Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“Chopin Piano Fest” feston vlerat evropiane

Kulturë  |  11.05.2023 Ora 10:16   

Nën tingujt e gjenive Mozart, Liszt dhe Beethoven, të interpretuar nga mjeshtri italian i pianos Epifanio Comis dhe “Adra Strings”, ka nisur edicioni i ri i “Chopin Piano Fest”. Festivali i muzikës klasike, i cili këtë vit shënon edicionin e trembëdhjetë, ka nisur mu në Ditën e Evropës. Koncerti i hapjes ka qenë një lloj feste për vlerat evropiane

 

Është bërë traditë që festivali ”Chopin Piano Fest” ta nisë edicionin e ri pikërisht në Ditën e Evropës. Hapja u bë me tingujt e mjeshtrit italian të pianos, Epifanio Comis, i cili pas pjesëmarrjes së vitit të kaluar kishte shprehur të rikthehej në Prishtinë. Është shoqëruar prej harkorëve “Andra Strings” dhe harmonia ka qenë kryefjalë e interpretimit të përbashkët. Ishte vepra për kuartet e Mozartit ajo që e para i bëri një në skenë. E konsideruar si vepër tejet e vështirë për t’u luajtur, ajo ka një hyrje mbresëlënëse që nis me tingujt e lartë të tri harqeve: violës, violinës dhe violonçelit të interpretuar në këtë rast nga Alice Romano, Giovanni Anastasio dhe Alfredo Anastasio. Pas intros së shpejtë, tri harqet ulen për t’i lënë hapësirë pianos të thotë historinë e saj. E gjithë vepra zhvillohet si një dialog midis pianos dhe harkorëve. Duket sikur aty bëhet një betejë fjalësh, sikur instrumentet kanë një çështje me rëndësi për të zgjidhur. Teksa pianoja sjell tinguj të fortë e dramatikë, harkorët shpesh dinë të sjellin tinguj lutës e plot butësi dhe krejt kjo përkthehet në ulje-ngritje të shpeshta.
 

Pas Mozartit, “Andra Strings” e futi publikun në tingujt e muzikës tradicionale të shekullit XVIII e këtë e bëri teksa solli veprën për kuartet harqesh të Beethovenit. Treshes së harqeve iu bashkua edhe violinistja Egle Denaro. Ndonëse ansambli përbëhet nga muzikantë të rinj, interpretimi që iu bë kësaj vepre ka qenë dëshmi e talentit dhe profesionalizmit të tyre. Ajo shquhej nga momente dramatike e plot tonalitet dhe tinguj pak më të butë të cilat janë ura kapërcimesh.
 

Megjithatë ishte soloja për piano e Liszit e interpretuar nga Comis ajo që bëri publikun të ngrihej në këmbë. Është një vepër që vë në pah lojën e shpejtë dhe teknikën në piano. Teksa gishtërinjtë e maestros lëvizin me shpejtësi të pabesueshme nëpër tastet bardhezi, është i natyrshëm fokusimi te duart e tij. “Tarantella from Année de pelerinage” e Lisztit është e duhura për ta zbërthyer mjeshtërinë në piano dhe Comis e ka bërë këtë.

 
Image
Ka qenë kërkesë e vetë Epifanio Comisit që të rikthehej me koncert në Prishtinë, ku kishte interpretuar edhe vitin e kaluar
 

Koncertit i ka paraprirë ceremonia modeste e hapjes.

 

Drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula, ka thënë se këtë vit shpreson që publiku të përjetojë çaste të paharrueshme.

“Të gjithë programin koncertal që e kemi përgatitur me kënaqësinë më të madhe, për ju, për publikun tonë besnik, muzikëdashës, dëshirojmë të mbesin çaste të paharruara përjetimi artistik për të gjithë ne së bashku. Si pasuri e përhershme dhe e patjetërsueshme. Përgjatë një muaji dhe trembëdhjetë koncerteve prej sonte deri më 9 qershor do të shijojmë programet e larmishme të nivelit sa më të lartë artistik”, ka thënë Pula teksa ka falënderuar publikun në sallë.
 

I pranishëm në hapje ishte edhe shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog. Sipas tij, Dita e Evropës duhet të shërbejë për t’i festuar vlertat kulturore të përbashkëta midis shteteve brenda, por edhe jashtë BE-së.

“Është kënaqësi dhe privilegj imi të jem këtu me ju në këtë mbrëmje, në Ditën e Evropës, në hapjen e edicionit të trembëdhjetë të ‘Chopin Piano Fest’ në Prishtinë. Sonte festojmë paqen, bashkimin dhe vlerësojmë vlerat dhe kulturën e përbashkët brenda Bashkimit Evropian e më gjerë. Jam i lumtur për mundësinë që i është dhënë Zyrës së BE-së në Kosovë për të bashkëpunuar me ‘Chopin Piano Fest’ në këtë ditë të rëndësishme për të gjithë ne”, ka thënë Szunyong.
 

Ambasada e Italisë në Kosovë është njëra prej përkrahëseve kryesore të këtij festivali. Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello de Riu, ka thënë se është nder bashkëpunimi me një festival si ky.
 

“Është një kënaqësi e madhe të ju kemi sonte këtu në 9 maj, në ditën e hapjes së ‘Chopin Piano Fest’ e që njëherësh shënon edhe Ditën e Evropës. Në trembëdhjetë vjetët e fundit, falë menaxhmentit të mrekullueshëm, ‘Chopin Piano Fest’ është transformuar në një ndër evenimentet më ikonike kulturore. Sonte ne jemi të lumtur të mirëpresim përsëri profesorin Epifano Comis, i cili është fitues i më shumë se 30 çmimeve kombëtare e ndërkombëtare”, ka thënë ai.
 

Vetë stafi i “Chopin Piano Fest” i ka shprehur mirënjohje maestros së pianos, Epifanio Comis.

Image
Shoqëruar nga “Andra Strings”, harmonia ka qenë kryefjalë e interpretimit të përbashkët

Besa Luzha, drejtoreshë organizative e festivalit, ka thënë se ai është një emër i shquar, tashmë mik i festivalit.

“Epifanio Comis është një prej pianistëve që vetëm po ta lexoni biografinë do ta kuptoni peshën që ka, brilant në çdo aspekt. Është shumë interesant se ai kërkoi vetë që të vinte përsëri, sepse vitin e kaluar ishte me një ansambël tjetër dhe propozoi të vinte. I ka pëlqyer shumë atmosfera në Prishtinë dhe mënyra se si e ka pritur publiku i Prishtinës”, është shprehur ajo.

I lumtur për rikthimin në skenën e “Chopin Piano Fest”, ku ishte performuar edhe në edicionin e kaluar, ishte edhe vetë Comis. Ka vlerësuar veçmas mikpritjen e publikut dhe fryma e Prishtinës është ajo që e ka rikthyer.

“Kjo është hera e dytë që po vij në ‘Chopin Piano Fest’, kësaj radhe me këtë grup muzikantësh. Ishte një gjë shumë speciale, sepse audienca këtu është shumë mikpritëse dhe e mirë. Ata janë shumë të kujdesshëm për performancat dhe me të vërtetë kam ndenja të forta për këtë. Vitin e kaluar erdha me një grup tjetër, një ansambël dhe këtë vit desha ta ndryshoja këtë. Ky grup muzikantësh përbëhet në përgjithësi nga muzikantë të rinj, por tashmë të përgatitur për këtë lloj karriere dhe jam shumë i lumtur që ishin këtu sonte”, ka thënë Comis, i cili më 2013 kishte fituar çmimin e parë ndërkombëtar “Sergei Rachmaninov”. Është pjesë e stafit të mësimdhënësve në kursin kryesor të pianos në konservatorin “Vincenzo Bellini” në Catania dhe në “Accademia Pianistica Siciliana”. Ai ka qenë edhe anëtar jurie i disa konkurseve ndërkombëtare të pianos, përfshirë edhe konkursin ndërkombëtarë të pianos “Rachmaninov” në Moskë. Çdo vit ai ftohet të japë mësime për piano në kolegjin “Hunter” në New York, në Universitetin e Karolinës së Veriut, në “Ecole Normale de Musique” të Parisit, në Konservatorin Shtetëror të Selanikut, në Universitetin Monterrey në Meksikë, në Akademinë Chopin në Varshavë, në kolegjin “Chopin” në Moskë, ku jep edhe një kurs superior muzike për koncerte për piano dhe orkestër. Në vitin 2011 themeloi Akademinë Siciliane të Pianos në Katania. Po ashtu ishte edhe drejtor artistik i “ConcertFest Accademia Pianistica Siciliana” në Moskë.

Sipas Besa Luzhës, bashkëpunimi i Comisit me “Andra Strings” është edhe një lloj simbolike e shteteve anëtare të BE-së, disa më të vjetra e disa më të reja.

“Kur biseduam me Epifanion e propozoi këtë format. Ishte shumë simbolik dhe pikërisht me Ditën e Evropës që po festojmë, sepse Evropa i ka disa shtete që janë pak më të vjetra themeluese, por ka në gjirin e saj edhe shtete të reja dhe ne po presim me padurim që të jemi një ndër ato të rejat. Kështu që kjo e kishte edhe simboliken e vet, por edhe me të vërtetë sa i përket aspektit muzikor ishte një hapje fantastike”, është shprehur ajo.

Image
Lejla Pula, drejtoreshë artistike e “Chopin Piano Fest”, dhe Besa Luzha, drejtoreshë organizative, në hapjen solemne të edicionit të 13-të, të martën mbrëma, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare

Për kuartetin “Adra Strings”, kjo ishte hera e parë në Prishtinë. Violinistja Alice Romano e ka çmuar reagimin e publikut.

“Kisha kënaqësinë të luaja në këtë sallë të bukur. Për mua dhe për të gjithë grupin është hera e parë këtu në Prishtinë dhe jemi shumë të lumtur të luajmë këtu”, ka thënë ajo ende nën emocionet e mbrëmjes.

Violonçelisti i grupit “Adra Strings”, Alfredo Anastasio, është shprehur falënderues për mundësinë për të interpretuar në këtë festival.

Image
Hapja e festivalit ka qenë festë në Ditën e Evropës

“Ishte shumë bukur edhe për mua gjithashtu. Kjo ishte hera ime e parë këtu dhe duhet të them se është me të vërtetë një vend shumë i bukur. Dua t’i përgëzoj të gjithë këtu dhe ishte me të vërtetë kënaqësi të luaja në këtë sallë dhe me këta njerëz të mrekullueshëm. Me të vërtetë një mundësi e mirë dhe jam shumë falënderues”, është shprehur ai./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing