Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Teatri kosovar reprizon problemet e vjetra në Ditën Botërore

Kulturë  |  27.03.2023 Ora 10:19   

Në Ditën Botërore të Teatrit, që shënohet prej vitit 1962, bëhet thirrje që ky lloj arti ta rritë intensitetin e përhapjes së jetës. Këtë frymë e ka edhe mesazhi i shpërndarë nga Intituti Ndërkombëtar i Teatrit. Sivjet Instituti Ndërkombëtar i Teatrit ia ka besuar shkrimin e mesazhit të Ditës Botërore aktores egjiptiane me nam botëror, Samiha Ayoub. Por përderisa mesazhi synon të sensibilizojë edhe më shumë për rolin e këtij arti, në Kosovë hapësirat për teatrin po tkurren, e edhe trajtimi nuk është i duhuri.

 

Në kohën kur bota po kalon nëpër drama që për shekullin e tashëm shpesh ishin të paimagjinueshme, teatrit i shtohet vlera edhe më shumë. Në Ditën Botërore të Teatrit, që shënohet prej vitit 1962, bëhet thirrje që ky lloj arti ta rritë intensitetin e përhapjes së jetës. Këtë frymë e ka edhe mesazhi i shpërndarë nga Instituti Ndërkombëtar i Teatrit. Por përderisa mesazhi synon të sensibilizojë edhe më shumë për rolin e këtij arti, në Kosovë hapësirat për teatrin po tkurren, e edhe trajtimi nuk është i duhuri.
 

Sivjet, Instituti Ndërkombëtar i Teatrit ia ka besuar shkrimin e mesazhit të Ditës Botërore aktores egjiptiane me nam botëror, Samiha Ayoub.
 

Ajo ka bërë një përshkrim se si e sheh botën sot. Në konceptin e saj e gjithë bota është bërë si ishuj të izoluar ose si anije, që ikin në një horizont të mbushur me mjegull dhe lundrojnë pa ndonjë cak të mirëfilltë.

 

“Teatri në thelbin e tij origjinal është një akt thjesht njerëzor i bazuar në thelbin e vërtetë të njerëzimit që është jeta”, ka shkruar ajo. Sipas saj, nuk është e tepërt të thuhet se ajo që bëhet në skenë është vetë akti i jetës.

 

“Jemi ne ata që i japim jetës shkëlqimin e saj, jemi ata që e mishërojmë atë. Ne jemi ata që e bëjmë atë të gjallë dhe kuptimplotë. Dhe ne jemi ata që japin arsyet për ta kuptuar atë. Ne jemi ata që përdorim dritën e artit për t'u përballur me errësirën e injorancës dhe ekstremizmit”, ka shkruar aktorja 91-vjeçare. Sipas saj, artistët e teatrit përqafojnë doktrinën e jetës dhe e përhapin atë. Teatrin e ka përshkruar si baba të të gjitha arteve dhe ka ftuar artistët që të qëndrojnë të bashkuar për të prekur ndërgjegjen e secilit.

“Pra, hiqni këmbët tuaja nga balta e luftërave dhe konflikteve të përgjakshme dhe i lini në derë të skenës. Ndoshta njerëzimi ynë, i turbulluar në dyshime, do të bëhet edhe një herë kategorik me siguri që na bën të gjithëve me të vërtetë të kualifikuar për të qenë krenarë që jemi njerëz dhe që jemi të gjithë vëllezër e motra”, ka shkruar ajo. Ka kërkuar që teatri të jetë në rol të vetin si në krye të herës.
 

“Ne, dhe askush tjetër, kemi aftësinë për të përhapur jetën. Le ta përhapim së bashku për hir të një bote dhe të një njerëzimi”, ka shkruar ajo.
 

Por për ta çuar në vend këtë mesazh, duhet pasur edhe mundësi. E në Kosovë, sipas akterëve të teatrit, kushtet nuk janë as afër atyre normale.
 

Jeton Neziraj është dramaturgu më i ndërkombëtarizuar nga Kosova e ndër më të njohurit prej krejt rajonit. Sipas tij, skena teatrore në Kosovë ka ardhur duke u ngushtuar e tkurrur, jo në kuptimin metaforik, por në kuptimin e parë të fjalës.
 

“Tkurrje e ngushtim fizik. Infrastruktura teatrore është në gjendje të mjerueshme, në “Oda”, në Teatrin Kombëtar dhe në teatrot e tjera në Kosovë. Asnjë investim serioz, asnjë përpjekje për reformim”, ka thënë Nesziraj dramat e të cilit janë përkthyer në mbi 10 gjuhë e janë inskenuar nga lindja në perëndim. Sipas tij, më së keqi gjendja është në Prishtinë, me humbjen e hapësirave të Teatrit Kombëtar të Kosovës TKK-së.
 

“Disi, sikur jemi kthyer në vitet ’90, kur teatri realizohej në margjina, ‘underground’, në hapësira të improvizuara e gjysmë-ilegale. Kosova sot nuk ka një teatër të denjë, në kuptimin e infrastrukturës. Varfëria vazhdon. Ky 27 mars reprizon problemet e moçme, me një shtesë: një hapësirë teatrore më pak në Prishtinë, dhe një hapësirë e improvizuar teatrore më shumë”, ka thënë ai.
 

Ndërtesa e Teatrit Kombëtar të Kosovës është mbyllur në fund të qershorit të vitit të kaluar me arsyetimin se do të shkojë në rinovim të tërësishëm. Por ky vendim i Ministrisë së Kulturës ende nuk është përcjellë as me një projekt konkret për rinovim. KOHA ka raportuar se ende procesi është në fazë të analizave. Përderisa sipas MKRS-së, ndërtesa paraqiste rrezik për punonjësit e publikun, kjo nuk është evidentuar nga asnjë ekspert, as nga vetë ata që MKRS-ja i ka angazhuar, e në Raportin e të cilëve është thirrur. Teatri Kombëtar i Kosovës ka improvizuar si skenë Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sportit.
 

Drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, ka thënë se teatri në Kosovë është arti më produktiv “dhe më ‘i shitur’ në krahasim me çdo produkt artistik tjetër jokomercial dhe nuk është rastësisht në këtë pozicion.
 

“Kjo ka ardhur si pasojë jo vetëm se teatri është ‘At-i i të gjitha arteve’, por edhe për shkak të punës së pandalshme të komunitetit teatror në Kosovë që nga themelimi i teatrove të para e deri me sot”, ka thënë ai. Sipas Sheremetit, aktor me profesion, teatri flet për jetën, i jep jetë jetës dhe prandaj njerëzit e duan teatrin, sepse është art i cili komunikon me ata për jetën e tyre.
 

“Dhe si i tillë, meriton të jetë art prioritar në Kosovë dhe të ketë vëmendje të veçantë (me gjithë respektin për format e tjera të shprehjeve artistike), ndërsa fatkeqësisht nuk trajtohet në këtë mënyrë”, ka thënë ai. Ka shtuar se sidoqoftë, sot ka publik më shumë se kurrë, ka më shumë prodhimtari dhe ka një tendencë të jashtëzakonshme të ndërkombëtarizimit të teatrit të Kosovës.
 

“Ka një tendencë të krijimit të një identiteti të veçantë të teatrit tonë në skenën botërore të teatrit. Po shpresoj se kjo tendencë e mirë e krijuar nga artistët dhe prodhuesit teatrorë në Kosovë të përcillet edhe nga institucionet që sot edukojnë gjeneratat e reja të artistëve të teatrit”, ka thënë ai.
 

E sipas udhëheqësit artistik të teatrit “Adrina” në Ferizaj, regjisorit Besim Ugzmajli, Dita Botërore e Teatrit e gjen teatrin e Kosovës në krizë identitare, të hutuar, financiarisht pa mbështetje të nevojshme të institucioneve për teatrot publike. “Shumica e shfaqjeve bëhen ne kohë rekorde dhe jetojnë me pak se koha e provave te tyre”, ka thënë ai.
 

Kosova pos Teatrit Kombëtar ka edhe tetë teatro të qyteteve. Kurse teatrot e pavarura janë të përqendruara kryesisht në kryeqytet./koha.net/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing