Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“Prishtina Jazz Festival” në ritmin e rikthimit të ngjarjes unike

Kulturë  |  03.05.2023 Ora 10:32   

Ka pasur ngjarje të ngjashme, koncerte, por jo ai që mori namin e muzikës jazz në Kosovë. “Prishtina Jazz Fest” e ndali ritmin pas kapitullit prej një dekade. Ani pse nuk ka pasur shkëputje të frymës së jazzit, festivali rikthehet për ta vazhduar rrugëtimin që e pezulloi më 2014-n. “Dhjetë vjet nuk ka pasur ‘Prishtina Jazz Festival’. Ka pasur ‘Prishtina Jazz Week’ dhe ‘Turkish Jazz Week’. Nuk është që është shuar krejt. Ka pasur vazhdimësi. Megjithatë tani po fillojmë me një edicion, të njëmbëdhjetin me radhë”, është shprehur kitaristi Armend Xhaferi, që tash i prin ekipit organizativ.

 

Kur ishte në kulm, në edicionin e dhjetë, “Prishtina Jazz Festival” do ta mbyllte kapitullin prej një dekade. Gati po kaq vjet i janë dashur që të akordohet për rikthim. Çdo gjë është gati për edicionin e rikthimit, që nis sonte. Dhe historia vazhdon. Programi i edicionit të 11-të është shenja e parë e ruajtjes së nivelit. Festivali unik në Kosovë, i shquar si stacion emrash të njohur botërorë, do ta organizonte të parin edicion më 2005-n. I fundit i asaj periudhe qe ai i vitit 2014.
 

Artistë nga SHBA-ja, Spanja, Turqia, Bullgaria dhe jo vetëm, do të vijnë enkas për të performuar në këtë festival. Ishte Ilir Bajri, pianist e kompozitor i njohur i muzikës jazz, ai që e kishte “Prishtina Jazz Festin”. Tash, është jazz-kitaristi Armend Xhaferi që është vënë në krye të stafit organizativ. Ka qenë i ftuar në emisionin “Express” të KTV-së, një ditë para natës së fillimit të festivalit. Ka thënë se me emra të njohur synojnë të bëhet një lloj inspirimi i muzikantëve të rinj.

“Përgatitjet nuk përfundojnë kurrë deri të përfundojë festivali, sepse gjithmonë ka gjëra që dalin në momentin e fundit, por deri tani është duke shkuar gjithçka në rregull. Mysafirët kanë filluar të vijnë. Kanë ardhur dy mysafirë deri tani. Jemi gati t’i mirëpresim adhuruesit e jazzit e posaçërisht muzikantët e rinj të Kosovës, Prishtinës. Qëllimi dhe synimi ynë janë që t’i inspirojmë ata me muzikantë profesionistë, me artistë që vijnë nga Amerika, Gjermania, Turqia, Bullgaria, Spanja e të tjerë”, ka thënë Xhaferi.

 

“Prishtina Jazz Festival” do të vazhdojë për katër ditë. Natën e parë do ta hapë bendi nga SHBA-ja, “Brian Marsella Trio”, për të vazhduar më pas me një bend krejt të ri, “Prishtina Jazz Orchestra”.

 

“Kemi nderin që nata e parë fillon dhe e hap ‘Brian Marsella Trio’ direkt nga New Yorku, të cilët vijnë posaçërisht për ta hapur festivalin. Është një nder për ta pasur një kësi kualiteti të lartë. Nata e dytë është ‘Prishtina Jazz Orchestra’, një big-band i formuar sivjet në janar. Jemi mbledhur bashkë. Qëllimi ka qenë të bëjmë një bend të mirë, kualitativ me jazzera. Kam diskutuar me miqtë nga Maqedonia e Veriut që e kanë përfunduar gjithashtu universitetin në Graz, kemi folur me ta dhe kemi kërkuar që të na gjejnë muzikantët më të mirë të Ballkanit dhe ata na kanë propozuar disa të Bullgarisë, një spanjoll, kështu që jemi mbledhur. Janë pesë të Bullgarisë, gjashtë të Maqedonisë, katër të Kosovës, dy të Shqipërisë dhe një spanjoll”, ka thënë Xhaferi, i cili studimet i ka përfunduar në Universitetin e Muzikës dhe Arteve Performuese, pikërisht në Graz.

Teksa ka folur për programin e festivalit, Xhaferi ka bërë të ditur se “Prishtina Jazz Festival” do të mbyllet me një natë pak më melankolike krahasuar me netët e tjera, e kjo për shkak të muzikës që do të sjellë treshja Cenk Erdoğan, Enver Muhamedi dhe Derya Türkan. Trioja që prej vitit 1991 punon me ansamblin muzikor të “Radio TRT Istanbul”.
 

“Në Kino ‘Armata’ e kemi ‘Sara Decker Quartet’ që vjen nga Gjermania, një këngëtare e mrekullueshme dhe natën e fundit me Deria Cenk dhe Enver Trio. Në Turqi e kemi një muzikant tonin, kontrabasist Enver Muhameti, i cili kemi pasur dëshirë që të jetë pjesë e festivali dhe jemi marrë vesh që ai të formojë një trio. Unë kam dashur që të vijë edhe Deria Turkan, e cila i bie kamençes, është profesioniste, emër i madh i Turqisë. Kam dashur që me Enverin të bëjmë një bashkëpunim dhe kemi thënë që OK po e bëjmë një trio. Enveri vjen me ata të dy që të performojnë për ne. Kështu që ajo mbyllet me një muzikë më të qetë, më melankolike”, ka bërë të ditur ai.
 

Organizimi i një festivali të tillë nuk është i lehtë bazuar në mungesën që ai pati ndër vite. Mungesa e financimit, sipas Xhaferit, është arsyeja kryesore e kësaj ndërprerjeje. Rikthimi i tij u bë vetëm falë ndihmës së Komunës së Prishtinës, nën patronazhin e së cilës organizohet.

“Organizimi në Kosovë është problem. Nuk është gjë e lehtë. Si unë tash që jam duke u marrë, duke i ndihmuar Komunës. Është shumë vështirë dhe shumë problem për ta financuar. Fati ynë ka qenë që sivjet është nën patronazhin e Komunës. Nuk e di si do të mund të realizohej ndryshe, kështu që një falënderim të madh për Komunën. Dhjetë vjet nuk ka pasur ‘Prishtina Jazz Festival’. Ka pasur ‘Prishtina Jazz Week’ dhe ‘Turkish Jazz Week’. Nuk është që është shuar krejt. Ka pasur vazhdimësi. Megjithatë, tani po fillojmë me një edicion, të njëmbëdhjetin me radhë”, është shprehur Xhaferi.
 

Festivali do të zhvillohet në dy hapësira. Në dy netët e para do të mbahet në teatrin “Oda”, ndërsa dy të tjerat në kino “Armata”. Siç ka shpjeguar Xhaferi, arsyeja se pse festivali do të zhvillohet në dy vende të ndryshme lidhet edhe me vonesat në vendimin për ta organizuar një festival të tillë.
 

“Hapësirat e tjera nuk kanë qenë të lira. Faktikisht në tetor ne kemi filluar diskutimet dhe prej janari kemi filluar me buxhetin. Së pari ka qenë ideja të bëjmë disa koncerte për Ditën Ndërkombëtare të Jazzit, që ishte më 30 prill, por duke diskutuar, dolëm në ‘Jazz Festival’, kështu që ishte mjaft vonë dhe kur filluam t’i merrnim sallat nuk pati më të lira”, ka bërë të ditur Xhaferi.
 

Përveç artistëve mysafirë, pjesë e “Prishtina Jazz Orchestra” do të jetë edhe vetë Xhaferi si dirigjent e kitarist. Ai është shprehur i lumtur për bashkëpunimin me muzikantët tjerë të bendit, me të cilët pritet të performojë në natën e dytë të festivalit.
 

“Shumë e vështirë edhe të organizosh, edhe të perfomosh. Jam i entuziazmuar, sepse më pëlqen ky big-bend që e kemi krijuar. Energjia është e mirë, pozitive. Muzikantët janë të mirë, kalojmë shumë mirë. Jemi si një familje, kështu që është një gjë shumë e mirë për të gjithë anëtarët që të performojmë bashkë”, ka përfunduar ai.

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing