Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Eroll Bilibani, zëri i radhës i filmit të Kosovës në Akademinë Evropiane

Kulturë  |  10.05.2023 Ora 10:14   

Udhëheqësi i programit “DokuLab” në “DokuFest”, producenti Eroll Bilibani, është anëtari më i ri nga Kosova në Akademinë Evropiane të Filmit. “Personalisht jam shumë i lumtur, pasi që shpresoj që me anëtarësim në këtë institucion, më të lartin të filmit evropian, do të arrijmë që të mësojmë modelet e reja të mbështetjes së talenteve të rinj nga Kosova me perspektivë për projekte edhe më të mëdha brenda Akademisë”, ka thënë Bilibani

 

Kosova është bërë edhe me një anëtar të ri në Akademinë Evropiane të Filmit. Eroll Bilibani, udhëheqës i programit “DokuLab” në “DokuFest”, është bërë anëtar i Akademisë në Ditën e Evropës. Pikërisht të martën kur është festuar Dita e kontinentit të vjetër, Bilibani ka pranuar certifikatën e anëtarësimit. Kësisoj, Bilibani është anëtari i 25-të nga Kosova.
 

“Sot, në Ditën e Evropës, ju mirëpresim me kënaqësi dhe zyrtarisht si anëtar të Akademisë Evropiane të Filmit. Së bashku me 4600 anëtarë të tjerë të vjetër dhe me nam, tani jeni pjesë e një komuniteti të rëndësishëm kineastësh në Evropë dhe ne jemi jashtëzakonisht krenarë dhe të lumtur për këtë”, shkruhet në njoftimin që ka pranuar Bilibani.
 

Aty bëhet e ditur se Akademia do ta ftojë atë në ngjarjet që organizojnë dhe do ta mbajë të informuar për zhvillimet kinematografikë në Evropë.

 

“Do t’ju japim qasje në përzgjedhjet vjetore të Akademisë, një listë unike e filmave të fundit dhe të shquar evropianë. Si anëtar i Akademisë, ju mund të jeni pjesë e procedurës së nominimit dhe të ndihmoni të vendosni se cilët do të jenë fituesit e Çmimeve Evropiane të Filmit çdo vit”, shkruhet në njoftim. Bilibani tashmë është një prej tre kinematografëve që organizojnë “DokuFestin” e që janë anëtarë të Akademisë. Më 2017 bashkë me disa kineastë të tjerë nga Kosova, anëtar u bë drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari. E në janar të vitit 2022, Akademia e ka bërë anëtar edhe programuesin e “DokuFest”, regjisorin Samir Karahoda.

 

Eroll Bilibani ka thënë se së pari është një nder i madh që të jetë pjesë e një komuniteti prestigjioz kineastësh që e promovojnë dhe e avancojnë kinematografinë evropiane.

“E dyta, është shumë me rëndësi rritja e pjesëmarrjes së anëtareve nga Kosova, pasi që në këtë mënyrë mund të promovojmë edhe kinematografinë e Kosovës. Personalisht jam shumë i lumtur, pasi që shpresoj që me anëtarësim në këtë institucion, më të lartin të filmit evropian, do të arrijmë që t’i mësojmë modelet e reja të mbështetjes së talenteve të rinj nga Kosova me perspektivë për projekte edhe më të mëdha brenda Akademisë”, ka thënë ai. Duke qenë i treti nga “DokuFest” që bëhet anëtar i Akademisë, ka thënë se ky është një tregues i rëndësishëm i besueshmërisë institucionale që ka festivali kosovar në “European Film Academy”.
 

“Ne jemi partnerë të Akademisë për një dekade në ‘Young Audience Award’ dhe ‘European Film Club’ dhe shpresoj që në të ardhmen do të arrijmë të krijojmë edhe platforma të reja bashkëpunuese që do të krijojnë ura mes kineastëve të rinj nga Kosova me ata të Evropës. Personalisht do të angazhohem në promovimin sa më të madh të filmave dhe kineastëve nga Kosova, me fokus të veçantë në ofrimin e mundësive për zhvillim të talentëve të rinj”, ka thënë Bilibani.
 

Sivjet në fund të marsit anëtar i Akademisë është bërë edhe kineasti Lum Çitaku, i cili për një vit, deri në prill ka qenë zëvendësues i drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës.
 

Sa u përket anëtarëve, në këtë institucion prestigjioz prijnë Gjermania me 532 anëtarë, Britania e Madhe me 321 e të tjerë. Anëtarë të saj nga Kosova janë edhe Ilire Vinca, Eshref Durmishi, Faton Bajraktari, Ismet Sijarina, Sevdije Kastrati, Fatmir Spahiu, Edon Rizvanolli, Valon Bajgora, Yll Uka e të tjerë.
 

Akademia Evropiane e Filmit është një iniciativë e një grupi kineastësh evropianë që u mblodhën në Berlin me rastin e prezantimit të parë të Çmimeve Evropiane të Filmit në nëntor 1988. Çdo vit, Akademia Evropiane e Filmit nderon filmat dhe kineastët me Çmimet Evropiane të Filmit, që njihen edhe si “Oscari i Evropës”.
 

Më 2021 Kosova qe konkurrente për çmim prestigjioz. Filmi i Samir Karahodës “Pa vend” u bë i pari i nominuar për çmimet e përvitshme nga kjo Akademi. Filmi me producent Eroll Bilibanin u dha premierë botërore më 16 korrik të atij viti në Festivalin e Filmit në Cannes. Prej aty vazhdoi në një tjetër kontinent dhe më 19 shtator mori çmimin kryesor “IMDB Pro Short Cuts” në njërin prej festivaleve më të rëndësishme në botë, “Toronto International Film Festival”. Me të zyrtarisht do të kualifikohej për kategorinë e filmit të shkurtër për “Oscars 2022”, ku nuk arriti të përfshihej në listë të ngushtë./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing