Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Kosova në Panairin e Leipzigut me pesë promovime e njëqind tituj

Kulturë  |  26.04.2023 Ora 10:03   

Në ngjarjen me traditë prej 391 vjetësh, e shtrirë në mbi 170 mijë metra katrorë, mesatarisht me mbi çerek milioni vizitorë, Kosova do të prezantohet nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës, por jo vetëm kaq. Janë edhe pesë përurime librash. Me shtand Kosovën e Serbinë i ndanë Sllovenia. Është hera e dytë që BKK-ja prezantohet në këtë Panair, e ka pasur edhe reagime për këtë.

 

Me njëqind tituj e pesë promovime, Kosova bën vend për herë të dytë në Panairin e Librit në Leipzig të Gjermanisë. Në njërin prej panaireve më me traditë në botë, shteti më i ri i Evropës zë vend në kuadër të rrjetit evropian “Traduki”, që prezanton shtetet e Evropës Juglindore. Në shtandin që rrethohet nga ata të rajonit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani”, do t’u bëjë vend botimeve të dy vjetëve të fundit, siç kishte bërë më 2019 kur për herë të parë u ftua për ta përfaqësuar shtetin.
 

Me rreth dy mijë e 500 ekspozues nga më shumë se 40 vende, me mbi tre mijë e 400 pjesëmarrës, mbi 3 mijë e 600 ngjarje në 550 skena, Panairi i Leipzigut sivjet hap portat të enjten për t’i dhënë fund këtij edicioni të dielën. Është ngjarja e cila edicionin e parë e mbajti këtu e 391 vjet më parë, në vitin 1632. Më 2021 e më 2022 nuk u mbajt për shkak të pandemisë.
 

Kosova është pjesë e programit promovues të “Tradukit” dhe të Panairit të Leipzigut, nëpërmjet veprave letrare dhe joletrare, deri te romani grafik, vepra në gjuhën shqipe dhe atyre të përkthyera në gjuhë të tjera.

 

Me 27 prill në orën 16:00, BKK-ja në bashkëpunim me “Tradukin” – rrjetin e themeluar më 2008 me synimet për komunikim nëpërmjet librit duke përkthyer vepra, e në të cilin rrjet Kosova synon të anëtarësohet sivjet – do të organizojnë promovimin e veprës “Libërthi i dashurisë” të Shpëtim Selmanit. Për një orë e gjysmë aty do të diskutohet mbi temën “Poezia mes poetit dhe lexuesit: ‘Personizmi’ dhe Konsumerizmi”. Diskutimi do të moderohet nga përkthyesja Zuzana Finger. Më pas në ditën e 29-të të këtij muaji, në bashkëpunim me programin e Panairit do të promovohet vepra “Një grua amerikane në Kosovë 1981–1997” i autores Janet Reineck. Më pas do të diskutohet mbi temën “Kujtimet personale në Kosovë (një pasqyrë personale e përshtypjeve dhe përvojave të autorit për jetën shqiptare në Kosovë)”. Moderatore e kësaj ngjarjeje do të jetë profesoresha universitare e gjuhës gjermane, Blertë Ismajli. Ajo po ashtu do të moderojë edhe diskutimin “Koleksioni historik: Diskutim historiografik i tetë grave të jashtëzakonshme në historinë e Ballkanit”, që mbahet në kuadër të promovimit të veprës “No Man’s Lands: eight extraordinary women in Balkan history” me autorë Elizabeth Gowing dhe Robert Wilton. Ky promovim mbahet në kuadër të ngjarjeve të Panairit.

 

Në bashkëpunim me “Tradukin” të shtunën do të promovohet edhe vepra “Kësulëkuqja (përrallë për të rritur)” e autorit Ag Apolloni. Tema e diskutimit do të jetë “Letërsia: Mimesisi dhe fiksioni (raporti midis imagjinares dhe reales në letërsi)”, ngjarje kjo që po ashtu moderohet nga Blertë Ismajli. E të dielën do të promovohet romani grafik i Gani jakupit, “Le Serpent à deux tetës”, ku temë diskutimi do të jetë “Optika grafike dhe letrare - një roman grafik për aborigjenët australianë”.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës është organizatore që përkrahet nga Ministria e Kulturës dhe ajo e Punëve të Jashtme. Shtandi i Kosovës do të jetë në sallën 4 dhe me numër “D404”.
 

Drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, ka thënë se bazuar në ftesën e Panairit ku është kërkuar që përfaqësimi të bëhet nga institucioni më i lartë bibliotekar, është vendosur që institucioni që ai udhëheq të ketë shtand në këtë ngjarje.
 

“U kemi shkruar botuesve më të mëdhenj që t’i përzgjedhin nga tre tituj. Vetëm tre botues janë përgjigjur. Më pas ne kemi hyrë edhe kemi bërë përzgjedhje të veprave të vitit 2022, 2023. Shtandi na mundëson që të prezantojmë 60 tituj. Por ne kemi marrë pak më shumë se 100 tituj që do t’i ndërrojmë në mënyrë që të paraqesim sa më shumë botime”, ka thënë ai. Sipas tij, pjesëmarrja ka rëndësi në disa aspekte. Ka thënë se u jepet mundësi autorëve që të komunikojnë me botues e përkthyes të vendeve të ndryshme.
 

“Janë përkthyes e botues aktivë që vizitojnë shtandet dhe marrin informacione të ndryshme. Ky interaktivitet jep mundësi të zgjerohen bashkëpunimet”, ka thënë ai. Ka treguar se nga përvoja e vitit 2019 është parë se pjesëmarrja ka pasur një efekt të madh.
 

“Pastaj kemi edhe diasporën që vjen në shumicë. Ka gjermanishtfolës që vijnë enkas të shohin shtandin e Kosovës”, ka thënë Gajraku.
 

Ndërkohë ka pasur reagime se përse BKK-ja përfaqëson Kosovën në këtë Panair. Midis tyre ka reaguar edhe botuesi Berat Dakaj, i cili udhëheq me shtëpinë botuese “Armagedoni”.
 

Dakaj, i cili njëherësh është punonjës i BKK-së, ka reaguar publikisht duke thënë se nuk do t’i dërgojë BKK-së asnjë titull për ta prezantuar në Panair. Ka paralajmëruar procedura gjyqësore nëse paraqitet ndonjë vepër e botuar prej tij.
 

“Biblioteka Kombëtare e Kosovës, me këtë pjesëmarrje atje, në Panair, po tejkalon kompetencat e veta të përfshira në Ligjin për Biblioteka. Pjesëmarrjen atje po ia mundësojnë Ministria e Kulturës dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës. Mund t’ia mundësojnë edhe dhjetëra të tjera, por ligji nuk e obligon. As qëllimi i mirë jo”, ka shkruar ai publikisht. Ka shtuar se botuesit e Kosovës nëpër panaire, sidomos në ata jashtë vendit, i përfaqëson Shoqata e Botuesve e Kosovës.
 

“Cila bibliotekë kombëtare e shteteve evropiane i paraqet botimet e botuesve nëpër panaire ndërkombëtare? Asnjë. Sepse s’u përshkruhet ky aktivitet në ligj. As sonës s’i përshkruhet, po këtu kemi njerëz që s’e përfillin ligjin, që janë mbi ligjin, që paratë e veta përtojnë t’i shpenzojnë për të bërë një vizitë në Panairin e Librit të Tiranës e që s’përtojnë të shpenzojnë para të institucioneve”, ka shkruar ndër të tjera Dakaj.
 

Reagimet si ky, drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, i ka quajtur “frustrime të paqëndrueshme”. Ka përsëritur se më 2019 Panairi ka komunikuar direkt me MKRS-në dhe ka propozuar që prezantimi të bëhet nëpërmjet BKK-së.
 

“Ideja ka qenë se meqë ekzemplari i detyrueshëm vjen në BKK, asnjë shoqatë nuk mund të bëjë prezantim më të mirë se BKK-ja”, ka thënë ai.
 

Shtetet e rajonit përfaqësohen po ashtu nga institucionet shtetërore. Sllovenia përfaqësohet nga Agjencia e Librit, Serbia e Kroacia nga Ministria e Kulturës.
 

Panairi, njëri prej atyre më me ndikim në Evropë, synon që edhe sivjet të jetë adresë e shumë njerëzve të botës së librit.
 

“Bota e botimeve po shikon nga e ardhmja dhe rrjedhimisht edhe ne në Leipzig”, ka thënë Martin Buhl-Wagner, drejtor menaxhues i Panairit. Sipas tij, shumë botues të njohur, nga grupe të mëdha e deri te kompanitë më të vogla, janë regjistruar për këtë edicion.
 

“Ata vijnë këtu për të festuar botën e letërsisë së bashku me ne, si dhe për të ofruar ushqim për mendje dhe për të krijuar mundësi për diskutime shumë të nevojshëm në këto kohë të pasigurta”, citohet të ketë thënë ai në një komunikatë për media të Panairit. Sivjet, mysafir nderi do të jetë Austria. Slogani i shtetit mysafir është “Meaoiswiamia”, që do të thotë “më shumë se ne vetëm” dhe dërgon një mesazh të qartë për vizitorët, duke u kërkuar atyre të mendojnë për gjërat nga një këndvështrim tjetër.
 

“Shumë njerëz mendojnë se i njohin aq mirë fqinjët tanë, prandaj Austria synon qëllimisht të vërë në dyshim një stereotip të tillë. Me një program të gjerë, i ftuari i nderit do të ftojë vizitorët të zbulojnë jo vetëm letërsinë nga skena e larmishme kulturore, por edhe teatrin, artin dhe muzikën”, shkruhet në komunikatë.

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing