Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Çështja e sigurisë në shkollat e Prishtinës po konsiderohet shqetësuese, pasi sipas raportimeve të fundit rreth 50 për qind e tyre përballen me probleme në këtë drejtim.
Njohësi i fushës së arsimit, Jonuz Salihaj, vlerëson se situata reale është edhe më e rëndë në nivel vendi. Sipas tij, anketimet tregojnë se rreth 70% e fëmijëve në Kosovë kanë përjetuar një formë dhune, duke përfshirë bullizmin, dhunën fizike, psikologjike dhe kibernetike.
Ai thekson se mungesa e raportimeve të sakta lidhet me hezitimin e nxënësve për të denoncuar rastet, ndërsa të dhënat e Policisë së Kosovës për vitin 2022 evidentojnë 539 raste të ngacmimeve në shkolla.
Sipas Salihajt, dhuna në shkolla ka ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e arsimit dhe mirëqenien e nxënësve, duke shkaktuar mungesa të shumta dhe ulje të përqendrimit. Në vitin shkollor 2024/2025, në shkollat e mesme të larta janë regjistruar mesatarisht 42 mungesa për nxënës, një shifër rekord.
Ai shton se masat aktuale institucionale mbeten kryesisht në nivel dokumentesh dhe nuk zbatohen në praktikë. Ndërsa investimet në kamera dhe infrastrukturë ndihmojnë në identifikimin e rasteve, ato nuk adresojnë thelbin e problemit, i cili sipas tij është psikologjik dhe pedagogjik.
Si zgjidhje, Salihaj rekomandon punësimin e menjëhershëm të psikologëve dhe pedagogëve në çdo shkollë, krijimin e komisioneve anti-dhunë dhe përfshirjen aktive të nxënësve dhe prindërve në adresimin e rasteve.
Ndryshe, raporti i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e nxënësve dhe stafit arsimor, duke kërkuar ndërhyrje urgjente institucionale.