Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“Arkitektura në kontekst tradicional” hap vizionin për monumentet

Kulturë  |  31.03.2023 Ora 10:21   

Ekspozita “Arkitektura në kontekst tradicional”, e hapur të enjten në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, sjell projekte ideore që shpalosin koncepte e metoda të reja në restaurimin e monumenteve. Punimet e studentëve, mentoruar prej arkitektit Flamur Doli, shpalosin vizione dhe hapin kapituj të rinj për disa objekte të trashëgimisë kulturore. Për me tepër, nëpërmjet tyre jepen ide për rijetësimin e disa prej tyre

Janë projekte ideore, asnjëri prej tyre nuk ka gjetur zbatim por krejt bashkë hapin një vizion për monumentet e trashëgimisë kulturore. “Arkitektura në kontekst tradicional” është ekspozita e cila sjell 62 punime studentësh të cilat objekteve arkitekturore u qasen me koncepte bashkëkohore të restaurimit, restaurim rijetësues dhe zgjerim të monumenteve në disa prej qyteteve dhe fshatrave të Kosovës.

Projekti ideor për restaurimin rijetësues dhe zgjerimin e çardakut në Lëbushë të Pejës, duke e shndërruar në kafe-restorant dhe zgjeruar hapësirën e saj, është njëri prej planeve të arkitektëve të rinj. “Struktura hapësinore e zgjerimit të restorantit, me fasada transparente prej qelqi, me konstruksion prej druri dhe çati tradicionale me forma moderne – mbuluar me qeramidhe, paraqitet si një vazhdimësi arkitektonike e monumentit”, shkruhet në sqarimin e projektit ku bashkëngjiten ilustrime për gjendjen e tanishme të hapësirës dhe asaj që vjen si projekt ideor. Plani për kullën e Haxhi Aliut në fshatin Poberxhë të Deçanit është projektuar për t’u bërë galeri e arteve, si dhe muzeu aty të zgjerohet.

Pos si shpërfaqje e punës së studentëve, qëllimi i ekspozitës së hapur paraditen e së enjtes në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ka qenë të tregohen metodat dhe konceptet më bashkëkohore lidhur me integrimin e trashëgimisë arkitekturore. Skicat e studentëve qartësisht e kanë bërë të ditur synimin me to: integrimin e trashëgimisë në version modern të kohës.

 

Arkitekti Flamur Doli, që ka mentoruar punën e studentëve dhe është autor i ekspozitës, në fjalim ka nënvizuar mungesën e përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës për të cilët ka konsideruar se do t’u hynin në punë këto projekte. “Kjo ekspozitë, këta katalogë duhet të jenë doracakë për Ministrinë e Kulturës, pavarësisht se ata i kanë qëndrimet e tyre, mënyrën e tyre të injorimit shumë të sofistikuar, por nuk mund t’i shmangen së vërtetës se materia është ajo që qëndron dhe nuk zhduket”, ka thënë Doli, profesor universitar. Për të ekspozita është e formatit unik, e pasur dhe me ndikim në trajtimin më bashkëkohor të monumenteve.

 

“Duhet ta theksoj se kjo ekspozitë vërtet në përmbajtjen e karakterin e saj dhe në vlerat e mëdha që i kanë treguar studentët gjatë punimit për temat master dhe seminarike është e veçantë dhe nuk e di që në një vend kemi kaq projekte të realizuara të projektimit në kontekst tradicional të restaurimit rijetësues dhe zgjerues dhe në kontekst të relacionit të projektit të ri bashkëkohor në raport me projektin tradicional”, ka thënë më tej Doli, njëri prej profesorëve të parë në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës.

Planet e restaurimit, rijetësimit e të zgjerimit përfshijnë kullat në Istog, në Deçan, në Pejë e Junik. Plani i restaurimit rijetësues dhe zgjerimi i shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë po ashtu zë vend në një prej panove të ekspozitës. Jo veç një, por tri propozime janë dhënë për objektin e ndërtuar në vitin 1930, i cili gjendet në zemër të qytetit.

“Në rastin konkret, kemi të bëjmë me konceptin e harmonisë ndërmjet të vjetrës dhe të së resë, me ç’rast e reja me formësimin dhe përmasat e saj nuk e konkurron të vjetrën dhe nuk ia cenon vlerat arkitektonike të saj. Përkundrazi, pastërtia formësuese e volumit arkitektonik të zgjeruar i shquan edhe më shumë vlerat dhe rëndësinë e monumentit”, shkruhet në panon ku gjenden edhe projekt-propozimet për shtëpinë e Xhafer Devës.

Në disa prej projekteve ideore shpaloset ideja që hapësira t’i shërbejë publikut, siç është ai i zgjerimit të Hotelit të Vjetër në Mitrovicë, në bibliotekë qyteti. Për të qenë në shërbim të qytetarëve është projektuar edhe ish-shtëpia e mallrave “Gërmia” e cila është projektuar për t’u kthyer në sallë të kinemasë, teatrit dhe galerisë. Duke u zhvendosur nga Prishtina në Suharekë, objekti i Bodrumit të Vjetër atje projektohet në hotel të qytetit. E Stacioni i Trenit në Pejë është menduar si restorant, kafene dhe byro projektuese. Për bibliotekën në Ferizaj projekti ideor e sjell të rinovuar e të zgjeruar ku pjesa e muzeut arkeologjik “bëhet” si qendër e kulturës.

Arkitektja Teuta Kajtazi, ligjëruese në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, ka vlerësuar se rikonstruktimi i objekteve dhe komplekseve të prezantuara në ekspozitë prezanton të mirat e shumëfishta në ruajtjen e vlerave arkitektonike.

“Rikonstruktimi funksional i objekteve dhe komplekseve të prezantuara bën të mundur ruajtjen e vlerave monumentale në njërën anë dhe karakterin arkitektonik të objekteve në anën tjetër. Në këtë ekspozitë, përpos arkitekturës rurale e tipologjisë së kullave të Rrafshit të Dukagjinit si përfaqësuese, vend të rëndësishëm zë edhe trajtimi restaurues dhe rijetësues i shtëpive tradicionale qytetare, si dhe disa prej objekteve të arkitekturës moderne në qytetet e Kosovës, të cilat shquhen për karakterin e tyre të veçantë formësues”, ka thënë ajo në fjalën e saj.

Image
Pos si shpërfaqje e punës së studentëve, qëllimi i ekspozitës së hapur paraditen e së enjtes në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ka qenë të tregohen metodat dhe konceptet më bashkëkohore lidhur me integrimin e trashëgimisë arkitekturore

Ngjarja e së enjtes është organizuar nga Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës.

Kryetari i tij, Masar Doli, ka bërë të ditur se ekspozita do të zërë vend edhe në rajon e më gjerë.

“E njëjta ekspozitë do të hapet edhe në Tiranë nga data 18 prill, pas kësaj në Ulqin nga fundi i prillit, pastaj në Tetovë dhe në fund edhe në Paris, në kryeqendrën e UNESCO-s, për të sfiduar vlerat tona të trashëgimisë, por edhe të vetë UNESCO-s”, ka bërë të ditur Masar Doli.

Krahas ekspozitës gjithashtu janë promovuar monografitë “Ruajtja praktike e trashëgimisë arkitektonike në Kosovë” dhe botimi në anglisht i veprës “Arkitektura vernakulare e Kosovës” të Flamur Dolit.

Derisa ka folur për rëndësinë e studimit të arkitekturës vernakulare, arkitekti Ilir Gjinolli ka thënë se puna e arkitektit përfaqëson një pjesë minore të ngritjes së vendbanimeve.

“Teoria dhe historia e arkitekturës tani qëllimisht janë marrë me studimin e arkitekturës si monumente të cilat janë karakterizuar me punën e njeriut gjeni, të pazakontë, të rrallë arkitektik. Mirëpo, ne shpesh harrojmë se puna e arkitektit dhe sidomos arkitektit gjenial përfaqëson një pjesë të vogël të ndërtimit të ndërtesave apo vendbanimeve në të gjitha periudhat e zhvillimit të njerëzimit”, është shprehur Gjinolli, ligjërues në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës.

Këtë libër Elida Miraj, profesoreshë në Universitetin Evropian të Tiranës, e ka konsideruar të veçantë edhe për shkak të ilustrimeve.

“Ky libër jep njohuri të plota për këto ndërtimet tona tradicionale për të cilat ne si shqiptarë jemi shumë krenarë, sepse arkitektura vernakulare nuk është arkitekturë banesash fshatare, është tjetër koncept ndërtimi dhe e ngritur në këtë stad u jep edhe traditave tona vlerë shumë më të madhe”, ka thënë ajo.

Arkitekti Sali Spahiu i ka konsideruar zgjidhje autentike tematikat që trajtohen në librin “Ruajtja praktike e trashëgimisë arkitektonike në Kosovë”.

“Libri më i ri profesorit Flamur Doli ‘Ruajtja praktike e trashëgimisë arkitektonike në Kosovë’ paraqet një vepër unike në fushën e arkitekturës dhe trashëgimisë sonë kulturore. Autori me mjeshtëri të jashtëzakonshme trajton detajisht dhe shumë profesionalisht disa objekte karakteristike të thesarit tonë popullor. Ai këtë punë e bën në nivel të lartë shkencor e hulumtues”, ka vlerësuar Spahiu.

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing