Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Policia e Tiranës ka njoftuar masa të posaçme për menaxhimin e trafikut më 11 korrik, në kuadër të koncertit të artistit Kanye West, i cili do të mbahet në Kashar.
Sipas njoftimit, nga ora 07:00 deri në 24:00 do të ketë kufizime të qarkullimit në disa segmente të autostradës "Durrës–Tiranë", përfshirë aksin nga "Eiffeli" deri te "Casa Italia", si dhe korsinë e daljes në rrethrrotullimin e "Casa Italia".
Ndërkaq, nga ora 12:00 deri në mesnatë, do të bllokohen edhe segmentet "Casa Italia" – rruga "Pavarësia" – rruga "Sokrat Miho", si dhe "Sokrat Miho" – "Kasem Shima" – "7 Nëntori", ku qarkullimi do të lejohet vetëm me sens daljeje.
Policia paralajmëron se, në varësi të numrit të pjesëmarrësve, mund të ketë bllokime të përkohshme edhe në aksin Ura e Institutit – Casa Italia. Gjatë zbatimit të masave, në zonat e kufizuara do të lejohen vetëm mjetet e emergjencës dhe të Policisë së Shtetit.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të planifikojnë lëvizjet paraprakisht, të përdorin rrugë alternative dhe të respektojnë udhëzimet e Policisë.
Koncerti është mbështetur nga Qeveria shqiptare me një fond prej 4 milionë eurosh. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se aktiviteti pritet të sjellë rreth 100 milionë euro përfitime ekonomike dhe promovim të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.