Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“Meeting of Styles” paralajmëron ngjyrosjen e nxitjes për veprim

Kulturë  |  06.04.2023 Ora 10:31   

Ka ende kohë, janë edhe 114 ditë deri te edicioni i radhës, por “Meeting of Styles” ka nisur përgatitjet dhe tashmë ka lansuar thirrjen për artistë. Janë rreth 700 metra mur anësor në një segment të “Rrugën B” në kryeqytet ku mëtohet të kthehet shkëlqimi që i ishte dhënë disa vjet më parë në kuadër të festivalit të grafiteve. Ishte viti 2018 kur për të parën herë aty u hodhën lloj-lloj ngjyrash dhe e kthyen këtë pjesë të kryeqytetin në hapësirë atraktive. Organizatorët konsiderojnë se ngjyrat e muraleve në atë pjesë janë zbehur dhe kanë vendosur që ajo të lulëzohet edhe një herë me artin e rrugëve në kuadër të edicionit të shtatë të “MOS” në Kosovë.

I gjithë koncepti i projektimit të grafiteve do të ndërtohet mbi temën “Critical Mass” që vjen si pasqyrë e realitetit aktual në botë dhe rritjes së ndërgjegjësimit për veprimet e secilit individ.

Figura abstrakte, mistike e reale me plot ngjyra ishin përjetësuar, të paktën për disa vjet, në njërën prej rrugëve kryesore të kryeqytetit. Grafitët e artistëve jo vetëm që e kanë bërë atraktive këtë pjesë, por edhe kanë shërbyer në përhapjen e artit urban në kryeqendrën ku jo pak beton haset gjithandej. Ndërtesa të shumta bartin murale gjigante, megjithatë është “Meeting of Styles” ai që në përmasat më të mëdha sjell këtë frymë arti në Prishtinë.

 

Këtë vit me edicionin e shtatë që mbahet më 28, 29 dhe 30 korrik, Festivali do të rikthehet në atë pjesë të “Rrugës B” krahas asaj që ishte mbushur me grafitë vitin e kaluar për të dytën herë dhe ishte rikthyer aty ku gjithçka kishte nisur me “MOS Kosova” në edicionin e parë.

 

Kur thirrja për artistë ka disa ditë që është hapur, Agon Xhelili, drejtor i “Q’Art”, organizatë që merr përsipër organizimin e Festivalit, ka thënë se tema e këtij viti është “njëfarë vetëdijesimi i rëndësisë së rolit që individët kanë në një masë më të gjerë ku secili mundet me një veprim minor të ndikojë shumë në një masë më të gjerë”. Vetë organizimi i Festivalit parasheh shprehjen e lirë të artistëve, por ku ndalohet aplikimi i artit me elemente të fyerjes fetare, nënçmim të komuniteteve dhe çfarëdo vepre që promovon terrorizëm dhe prek barazinë.

Xhelili ka treguar se deri më tani kanë aplikuar mbi 100 artistë që synojnë të shpërfaqin artin e tyre në muret e “Rrugës B”.

“Në fund do të zgjedhën rreth 120 artistë pjesëmarrës vetëm për grafitë, por për shkak të hapësirës shumë të madhe në krahasim me edicionin e kaluar, këtë vit kemi me pasë shumë më shumë aktivitete përgjatë rrugës, siç edhe i bën Festivali ynë”, ka treguar Xhelili.

Pos punimit të grafitëve, në kuadër të “MOS Kosova” organizohen edhe aktivitete të tjera si panairi i produkteve dhe arteve urbane apo ndryshe si “urban bazzar”, punëtori për fëmijë e të rritur të interesuar për të mësuar artin e grafitëve e mbrëmje muzikore.

Xhelili ka paralajmëruar edhe aktivitete të reja si hapësira kreative për të rinj, një ekspozitë të veçantë, gara e aktivitete të tjera dhe se do të modifikohen aktivitetet aktuale.

“‘Urban bazzar-it’ mundet t’i ndërrohet tematika e emri, por do të zgjerohet edhe më shumë duke përfshirë seri të reja ku bëhen të produkteve dhe ku minimumi është dhjetë, në një hapësirë të veten, jo në tendë. Secili ka mundësinë të shpalosë karakterin e tij nëpërmjet produkteve që i punojnë”, ka thënë Xhelili. Të rëndësishme e konsideron pjesëmarrjen e artistëve të huaj dhe sjelljen e frymës evropiane në vend.

“Nëse i kemi 120 artistë për grafitë, ndodh që rreth 100 të jenë artistë nga vende të ndryshme të botës. Në raport me vendin tonë më shumë artistë ka nga vende të tjera, pasi ky lloj i artit është shumë më i zhvilluar në vende të tjera, sidomos në Evropë. Kjo është ideja e Festivalit, të vijnë këta artistë dhe të shkëmbejmë përvoja çdo vit dhe të rritet numri i artistëve tanë në artin urban”, është shprehur Xhelili, organizator i “Meeting of Styles Kosova”.
 

Sikurse për artistët që do të marrin pjesë për të punuar grafitë, me konkurs do të pranohen edhe pjesëmarrësit në disiplina të tjera. Ndërkohë një thirrje tjetër e hapur po qëndron edhe për vullnetarë të Festivalit, e të dyja bashkë mbyllen më 1 maj. Thirrja për artistë muzikorë qëndron e hapur deri më 2 qershor.
 

Se arti i rrugës nuk praktikohet dhe se në Kosovë nuk ka një kulturë të tillë, Xhelili ka thënë se kjo ishte dëshmuar në edicionin e parë kur ishin munduar të bënin një proporcion mes artistëve vendorë dhe atyre të huaj.
 

“Na ka ardhur ajo surpriza ndoshta jo shumë e këndshme, por ka qenë një realitet ku prej 400 aplikacioneve, as 20 nuk kanë qenë tonat dhe prej tyre gjysma kanë qenë studentë që nuk kanë provuar kurrë të bëjnë një mural. Ata menjëherë kemi tentuar t’i fusim në programin e workshop-it ku ndër vite mundohen të përmirësohen dhe të marrin pjesë bashkë me artistët që kanë prej 5 deri 20 vjet përvojë”, ka thënë Xhelili, i cili e sheh organizimin e Festivalit edhe si shpërfaqje e artit që nënkupton lirinë dhe që shërben edhe si formë turizmi në vend.
 

“Meeting of Styles” është rrjet ndërkombëtar me qendrën kryesore në Wiesbaden të Gjermanisë. Krejt Festivali kishte nisur me organizimin e ngjarjes atje në vitin 1997 dhe në vitin 2002 ishte përhapur në vendet e botës. Në Kosovë që në edicionin e parë mori titullin “Best First Edition”. Festivali përfshin Kosovën ndër 32 shtete si Anglia, Spanja, Italia, Franca, Holanda e shtete të tjera evropiane, ndërsa nga ato në botë është Brazili, Argjentina, Tajlanda, ShBA-ja, Filipinet e të tjera. Në ueb-faqen e tyre veçse janë publikuar datat e rezervuara për vendet përkatëse, në mesin e tyre edhe Prishtina.
 

“I bashkuar dhe i frymëzuar nga pasioni për grafitin, ‘MOS’ synon të krijojë një forum për komunitetin ndërkombëtar të artit për të komunikuar, mbledhur dhe shkëmbyer ide, vepra dhe aftësi, por edhe për të mbështetur shkëmbimin ndërkulturor”, thuhet në prezantimin e “MOS”.
 

Vitin e kaluar në kryeqytet ishin bërë bashkë 100 artistë për temën “Truth is Light” në njërën pjesë të “Rrugës B”. Edhe aty ishte parë i domosdoshëm e si obligim intervenimi për të dytën herë. Nga organizatorët qe propozuar të krijohej një pullaz që do të ruheshin grafitët nga ekspozimi i gjatë ndaj kushteve atmosferike.
 

Në edicionet e kaluara, artistët pjesëmarrës të festivalit “MOS Kosova” kishin intervenuar në Stacionin e Trenit, në rrethrrotullimin në lagjen “Lakërishtë” e në atë që sot njihet si “Korridori i Gjelbër” me “Manifesta 14”. “Meeting of Styles” vjen në kryeqytet si vlerë artistike e artistëve nga kultura të ndryshme, por që bëhen një me artin e rrugës.

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing