Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“Pro Arte” në rikthim me homazh e harmoni të pianos e frymorëve

Kulturë  |  17.05.2023 Ora 10:34   

Një formacion si “Pro Arte” është i rrallë dhe i tillë ka qenë edhe interpretimi. Pianoja gjen dialogun harmonik me instrumentet frymore, e me koncert “Pro Arte” ka shënuar dhjetëvjetorin e themelimit dhe rikthimin në skenë dhe këtë e ka bërë edhe në shenjë homazhi për fagotistin e dikurshëm, maestron Fatos Jaho. Veçanti ka qenë vepra e Kreshnik Aliçkajt

 

Nuk ka qenë i rëndomtë koncerti i tretë i Festivalit të muzikës klasike me pianon në qendër. Në fakt jo shpesh instrumentet frymore bëhen bashkë në ansambël tingujsh. Gjashtëshja ballkanike “Pro Arte” me muzikë ka thurur homazhe për ish-anëtarin e grupit, fagotistin Fatos Jaho. Me koncert është festuar dhjetëvjetori i themelimit. Veçanti ka qenë vepra e Kreshnik Aliçkajt, me të cilën grupi është rikthyer në skenë tetë vjet pas vdekjes së bashkëthemeluesit të ansamblit.
 

Përplot ngjyra muzikore ka qenë performanca. Programi është zgjedhur me kujdes, duke marrë parasysh festën e rikthimit në skenë dhe shënimin e një dekade themelimi të ansamblit. Megjithatë, i mungoi ish-anëtari i grupit dhe koncerti nisi me homazh për të. Një prej kornistëve të parë shqiptar, Ilir Kodhima, ka befasuar publikun me kornon alpine në nderim të tij.
 

Atij i janë bashkuar edhe oboistja maqedonase, Marina Nikolovska, fagotisti Orges Malaj, flautistja Enkelejda Zajmi-Gorani, klarinetisti Astrit Mustafa e pianistja Lejla Haxhiu-Pula. Krejt bashkë kanë lidhur tingujt në veprat e dëgjuara rrallë e kanë shpërfaqur interaktivitetin harmonik të instrumenteve para publikut që ka mbushur krejt sallën.

 

Interpretimin e kanë nisur me “Sextet B-Dur, Op.6” të kompozitorit austriak, Ludwig Thuille. Është interpretuar në tri kohë. Në “allegro moderato” ka filluar me atmosferë tërheqëse. Tingujt e parë kanë filluar butësisht me oboan e vetme që sjell melodinë fisnike. Muzika është e këndshme dhe relaksuese, duke sjellë një ndjenjë mirëqenieje. Në “larghetto” tema kryesore është e zymtë. E pjesa e tretë “Gavotte, Andante-quasi allegretto” tingëllon në pjesë vallëzimi simpatik, por pa shumë zhvillim. Nga mesi vjen si më e gjallë e emocionuese. Në të përfshihet ndërveprim mes gjashtë instrumenteve.

 

Ka qenë si lojë e luhatshme duke variuar nga intensivja në minimaliste. Shpesh vëmendja është kthyer nga pianoja e në harmoni janë bashkuar edhe instrumentet e tjera frymore në një vijë me të. Flauti e ka bërë përrallor interpretimin e të tjerat kanë shtuar nga pak dozën e dinamikës. Vepra e Thuilles ka qenë ritmike në kombinimin e pianos me flaut. Tempi shpejtohet e intonacioni ka mbetur i pandryshuar derisa me piano është tentuar të nxiten emocione.

Me veprën e francezit Francis Poulenc për piano, flautë, obo, klarinetë, fagot dhe korno ka nisur me interpretimin në “allegro vivace” ka nisur me ritëm dhe epilogu ka një ngjyrë jazzi. Është fagoti që merr udhëheqjen e një pjese e pastaj përsëritet nga instrumentet tjera. Tempi origjinale kthehet në fund të pjesës, ndërsa ritmet e reja që ngrihen shkojnë drejt përfundimit. Në pjesën “divertissement: andantino” ka pasur shumëllojshmëri interpretimesh me pianon në rol dytësor. Ndërsa “finale: prestissimo” ka ritme jazi, duke krijuar një ndjenjë kohezioni dhe duke përsëritur pjesë nga dy të kaluarat. Përfundon si interpretim solemn.
 

