Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Panairi i Librit gati për vizitorë me 2 mijë tituj të rinj

Kulturë  |  06.06.2023 Ora 10:47   

Mbishkrimet që tregojnë për edicionin e 23-të të Panairit të Librit bashkë me portretin e shkrimtarit Ismail Kadare dhe disa autorëve të tjerë janë vendosur në platenë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, që do të shërbejë si një parahyrje në ekspozitën më të madhe të librit në Prishtinë. Si çdo vit, fillimi i qershorit i gjen në ndërtesën ikonike të Prishtinës botuesit nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi

 

Plateja e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve pasditen e së hënës ka nisur ta ndërrojë pamjen. Mbishkrimet që tregojnë për edicionin e 23-të të Panairit të Librit bashkë me portretin e shkrimtarit Ismail Kadare dhe disa autorëve të tjerë janë vendosur në këtë hapësirë, që do të shërbejë si një parahyrje në ekspozitën më të madhe të librit në Prishtinë. Si çdo vit, fillimi i qershorit i gjen në ndërtesën ikonike të Prishtinës botuesit nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi. Të hënën vonë shtandet veç kishin nisur të mbusheshin me libra. Janë rreth 80 shtande që strehojnë botimet e 103 shtëpive botuese.
 

Shënimi i përvjetorëve të rëndësishëm, prania e mysafirëve të nderit Ismail Kadare e Rexhep Qosja, e 2 mijë tituj të rinj rrumbullakojnë edicionin e sivjetmë që mbahet me temën “Libri triumfon”.

Kurorëzimi i krijimtarisë letrare të Kadaresë

 

Prania e shkrimtarit shqiptar me nam botëror, Ismail Kadare, sivjet i ka dhënë panairit tjetër jehonë. Ai do të jetë i pranishëm në hapjen zyrtare të ngjarjes sot (e martë) në orën 12:00 e më pas edhe do të qëndrojë në shtandin e shtëpisë botuese “Onufri”, e cila boton veprat e Kadaresë. Kësaj radhe kjo shtëpi botuese ka bërë botimin kapital duke mbledhur gjithë krijimtarinë letrare të Kadaresë në një komplet të veçantë. Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, ka thënë se prania e shkrimtarit më të përkthyer shqiptar në panair është një nder i veçantë.

 

“U bëhet një nder i madh fillimisht Kosovës, gjithë lexuesve, qytetit të Prishtinës e pashmangshëm edhe neve si organizatorë të Panairit që shkrimtari më i madh shqiptar i të gjitha kohërave të vendosë që kurorëzimin e krijimtarisë letrare ta bëjë në Panairin e Librit në Prishtinë”, ka thënë ai.

Shkrimtari, i lindur më 1936 në Gjirokastër, do të qëndrojë në Prishtinë deri të enjten. Gjatë ditës së mërkurë do të ketë disa takime me udhëheqës institucionalë e midis të tjerash do të marrë edhe titullin “Qytetar Nderi i Prishtinës”.
 

Teknologjia në ndihmë të librit

Kryetari i Shoqatës që organizon Panairin, Edon Zeneli, ka thënë se tema e sivjetmë manifestohet edhe në dizajnët e Panairit, ku është bërë një ndërthurje e teknologjisë dhe librit. “Libri triumfon” është tema bosht e këtij edicioni.
 

“Teknologjia paraqitej si rrezik për librin, por ajo ka bërë që libri të arrijë më shpejt te lexuesit e vet”, ka thënë Zeneli. Siç edhe është bërë traditë, deri të dielën, kur mbyllet ngjarja, do të shënohen disa përvjetorë.
 

Organizatorët kanë treguar se bëhet fjalë për 120-vjetorin e lindjes së Ernest Koliqit, 110-vjetorin e lindjes së Petro Markos dhe 100-vjetorin e lindjes së Jakov Xoxës. Po ashtu do të mbahen edhe mbi 40 aktivitete, promovime, nga autorë të pranishëm në panair. Do të bëhet edhe promovimi i vëllimit të fundit të ditarëve të Rexhep Qosjes, një komplet prej nëntë vëllimesh. Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40.000 vizitorë, përderisa gjithsej do të ekspozohen 6 mijë tituj.
 

“Kemi autorë që janë në shtande e bashkëbisedojnë me lexues dhe kemi të paktën 30 promovime të stilit klasik në amfiteatrin e Pallatit të Rinisë”, ka thënë Zeneli. Sipas tij, ka një situatë gjithnjë e më pozitive sa i përket interesimit për librin.
 

“Gjendja reale nuk është ashtu siç ne duam të jetë. Por libraritë po shtohen, botuesit po botojnë më shumë, bibliotekat po furnizohen me më shumë libra. Duke i pasur parasysh të gjitha këto fakte, kemi interesim në rritje për librin”, ka thënë ai. Sipas Zenelit, të gjitha shtëpitë botuese përgatiten që për panair të kenë oferta më të mira për lexuesit.
 

Botimet KOHA me ofertë të veçantë

Botimet KOHA, sikurse çdo vit, edhe në këtë edicion me shtand në vendin e njëjtë do të ketë ofertë të veçantë për lexuesit. Janë gjithsej shtatë botime të reja që prezantohen në këtë Panair. “Populli që shkroi historinë” me nëntitull “Vitet e zgjimit” sjell rrëfimin e politikanit Azem Vllasi për vitet e rëndësishme të Kosovës 1988-1999. Kujtimet e tij si funksionar i asaj kohe sjellin prapaskenat e heqjes së autonomisë së Kosovës e deri te detajet e asaj që Serbia po përgatiste për Kosovën. “Demë Dedë Boga” është romani i ri i shkrimtarit e gazetarit Binak Kelmendi, përderisa “Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë” me autor Enver Robellin përmbledh ngjarje e ndodhi personalitetesh evropiane të shekullit të kaluar. “Çështje shqiptare 1875 -1882” me autor Bernard Stulli e “Të shtunën nga zgafella” me autore Flaka Surroin janë po ashtu tituj të rinj të Botimeve KOHA. Romani fitues i shpërblimit për letërsi “Rexhai Surroi” për vitin 2022, “Provinca”, i autorit Liridon Mulaj, e vepra “Elvir Muriqi” i autorit Artan Verbica, po ashtu janë në ofertën e Botimeve KOHA. Shtandi posedon edhe 150 tituj të tjerë që vijnë me zbritje për Panairin.
 

“Botimet KOHA si gjithmonë synim ka që të jenë sa më afër lexuesve nëpërmjet botimeve të veçanta, por edhe duke ofruar mundësi që çmimet të jenë më të përballueshme. Sivjet kemi zbritje deri në 80 për qind”, ka thënë menaxheri i shitjes Fidan Imeri. Sipas tij, shtandi ofron vepra nga zhanre të ndryshme letrare e deri tek ato për fëmijë.
 

“Shtandi ynë është si një mozaik ku krejt lexuesit mund të gjejnë vepra që u shkojmë për shtati atyre. Qëllimi është që të jemi adresë e të gjitha grupeve të vizitorëve, përfshirë atyre që vizitojnë Panairin bashkë me fëmijët, familjet”, ka thënë ai.
 

Edicioni i sivjetmë i Panairit pritet që të ketë mbi 40 mijë vizitorë./koha/

 

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing