Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, për më shumë se dy dekada është dëshmuar me program të pasur e me prurje të filmave botërorë. Festivali me nam për të dytin vit me radhë i bëhet krah një prej festivaleve më prestigjioze dhe me traditë në botë, atij të Cannes. Si pjesë e “Cannes Docs”, “DokuFest” do të jetë në “Marche du Film” (Tregu i Filmit), që është edhe tregu më i madh në botë i fushës së kinematografisë. Cannes e ka ftuar festivalin kosovar gjithashtu edhe në forumin “Rendez-vous Industry”, dedikuar takimeve me profesionistë të filmave të shkurtër.
“DokuFestit” i hapet porta e Cannes për të dytën herë, dhe atje do të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme me institucione të filmit.
“Ne do të marrim pjesë në një numër të aktiviteteve atje, përfshirë ato në kuadër të rrjetit ‘Doc Alliance’, ku ‘DokuFest’ është ftuar si ‘guest festival’, në ‘One-on-one’ konsultime me filmbërësit dokumentarë si ‘decision maker’ në kuadër të ‘Cannes Docs’, si dhe në takimet me partnerët tanë nga institucionet e ndryshme të filmit”, ka bërë të ditur drejtori artistik i “DokuFest”, Veton Nurkollari, në një përgjigje me shkrim për KOHËN.
Festivali prestigjioz ka lidhur partneritet edhe me 12 festivale të tjera me nam e traditë, si: “AJB DOC Film Festival”, “CPH:DOX”, “DMZ International Documentary Film Festival” “Docy Days UA”, “DOK Leipzig”, “É Tudo Verdade / It's All True”, “Festival dei Popoli”, “Ji.hlava International Documentary Film Festival”, “Movies that Matter”, “Forum RIDM (Rencontres internationales du documentaire de Montréal)”, “Visions du Réel International Film Festival” dhe “ZINEBI – International Festival of Documentary”.
“’Cannes Docs’ është krenare të jetë partnere me 13 nga festivalet më të mira të filmit dokumentar atje për edicionin e #MDF23 të këtij viti!”, shkruhet në njoftimin e Festivalit në rrjete sociale.
Drejtori artistik i “DokuFest”, Veton Nurkollari, e ka konsideruar të rëndësisë së veçantë bashkëpunimin me Cannes dhe prezencën e tyre atje. Sipas tij, Festivali ka shtuar fokusin në filma dokumentarë. “Pjesa e ‘Cannes Docs’ vjen si rezultat i këtij fokusi të shtuar dhe aty është edhe interesimi ynë, natyrisht. Vetë fakti se janë vetëm 13 festivale partnere nga mbarë bota dëshmon për rëndësinë e këtij partneriteti, si për ‘DokuFestin’ ashtu edhe për vendin tonë, do të thosha”, ka thënë Nurkollari.
Ai është shprehur se presin diskutime dhe konkretizime të ideve gjatë prezencës së tyre në Cannes me institucione të tjera, veçanërisht me festivalet homologe.
“Njëra nga to është iniciativa e quajtur ‘Doc Alliance’ ku ‘DokuFest’ synon të anëtarësohet gjatë vitit të ardhshëm si anëtar i rregullt dhe ne shpresojmë që në Cannes të diskutojmë më shumë rreth kësaj”, ka njoftuar Nurkollari.
“Doc Alliance” është rrjet i festivaleve evropiane të filmit dokumentar. Siç bëhet e ditur nga vetë rrjeti, “qëllim i tyre është të avancojnë zhanrin dokumentar, të mbështesin diversitetin e tij dhe të promovojnë vazhdimisht filmat dokumentarë”.
“Cannes Docs” këtë vit shtrin programin prej 18 deri më 23 maj. Me të i dedikohet hapësirë dokumentarit me profesionistë të filmit dokumentar artistikë, ku përfshihen krijues filmash dhe përfaqësues industrish. Në kuadër të organizimit mbahet edhe Dita Vjetore e Dokumentarëve, si festë ekskluzive njëditore e kinemasë dokumentare dhe e rolit të saj thelbësor në shoqëritë bashkëkohore. “’Cannes Docs’ synon fuqimisht të jetë sa më i dobishëm, relevant dhe mikpritës, për krijuesit e filmave dokumentarë të të gjitha prejardhjeve dhe origjinës, dhe për të gjithë ata që dominojnë këtë zhanër”, shkruhet në përshkrimin e “Cannes Docs”.
Pos në programin e Cannes dedikuar dokumentarëve, “DokuFest” është ftuar të marrë pjesë edhe në “Redez-vous Industry” për të tretën herë me radhë. Në kuadër të aktivitetit që zgjat tri ditë do të zhvillohen takime me regjisorë që garojnë në konkurrencën zyrtare të Festivalin, në kategorinë “Semaine de la Critique” dhe në “Directort Fortnight”.
Regjisori Samir Karahoda, i cili do të jetë pjesë e këtyre takimeve, e ka konsideruar si privilegj përzgjedhjen në mesin e krejt festivaleve të tjera pjesëmarrëse. Ka vlerësuar se është mundësi e mirë të takohen me regjisorët që, sipas tij, mund të jenë emrat e ardhshëm të kinematografisë botërore. “Deri tani kemi konfirmuar një numër të madh takimesh me përfaqësues të ndryshëm si të festivaleve ashtu edhe të institucioneve të filmit. Mendoj që prezenca jonë në Cannes është e një rëndësie të veçantë, pasi që e gjithë industria botërore e filmit është prezente aty dhe është një mundësi tepër e mirë për të lidhur bashkëpunime dhe kontakte të reja për projektet e mundshme në të ardhmen”, është shprehur regjisori Karahoda, i cili është edhe programues i filmave të shkurtër në “DokuFest”.
“Rendez-vous Industry” është forum dedikuar profesionistëve të filmave të shkurtër. Megjithëse nuk ka karakter garues, qëllimi i tij është të krijojë lidhje midis kineastëve dhe industrisë.
Ndërkohë programi qendror i edicionit të 76-të të Cannes do të shpaloset prej 16 deri më 24 maj. Drama “Jeanne du Barry” e Johnny Deep e hap edicionin e sivjetmë të Festivalit prestigjioz.
Kinematografia kosovare në Cannes kishte nisur historinë pikërisht me festivalin ndërkombëtar të dokumentarëve dhe filmave të shkurtër “DokuFest”. Në qershor të vitit 2021 për herë të parë një film vendor ishte futur në garë për “Palmën e Artë”. Filmi i shkurtër i Samir Karahodës, “Pa Vend”, ishte pjesë e konkurrencës zyrtare në kategorinë e filmave të shkurtër. Atë vit gjithashtu ishte dhënë premiera botërore e filmit “Luaneshat e kodrës” nën regji të Luana Bajramit në kuadër të “Director's Fortnight” të Festivalit të Cannes.
Në anën tjetër, edhe një aktor nga Kosova vjet ishte rikthyer në edicionin e 75-të të Festivalit të Cannes. Alban Ukaj kishte qenë në Festival prej 17 deri më 28 maj si rrjedhojë e rolit të tij në filmin “Tori and Lokita” të vëllezërve Jean-Pierre dhe Luc Dardenne. Ukaj ishte në Cannes po me një projekt kinematografik të vëllezërve Dardenne më 2008, kur së bashku me aktoren Arta Dobroshi luanin në filmin “Heshtja e Lornës”. Në edicionin e kaluar, Ministria e Kulturës kishte nënshkruar marrëveshje për bashkëprodhim kinematografik mes Kosovës dhe Francës.