e këtyre aktiviteteve dhe të ofrojmë mbështetjen tonë”, ka thënë ministri Çeku.
 

Anëtarja e Korit, Donika Rushiti, ka thënë se të gjithë kanë bërë një punë të madhe për të arritur deri këtu. Inkuadrimi i koreografisë ka thënë se është ajo çka e dallon këtë kor prej të tjerëve.
 

“Unë kam pasur shumë emocione. Zakonisht kam shumë emocione kur këndoj muzikë klasike, por sonte më duket se e kam tepruar ama jam munduar ta bëj më të mirën dhe ne të gjithë jemi munduar ta bëjmë më të mirën. Mendoj se kjo ka qenë karakteristika e korit ‘Siparantum’ që nuk bëhet të themi bajat përderisa secila vepër është ndryshe-ndryshe, nuk është koncert klasik me vepra me partitura, ka koreografi, është atraktive. Nuk është e lodhshme. Më e lodhshme është pjesa tjetër, këndimi, kështu që po mundohemi të bëjmë një miks dhe me ia dalë për publikun”, ka thënë ajo.
 

“Siparantumi” para publikut vendor u prezantua edhe në marsin e sivjetmë kur me “Arkivin e arkivuar” të Memli Kelmendit, në institutin e artit bashkëkohor “Arkiv” në Pejë solli zërat e përjetimeve të luftës që thërrasin paqen. Po në Pejë qe edhe në majin e sivjetmë. Kori i themeluar më 2017 është një histori suksesi që ka arritur të shquhet në Evropë. Me disa çmime botërore, me performanca si ajo në Filarmoninë e Berlinit në marsin e vjetëm e shkurtin e sivjetmë, renditet në vendin e 413 në botë.
 

Deri në mbyllje të këtij edicioni “ReMusica” do të ketë edhe një koncert. Më 23 maj, në Sallën e Kuqe, do të performojë Orkestra e të Rinjve e BE-së./koha

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing