Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Sot shënohen 37 vjet nga demonstratat kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës, një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe më të rënda në historinë moderne të vendit.
Më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974, duke i hequr Kosovës autonominë në kuadër të ish-Federatës jugosllave dhe duke e vendosur atë nën administrimin e Serbisë. Ky vendim u mor në kushte të jashtëzakonshme, me Kuvendin të rrethuar nga forca ushtarake dhe nën një shtetrrethim të ashpër.
Pavarësisht presionit, disa nga 190 delegatët e pranishëm votuan kundër, duke kundërshtuar ndryshimet kushtetuese.
Ngjarjet u paraprinë nga greva e minatorëve të Trepça në shkurt të vitit 1989, e cila kishte për qëllim mbrojtjen e pozitës kushtetuese të Kosovës.
Demonstratat që pasuan kërkonin krijimin e Republikës së Kosovës, ndërsa gjatë tyre humbën jetën rreth 30 persona, qindra u plagosën dhe shumë të tjerë u arrestuan dhe u dënuan.
Kjo periudhë lidhet edhe me intensifikimin e politikave represive ndaj shqiptarëve dhe ngritjen në pushtet të Slobodan Milošević, duke shënuar fillimin e një faze të re të tensioneve në Kosovë.