Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Mbi 40 punëtorë të arsimit në Fushë-Kosovë vazhdojnë të punojnë pa marrë paga që nga shtatori i vitit 2025.
Bëhet fjalë për 18 mësimdhënës dhe 25 punëtorë teknikë, të cilët u punësuan përmes një konkursi publik, por nuk janë përfshirë në listën e pagave.
Drejtori i Arsimit, Sabri Xhigoli, tha se problemi lidhet me mungesën e buxhetit, duke fajësuar qeverisjen e kaluar se nuk i kishte planifikuar mjetet për pagat e tyre.
Sipas tij, është gjetur zgjidhje për 18 mësimdhënësit, të cilët pritet të paguhen nga buxheti i konsoliduar i Kosovës duke filluar nga muaji gusht. Ndërkohë, për 25 punëtorët teknikë ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare, ndërsa po shqyrtohet mundësia që ata të transferohen në një ndërmarrje publike lokale.
Ende nuk dihet se si do të kompensohen pagat e papaguara për muajt e kaluar.
Pavarësisht kësaj situate, Komuna e Fushë-Kosovës ka hapur së fundmi konkurs për punësimin e 27 mësimdhënësve të rinj, ndërsa drejtori i Arsimit ka pranuar se nuk mund të garantojë paga as për ta.
Nga Ministria e Arsimit ende nuk ka pasur një përgjigje lidhur me këtë çështje.