Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Nxënësit në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët mësojnë për luftën e fundit në Kosovë vetëm në klasën e nëntë, kur janë rreth 15 vjeç.
Në tekstin shkollor të Historisë për klasën e nëntë, lufta e viteve 1998–1999 trajtohet në një kapitull me gjashtë nëntituj. Për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës i kushtohet më pak se një faqe, ndërsa në pjesën për masakrat janë përmendur vetëm 15 prej rreth 100 masakrave të kryera nga forcat serbe.
Mësimdhënësja e Historisë, Zogza Molaku, vlerëson se lufta e fundit në Kosovë nuk trajtohet mjaftueshëm në tekstet shkollore dhe se duhet të ketë më shumë njësi mësimore për këtë periudhë.
Edhe eksperti i arsimit, Agon Ahmeti, thotë se ngjarjet e viteve 1998–1999 nuk pasqyrohen mjaftueshëm dhe në mënyrën e duhur. Sipas tij, kurrikula duhet të përcaktojë më qartë njohuritë që nxënësit duhet të marrin për UÇK-në, figurat kryesore, zhvillimin e luftës dhe masakrat.
Ndërkaq, Ministria e Arsimit ka deklaruar se përmbajtja e teksteve përcaktohet në bazë të kurrikulës dhe kritereve për hartimin e tyre. Sipas Ministrisë, ndryshimet e rëndësishme në përmbajtje mund të bëhen përmes procesit të rishikimit të kurrikulave dhe procedurave për hartimin e teksteve të reja.
Në Kurrikulën Lëndore-Programin Mësimor të klasës së nëntë, lufta në Kosovë përfshihet në temën “Lëvizja e shqiptarëve për barazi dhe liri – lindja e një shteti të ri evropian – Kosovës”. Tema përfshin represionin ndaj Kosovës, rezistencën paqësore, shkaqet dhe zhvillimin e luftës, si dhe rolin e faktorit ndërkombëtar dhe procesin drejt pavarësisë.