Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Kur publiku hyn për të zënë ulëset, Hanane Hajj Ali është tashmë në skenë. E veshur tërësisht në të zeza, ajo shtrihet, bën zgjatje të muskujve dhe përgatit zërin për shfaqjen “Jogging”. Nis të vrapojë. Është një shfaqje gazmore me kontraste të errëta që ndjek historitë e katër grave: vetë Hananen, por edhe Medean, në versionet antike dhe bashkëkohore. Është vetëm çështje këndvështrimi, frymëzuar nga jeta e vetë aktores e regjisores si grua, nënë, aktore, qytetare, teksa vrapon çdo ditë nëpër rrugicat e Bejrutit për të shpëtuar nga stresi, depresioni dhe osteoporoza. Vjen si ushtrim shëndetësor që ajo e shndërron në një zhytje në thellësitë e ëndrrave dhe të frikës së saj më intime. Mbi të gjitha, sfidë radikale ndaj paragjykimeve që prekin gratë e botës arabe.
Aktorja ka thënë se vrapi dhe aktrimi luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e saj. Në përditshmërinë e jetës së saj, në Bejrutin e dashur të cilin nuk e braktisi asnjëherë. As kur jeta e vendosi përballë sfidave vështirë të kalueshme, të cilat mjeshtërisht i shpalos në shfaqjen “Jogging”.
“Në këtë shfaqje unë e rrëfej rrugëtimin tim personal në Bejrut. Nuk jam larguar asnjëherë nga ky qytet, edhe pse kemi kaluar nëpër luftëra të shumta që nga fëmijëria ime, unë asnjëherë s’e braktisa qytetin tim të dashur. Kam qenë vetë dëshmitare e transformimit nëpër të cilin Bejruti ka kaluar nëpër dekada e sidomos tash kohëve të fundit ku janë katastrofa të shumta. Nga rutina ime personale, them se vrapimi dhe teatri janë dy gjërat që më ndihmojnë të mbijetoj çdo gjë nëpër të cilën kaloj”, ka thënë Hajj Ali.
Gjatë shfaqjes, Hanane e trajton një lloj zbulimi personal, duke i treguar publikut për pasionin e saj. Nëpërmjet ndjesive të saj të jashtëzakonshme, në mënyrë të pazakontë secili zhvendoset në jetën e saj. Një pjesë e tekstit ishte përshtatur edhe për publikun në Kosovë. Vëmendje të veçantë aktorja u kishte kushtuar detajeve. E as nuk i shmangej improvizimit.
“Nga Hanane, shkeli në këpucët e Medeas, personazhi mitologjik, personazh ky të cilin secila aktore do të donte ta luante. Kjo për arsye të një historie shumë të trishtë që mua më ka ndodhur e cila më mbathi këpucët e Medeas. Shfaqja e zbulon si dhe pse. Pak nga pak rrëshqas në shpirtin dhe mendjen e dy grave të tjera të vërteta dhe historitë shpërfaqin edhe qindra e mijëra histori të tjera të fshehura e të heshtura të cilat askush nuk dëshiron t’i tregojë”, ka thënë Hajj Ali.
Me realizimin e kësaj shfaqjeje, Hanane ka vepruar kundër ligjeve për censurë në shtetin e Libanit. Ka rrezikuar shumë. E krejt këtë ka thënë se e ka bërë me një qëllim.
“Unë e mora guximin të mposht censurën në shtetin tim, kam refuzuar të shkoj në bazë të ligjeve për censurë, edhe pse ky një rrezik i madh për burgosje ose për pasoja të tjera. Kam dashur që njëmend të shprehem lirshëm. Pa pritur, kjo shfaqje tregoi suksese të mëdha duke e shëtitur tërë botën për tash e pesë vjet dhe unë jam shumë e lumtur të jem në Kosovë, sepse konsideroj që ky është një shtet që ka ngjashmëri me atë nëpër të cilën libanezët janë duke kaluar tash e shumë vjet e edhe në të tashmen”, ka thënë aktorja.
Kur bëhet fjalë për fjalën e lirë, për zbardhjen e rasteve të heshtura, Hanane Hajj Ali ka thënë se nuk mendon për diçka specifike si burrë a grua, po për njerëzimin në përgjithësi.
“Që të jem e sinqertë kur diçka më lëndon shumë dhe dua që ta them, nuk mendoj për feminizmin apo diçka tjetër. E ndiej nevojën që të them atë që dua dhe nëse nuk e them, askush nuk do ta thotë. Kjo është për hir të njerëzimit. Për hir të grave, burrave, fëmijëve, të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes. Vetëm ndodhi që unë po e tregoj historinë time dhe jam një grua, një nënë, qytetare, grua e aktore dhe nëpërmjet historisë sime personale i tregoj edhe ato të grave të tjera”, ka thënë Hajj Ali.
Pak kohë pas inskenimit shfaqja u bë e njohur nëpër botë duke bërë që Hanane të prezantohej nëpër vende të ndryshme, përfshirë edhe Kosovën në edicionin e 11-të të “FemArtit”. Gjatë kohës sa do të qëndrojë në Prishtinë, ka thënë se do të ndjekë sa më shumë ngjarje në kuadër të festivalit.
“Jam shumë e lumtur që jam në festivalin ‘FemArt’. Mbrëmë e pamë hapjen e bukur dhe besoj se do të shohim edhe shumë pika të tjera të forta të këtij festivali, performanca të mira. Sonte do ta përfundoj shfaqjen time dhe me vrap do të shkoj te tjetra e të tjerat me radhë. Nuk dua që ta humbas asnjërën nga këto performanca”, ka thënë Hajj Ali.
Ishte kërkesë e saj që ta luante shfaqjen në Kosovë. Këtë e ka treguar edhe Venera Ismaili, pjesë e ekipit organizues të festivalit “FemArt”.
“Bashkëpunimi me artisten nga Libani ka filluar qysh në vitin e kaluar kur ajo vetë na kontaktoi që të bëhet pjesë e festivalit ‘FemArt’ dhe kështu kemi filluar kontaktin duke shkëmbyer informata dhe arritëm që ta kemi këtë aktore të përkryer në festivalin tonë. Ideja e saj që të jetë pjesë e këtij festivali kishte ardhur pasi që kishte dëgjuar dhe hulumtuar dhe siç tregon edhe ajo vetë, të dy popujt kanë gjëra të përbashkëta, vuajtjet, sakrificat, gjendjen ekonomike e situatën politike. Kjo e ka lidhur atë që të bëhet pjesë e Festivalit. Përmes kësaj shfaqjeje ajo bën një lloj proteste me situatën ne Liban, por edhe me situatën e grave në përgjithësi”, ka thënë Ismaili .
Hanane ka filluar të punojë në “Jogging” në vitin 2012 dhe që nga premiera ka marrë çmime të shumta, duke përfshirë atë “Vertebra” për aktoren më të mirë./koha/