Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Thirrja “Kalle tutën” ka jehuar në forma të ndryshme dhe është bërë e qartë qysh në hapje të edicionit të 11-të të festivalit “FemArt”. Teksa ka bërë bashkë figura të jetës kulturore e të aktivizmit, ajo që hapi siparin e ngjarjeve ka qenë “Fefu dhe shoqet e saj”. Qe pikënisja e shtatë ditëve plot ngjarje në kuadër të festivalit. Shfaqjes i parapriu interpretimi emocional i këngës me titull “Kalle tutën”, interpretuar nga Zana Berisha, përcjellë me def nga ajo dhe me kitarë nga Urim Maliqi. “FemArt” sivjet nuk e “kall” vetëm tutën. Siç e paralajmëron edhe në editorial “promovon guximin si parakusht” për mposhtjen e frikës. U jep “mundësi së resë, guximit dhe dashurisë që të lindin”. Në këtë frymë ka qenë edhe e para ngjarje.
Hapësira e mensës “Ramiz Sadiku” ka qenë e vogël për krejt të pranishmit, të hënën mbrëma.
Zana Hoxha, drejtoreshë e “Artpolisit”, që e organizon festivalin, ka thënë se publiku i “FemArt” është fantastik dhe e ka bërë të lumtur në natën e hapjes së festivalit.
“Të gjitha kishim emocione sonte, aktoret, regjisorja e edhe publiku. Po më duket e kemi kallë tutën sonte ne si ‘FemArt’ , që e filluam sonte. Është ajo frika se a po fillon mirë, a po ndodh diçka papritur, por jam shumë e lumtur, sepse ‘FemArt’ e ka publikun fantastik, edhe me këtë numër të jashtëzakonshëm jam e lumtur që filluam kaq fuqishëm dhe po shpresoj që kështu të vazhdojmë gjatë shtatë ditëve në Prishtinë dhe Mitrovicë. Janë 28 ngjarje, 15 shtete që prezantohen dhe janë rreth 200 artiste dhe aktiviste nga vende të ndryshme të botës”, ka thënë Hoxha.
Shfaqja “Fefu dhe shoqet e saj” erdhi nën regji të Arlinda Morinës, me trupën e aktoreve të “Artpolis”.
Fefu, një grua e moshës së mesme, i fton për darkë shoqet e saj. Ato vijnë të hareshme, të lumtura dhe plot ambicie për jetë. Mbrëmja e tyre merr një kthesë dramatike kur ato përfundojnë duke treguar rrëfimet e tyre të pakëndshme që sistemi patriarkal e toksik u ka ofruar atyre gjatë jetës. Fundi i shfaqjes është i fuqishëm. Po aq të fuqishme janë edhe gratë pjesë e saj.
Morina ka thënë se edhe gjatë provave ka qenë sfiduese, pasi që ky tekst, sipas saj, shpërfaq një copëz vuajtjeje të secilës grua.
“Ka qenë aq e vështirë për arsye se të gjitha gratë që kanë qenë në shfaqje kemi pasur një vaj brenda vetes që na ka shpërthyer shpeshherë, për arsye se gjithmonë jemi duke dashur të bëjmë komedi brenda vuajtjeve tona, duke qenë shumë morbid me veten tonë, duke mos mundur të themi asnjë fjalë kundër patriarkatit dhe ta çojmë edhe mendimin tonë përpara. Me këtë shfaqje kam hulumtuar dhe e kam parë që gratë kanë çfarë të thonë dhe kanë çfarë të dhurojnë. Të paktën e kanë dashurinë që reflekton në çdo mënyrë dhe në çdo formë”, ka thënë Morina.
Që një shfaqje të këtij lloji ta sjellë në këtë mënyrë para publikut, ajo ka thënë se ka qenë dëshirë e kamotshme.
“U çlirova sonte. Tema ose titulli i këtij festivali është ‘Kalle tutën’, unë e kalla tutën, e pashë që mund ta bëj një shfaqje në mes të një kafeneje, e cila është pak e madhe, që quhet ‘Mensa’. Kam pasur shumë dëshirë që diçka të feminizmit ta krijojmë në minimalizëm dhe dashuria e çikave të cilat më kanë rrethuar bëri që shfaqja të dalë shumë e mirë, si ajo ‘Fefu dhe shoqet e saj”, ka thënë Morina.
Donikë Ahmeti e portretizon Xhulian në shfaqje. Ajo është në karrocë si simbol i dorëzimit të saj ndaj shoqërisë patriarkale. Ahmeti ka thënë se fundi i shfaqjes së dhënë premierë të hënën mbrëma është ndryshe nga teksti origjinal i Jules Aaron dhe María Irene Fornés.
“Unë për vete, karakteri im në këtë shfaqje e përfaqëson një grua, e cila në njëfarë mënyre i është dorëzuar shoqërisë patriarkale, por në fund me ndihmën e shoqeve të saj, të gjitha së bashku ngrihen”, ka thënë ajo.
Në audiencë, në natën e parë të “FemArt” ishte sociologia Rina Brahimi. Ka thënë se hapja e “FemArtit” me këtë shfaqje ishte e qëlluar.
“’FemArt’ e kam përcjellë edhe më herët në edicionet e kaluara. Mendoj se kësaj here me zgjedhjen e kësaj shfaqjeje që e ka bërë Arlinda, kanë qëlluar shumë saktë, për shkak se e prek një tematikë shumë të madhe sociale të cilën jemi duke e përjetuar, dhe në bazë të kësaj hapjeje po besoj që pritshmëritë janë të mira sa i përket festivalit”, ka thënë Brahimi.
E teksti i fuqishëm është ajo çfarë i ka lënë përshtypje aktivistes Luljeta Aliu.
“Sigurisht që shumë mirë. Pati shumë interesim nga publiku, siç e pamë të gjithë. Teksti ka qenë shumë i fuqishëm, ndonjëherë edhe provokativ po them për shoqërinë tonë, për mënyrën tonë të komunikimit. Në disa pjesë kisha përshtypjen që publiku as nuk kishte guxim të qeshte. Natyrisht që deri tani ‘FemArt’ i ka pasur gjithmonë të qëlluara temat e këtë e ka mirëpritur edhe publiku”, ka thënë Aliu.
Me shfaqje ka vazhduar edhe mbrëmja e së martës, në ditën e dytë të “FemArtit”. Ka pushtuar tri hapësira, si teatrin “Oda” me “Jogging” nga Libani e amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës me produksionin slloven, “Five Kinds of Silence”. “Sober” me tekst të Duncan MacMillan, nën regji të Butrint Pashës, është rikthyer në Dispanserinë te Qendra e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, aty ku ishte dhënë premierë në dhjetorin e vjetëm. Ajo zbërthen një histori suksesi, ku një njeri arrin të mposhtë varësinë ndaj drogës, fenomen botëror që në vazhdimësi vret njerëz dhe shkatërron familje”.
“FemArti” zgjat deri më 21 maj, por siç e bën të ditur edhe në editorial, do të vazhdojë të flasë “për gratë që nuk dëgjohen dhe për vajzat që ëndërrojnë”. “Kemi kaq shumë për të thënë përmes shfaqjeve teatrore, paneleve të diskutimit, ekspozitave, konferencave, performancave, punëtorive dhe këngëve e kërcimit. Arti dhe aktivizmi janë hapësira jonë e lirisë, e rrëfimit mbi jetën, kuriozitetit dhe magjepsjes sonë të pafund”, shkruhet në editorial, me thirrjen për zhvendosje të përbashkët një hap para. “Prandaj, guxo të lëvizësh edhe në errësirën e natës. E nëse ke frikë të lëvizësh në errësirën e natës, së bashku e ndriçojmë qyteti! Guxo e kalle tutën për me i lënë vend dashnisë për veten dhe të tjerët”, shkruhet në editorial./koha/