Vepra e fundit ka qenë krejt e veçantë. Ka qenë hera e dytë që është interpretuar “Sexteti pianistik” i kompozitorit Kreshnik Aliçkaj. Ishte shkruar enkas për “Pro Arte’”, por kësaj here u interpretua në mungesë të njërit anëtar. Për vite të tëra ansambli s’e kishte interpretuar, e vendi i tij ishte zëvendësuar me fagotistin Orges Malaj. Vepra nis me tinguj të shpejtë të pianos e krejt instrumentet bashkohen në ritmin e saj. Janë të njëtrajtshëm ata të pianos në harmoni me flautin e klarinetën. Dinamike e bën fagoti. Pianoja e flauti e bëjnë përrallor. Luhatjet e instrumentit me frymë e vazhdojnë lojën në përcjellje të një situate tensionuese e dramatike.
 

Pianistja Lejla Haxhiu-Pula e ka vlerësuar veprën e Aliçkajt si me laramani ritmike e muzikore.
 

“Besoj se janë vepra të cilat në Prishtinë dëgjohen shumë rrallë dhe besoj se ka qenë interesant për publikun e gjerë. Një kombinim i frymorëve me piano dhe dy vepra që i kemi luajtur ishin perlat e literaturës për këtë ansambël, por edhe kompozitori ynë Kreshnik Aliçkaj veprën që e ka kompozuar enkas për këtë ansambël që unë mendoj se pati laramani të madhe ritmike dhe muzikore, ishte shumë joshëse për publikun dhe besoj se e ka pëlqyer”, ka thënë pianistja Haxhiu-Pula, njëherësh drejtoreshë artistike e Festivalit.
 

Si pianiste ka luajtur disa herë në skenën e “Chopin Fest”.
 

“Isha shumë e vetëdijshme se nuk është e lehtë edhe të organizosh, edhe të luash, por e bëra këtë duke qenë se jam pianiste dhe dëshiroj të mbetem në skenë dhe përmes interpretimit të kem kontakt me publikun”, është shprehur Haxhiu-Pula, profesoreshë e muzikës.
 

Kompozitori Kreshnik Aliçkaj ka thënë për veprën se ka ritme shqiptare me frymë moderne. Më parë ishte luajtur edhe në Shkup e Tiranë.
 

“Është shkruar me motive e ritme popullore të trevave kosovare, shqiptare në përgjithësi. Për ato motive janë të miat origjinale, por që janë në frymën e vendit tonë. Është njëfarë kombinimi i ambientit tonë muzikor me frymën moderne evropiane të shekujve XX-XXI”, ka thënë ai.
 

Flautistja Enkelejda Zajmi-Gorani ka thënë se në vend nuk ekziston ky lloj i formacionit, duke e vlerësuar unik e tejet të veçantë edhe për arsyen e rikthimit në skenë pas një dekade qëkur vdiq fagotisti Jaho.
 

“Kemi dhjetë vjet që nuk kemi interpretuar për këtë arsye. Sivjet ishte si një lloj dedikimi për të, për Fatos Jahon, që ka qenë një fagotist i shkëlqyer. Por tash e kemi rikthyer sekstetin edhe njëherë pas 10 vjetësh”, ka thënë ajo.
 

Orges Malaj, që ka marrë tashmë rolin e fagotistit, ka vlerësuar se nuk është aq e lehtë të luhet në këtë formacion.
 

“Është e vështirë të interpretohen në këtë formacion, pasi është gërshetim, ndërthurje e pesë instrumenteve frymore bashkë me pianon. Veprat e përzgjedhura ishin të nivelit të lartë teknikisht e muzikalisht”, ka thënë Malaj.
 

Drejtoresha organizative e “Chopin Piano Fest”, Besa Luzha, ka thënë se deri vonë kanë munguar instrumentet frymore dhe se i kanë shumë për zemër ato.
 

“Seksteti si formacion është kombinim i rrallë e sidomos me këto instrumentet frymore me piano. Ne instrumentet frymore i kemi më për zemër, pasi vite më parë kemi pasur shumë mangësi të instrumenteve frymore. Një nga ata që vinte të kontribuonte edhe në Fakultet, edhe në Filharmoni ishte edhe Fatos Jaho, që për fat të keq ka humbur jetën në vitin 2015. Vepra e parë ishte shumë interesante, as shumë klasike, as shumë romantike, disi moderne”, është shprehur Luzha.
 

Gjashtëshja ballkanike “Pro Arte” është themeluar në vitin 2013. Repertori i ansamblit përfshin vepra jo shpesh të dëgjuara e të veçanta sikurse është edhe vetë formacioni në të cilin luajnë./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing