Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“#StandWithUkraine” dëshmon luftën në kërkim të shpresës

Kulturë  |  06.04.2023 Ora 10:18   

Janë imazhe të trishta lufte, dëshmi vrasjesh e masakrash që sjell gazetarja maqedonase Kris Atovska prej zonave të ndryshme në Ukrainë. Por fotografive si këto ajo u kundërpërgjigjet edhe me kontraste. Një lule vjollcë që ka çelur në një zonë tërësisht të shkatërruar të Buchas, autorja e ka titulluar “Shpresa lulëzon”. Ka seri fotografish me ushtarë a gazetarë duke pirë kafe, që sikur përçojnë një lloj shprese se lufta do të përfundojë.

Ndërtesa të shkatërruara, mbetje automjetesh, shenja që paralajmërojnë zonat e minuara, rrugë tërësisht të shkatërruara, të vdekur nëpër rrugë e barrikada qytetesh, janë imazhet që vijnë me “#StandWithUkraine” të gazetares maqedonase, Kris Atovksa. Për realizimin e kësaj ekspozite, autorja Atovska ka qëndruar tre muaj në zonat e luftës në Ukrainë. Kishte lëvizur nga pjesa perëndimore e Ukrainës për të vazhduar në lindje, ku është përqendruar edhe sulmi rus ndaj Ukrainës. Fotografitë e saj dëshmojnë masakrën në Bucha, ku ajo kishte qëndruar për një kohë. Ishte ndalur edhe në Irpini, Kharkivi, Zhytomiri. Në mbi tridhjetë fotografitë e ekspozuara, vizitorët mund të shohin pamje qendrash tregtare të shkatërruara, ambulanca që kishin marrë rrugët për t’iu ndihmuar atyre në nevojë apo edhe makina, kamionë të mbetur në rrugë.

Por Atovska sjell edhe kontraste. Imazhin e një lule vjollce që ka çelur në një zonë tërësisht të shkatërruar të Buchas, autorja e ka titulluar “Shpresa lulëzon”. Ka seri fotografish me ushtarë a gazetarë duke pirë kafe që sikur përçojnë një lloj shprese se lufta do të përfundojë.

E pranishme në hapjen e ekspozitës ishte edhe vetë autorja, Kris Atovska. Pas përshëndetjes në gjuhën ukrainase, drejtuar refugjatëve ukrainas në Kosovë, Atovska ka treguar se ky rrugëtim nisi si rezultat i luftës së saj të kahershme kundrejt padrejtësive.

 

“Një nga gjërat më të padrejta që mund t’i ndodhë njeriut, është që të zgjohet me ushtrinë armike në oborrin e vet. Kam kaluar gjithë karrierën time duke luftuar padrejtësitë, dhe kjo ishte arsyeja se pse ishte kaq shumë e rëndësishme për mua që të ofroj zërin për ukrainasit që kanë ngecur në realitetin e tmerrshëm pa dashur ata vetë. Me mijëra civilë të pafajshëm janë duke dëgjuar alarmet për bomba, por ka vende ku sirenat janë të heshtura, e kjo vetëm për shkak se në ato vende bombardimet nuk pushojnë kurrë”, ka thënë ajo.

 

Në rolin e gazetares dhe të aktivistes për të drejtat dhe liritë e njeriut, Atovska kishte udhëtuar edhe në zonat më të rrezikuara. E ka bërë këtë që të dëshmonte për të vërtetat e kësaj lufte. Nën emocione të shumta, ka treguar edhe për vrasjen e shumë civilëve.

“Njerëzit e këtij vendi kanë dëshirën e njëjtë për çdo ditë: të mbijetojnë. Fatkeqësisht për mijëra njerëz kjo dëshirë nuk realizohet. Çfarë pashë në Ukrainë është më shumë se e rëndë. Një varrezë masive që qëndronte nëpër rrugët e shkatërruara të Buchas. Provat e krimeve kundër civilëve kam mundur t’i shihja te autobusët e evakuimit me fëmijë dhe ambulancat të cilat kurrë nuk arrinin në vend për shkak se ishin target i sulmeve. Por nga lëvizja në pjesët lindore, aty ku gjendja vinte përherë duke u bërë më e vështirë, shihja se si njerëzisht kishin çdoherë e më shumë kurajë”, ka kujtuar ajo.

Si gazetare e cila për tre muaj kishte jetuar realitetin e luftës në Ukrainë dhe që ishte përballuar me të gjitha vështirësitë e vendësve, Atovska kishte vërejtur edhe diçka: fuqinë dhe guximin e atyre që kishin vendosur të qëndronin në Ukrainë. Të gjitha këto ajo kishte vendosur që, përveç në fotografi, t’i shndërronte edhe në veprën filmike “Sirens Lullabies”.

“Jetova për tre muaj me ata që refuzuan të ikin. Me ata që refuzuan që rreziku të rrëmbente të drejtën e tyre për të jetuar një jetë normale. Me ata që përdorin mirësinë si mekanizëm mbrojtjeje. Me ata që i thanë jo frikës dhe me ata që unë i konsiderova si pjesa e rezistencës. Historitë që unë i vendosa në film, janë ato që shfaqin të gjitha format e rezistencës që ukrainasit përdorin për të mos u dorëzuar karshi okupatorit”, ka thënë Atovska.

Gjatë hapjes së ekspozitës, publiku pati mundësinë të shihte edhe trailerin e këtij filmi dokumentar. Nisur nga çfarë mund të kuptohej nga traileri dyminutësh, filmi shfaq përditshmërinë e Ukrainës në luftë. Nis me jehonën e sirenave të cilat u lëshuan në Kiev në mëngjesin e 24 shkurtit të vitit të kaluar.

I pranishëm në hapjen e ekspozitës në Prishtinë ka qenë edhe producenti i filmit dokumentar, Viktor Petreski. Ka thënë se filmi shpërfaq vetëm një pjesë të tmerreve me të cilat përballet populli ukrainas.
 

“Në këto fotografi mund të shihni vetëm një pjesë të vogël të tmerreve në të cilat jetojnë vendësit për një vit. Autorja e kësaj ekspozite vendosi që të bëjë çmos që të arrijë sa më shpejt në Ukrainë dhe vendosi që të dëgjohet zëri i njerëzve që po jetojnë me luftën. Në ditën e 20-të të luftës, ajo shkoi në Ukrainë me mjete minimale, krejtësisht e vetme dhe qëndroi atje për tre muaj. Shumë nga historitë që ajo dëgjoi gjatë qëndrimit të saj atje, i solli në dokumentarin e saj të quajtur ‘Siren Lulabies’ që tashmë ka fituar 9 çmime dhe 14 përzgjedhje në festivale kombëtare të filmit”, ka thënë Petreski. Filmi është shpërblyer me Çmimin për dokumentarin më të mirë të metrazhit të gjatë në “Chicago International Indie Film Festival” (CIIFF) 2022, “International Moving Film Festival 2022”, “London Movie Awards”, “Onyko Films Awards”, “Tokyo Film Awards” e të tjerë.
 

E prekur nga këto fotografi ishte edhe gazetarja ukrainase Lyudmila Makey, e cila ka një kohë që është strehuar në Kosovë. Ka treguar se si këto fotografi ia kujtojnë bukurinë e dikurshme të vendeve tashmë të shkatërruara prej bombave që nuk ndalen.
 

“E gjithë lëkura ime është rrëqethur. Shqetësohem shumë, sepse këto janë foto që më pikëllojnë shumë dhe më sjellim kujtime të dhimbshme. Në njërën prej fotove shihet tregu më i madh në Kharkiv. Atje isha 20 vjet më parë dhe më kujtohet Kharkivi i bukur me njerëz të lumtur e evente të shumta. Ndërsa tani pas bombave ruse është shkatërruar tërësisht. Më kujtohet çdo minutë i kësaj lufte deri në momentin kur erdha në Kosovë”, ka thënë ajo.
 

Hapja e një ekspozite e cila rrëfen të vërtetat e asaj se çfarë po ndodh në Ukrainë, sipas Makeyt, është shumë e rëndësishme. Sipas saj, kjo mund ta pengojë propagandën ruse gjoja se Evropa është e lodhur nga lufta në Ukrainë.
 

“Kjo ekspozitë është shumë e rëndësishme, sepse propaganda ruse thotë që Evropa është lodhur nga Ukraina. Se ne duhet ta kryejmë këtë luftë sepse ne të gjithë jemi të lodhur. Bota duhet ta kuptojë se kjo luftë nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën, por me lirinë e Evropës dhe me të gjithë njerëzit dhe me të gjitha vendet. Kështu që kjo ekspozitë përçon një mesazh shumë të fuqishëm për botë, për Kosovën dhe për ukrainasit që në këto ditë të vështira duhet të qëndrojmë të bashkuar”, është shprehur ajo.
 

Filmi dhe ekspozita janë shfaqur edhe në Shkup dhe në Tiranë, ndërsa autorja parasheh që rrugëtimin ta vazhdojë edhe më tej nëpër qytete të rajonit e më gjerë. Ndonëse nuk ka ende diçka konkrete, dokumentari “Silent Lullabies” pritet të shfaqet së shpejti edhe në Kosovë.

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing